Të hënën, më 23 janar, do të mbahet një protestë në Sheshin Skenderbeu, në Prishtinë, për shkak të deklaratave pozitive të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e vrarë serb, Oliver Ivanoviq, të cilin Kurti e ka rehabilituar për krimet e kryera kundër shqiptarëve gjatë dhe pas luftës, sidomos në qytetin e Mitrovicës. Protestën do ta mbajnë familjarët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk pajtohen me vlerësimet që Kurti i ka bërë kriminelit Oliver Ivanoviq, i cili në 5-vjetorin e vrasjes ka shkruar: “Oliver Ivanoviqi ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”.
