Mehmet Bislimi: LUTA DHE HUTA!

Në këtë rrëmujë parazgjedhore në Kosovën e këtyre ditëve, ku së fundi i bihet edhe çarkut të hutës nga “ushtarët” e Lutës, nuk është kusur i madh që “ushtarët” e kryetrimit Lutë të shpallin fitoren që tani!…
Luta, duke dashur të nxjerrë dufin e ndryshkur të urrejtjes dhe ambicieve të ulëta personale, tanimë fare lakuriq ia bëhu për të qenë i pari i fisit të LDK-istëve, duke nxjerrë armët nga dushku, në Ferizaj ai tha: “Aty ku preket vota, rrokën armët!”
Oooo, prite Lutë fukaraja, priteeee… dhe vërtet fukara, pra i varfër në tru, për më keq i papërgatitur që fundosjen përfundimtare të anijes me flamuj të leckosur të një triumf-fataliteti të zhgënjyer ta shohë me sytë e vet!
Ku mbeti arsyeja, zotni Lutë? Sipas mendimit tim të gjithë ata që në kohën e paqes kërkojnë luftë dhe në kohën e luftës kërkojnë paqe, nuk japin shenja burrërie, madje në këtë rast Luta shkon edhe më larg; duke kërkuar që të përgjakë zgjedhjet në Kosovën e lirë, ai i cili në një kohë me zaptitë e vet mbante zgjedhje në Kosovën e përgjakur!…
Në përpëlitje të tmerrshme mes ëndrrave lozonjare, të cilat prekin pikat më nevralgjike të interesit individual, duke u futur kështu thellë për të kapur rrugën e gjatë deri te pushteti, të cilin nuk po e kapin dot “trimat” tanë të hutës, janë zënë pisk së bashku me ta edhe shumë të tjerë.
Pasioni i shfrenuar për t’u ngritur lartë, qoftë edhe mbi ndërgjegjen e tjetrit, mbi çastet e liga që atdheu po kalon, sikur na qartëson se kemi të bëjmë me një shtresë njerëzish që vuajnë nga komplekset e pashërueshme të mashtrimit të vetvetes para popullit, madje me një kosto të pallogaritshme kohe për të qenë i pari i pallatit të ëndrrave! Kështu zoti Haradinaj shkoi deri atje sa deklaroi publikisht:
“Po ju them dhe në të njëjtën kohë edhe po konstatoj se nuk ka burrë në Kosovë që është në nivelin tim prej udhëheqësit e strategut politik…!” Ooopaaaa! Këtë nuk e besoj që ta ketë dëgjuar mileti ynë deri me tani. Megjithëse urtia e logut të burrave thotë:
”Ata që lavdërojnë vetveten, njëkohësisht dyshojnë në pjekurin e vet!”… kjo kohë trodhi trurin tonë duke ngarendur pas entuziastëve emocional të parapragmatizmit, të cilëve iu ndezën gjakrat nga provokimet e duartrokitjeve të çastit, si tip daulleje që ngrohet dhe ftohet me një grusht kashte!…
Në fakt, nuk mbesin mbrapa as përfaqësuesit e koalicionit LDD- AKR. Ky tandem pleqsh gërdallë, s’ka çka të humbas më, ngase prej që falimentoi ish partia e LKJ- këta nuk kanë shijuar më frutat e fitores!…
Këtë nivel të “lakmueshëm” e bartin mbi supe gati të gjithë xhambazët e radhës që pretendojnë pushtetin e Kosovës së plagosur!
Aspirimi i subjekteve politike në Kosovë, të cilat në brendësinë e vet janë të stërmbushura me interesa vetjake, nëse ky konstatim qëndron, apriori përjashton interesat e përgjithshme kombëtare, prandaj populli të gjykoi dhe të peshoi mençur me votën e vet të lirë – pa hutën dhe pa Lutën! Subjektet politike duhet ta kuptojnë një herë e mirë së ngarendja pas një momenti kritik të çastit, nuk siguron majat e pushtetit sa hap e mbyll sytë, as edhe me çmimin e ulët të të shkelurit aq vrazhdë mbi ndërgjegjen e tjetrit! Kjo rrugë e zgjedhur nuk iu shpie askund, asnjërin prej jush e aq më pak Narcisët modernë! Populli do të votojë vetëm për ata që, të paktën e të paktës, kanë bërë diçka për përmirësimin e jetës së popullatës në Kosovë.
Sot jemi dëshmitarë të kohës se një numër udhëheqësish të partive politike kanë humbur toruan duke përdorur kështu gjuhën denigruese dhe kërcënuese. Kjo metodë vetëm sa irriton më shumë votuesin, mirëpo ka edhe anën e saj pozitive e cila tregon sheshit se “po i ra Xhema vegshit do t’ia shkojë hujin përsheshit!” Bartësit e institucioneve shtetërore të Kosovës- në veçanti ata që ishin udhëheqës të luftës çlirimtare, nuk bën më të mbështeten vetëm në të kaluarën, ajo kohë iku duke lënë mbrapa shijen e thartë të limonit. Kjo nuk bën të përsëritët më. Zgjedhjet qendrore ( pas këtyre lokale), pothuaj së janë tek pragu, prandaj ju partitë në pushtet dhe ju në opozitë avash se nuk iu iku vakti. Keni kohë edhe ju, por më parë duhet larë kusuret. Kujdes edhe ju kusurmbushurit! Eh, Kosovë sa shumë kusure paske pasur për të larë…?!
Mendoj se disa nga subjektet politike më paraqitjet e tyre primitive, sikur po manifestojnë gjendjen e tyre shpirtërore, gjë që duhet kuptuar se nuk është krejt e lehtë që të bartësh mbi shpinë shijen e fajit të humbësit, por kjo duhet kërkuar në gabimet e tyre, në një kohë kur ata ishin në karrigen e “mbretit”, prandaj kjo vlen edhe për pushtetarët aktualë; kujdes mos i “futni veshët në lesh e as leshin në vesh!”…
Unë e kuptoj këtë tabor të shpartalluar opozitarësh dhe shumëngjyrshmërinë e tyre, i kuptoj plotësisht edhe përpjekjet e tyre që frustrimet e veta t’i paraqesin si frustrime të popullit, por gëzon fakti se kjo ishte dhe mbeti vetëm tentativë, ngase populli nuk gabon dhe kam besim të plotë së nuk do të gabojë as kësaj radhe.
Kudo në botë ku funksionon sistemi pluralist i demokracive të avancuara, përfaqësuesit e subjekteve politike nuk janë aq të marrë saqë popullit t’i thonë se nuk do të shtrojnë rrugë, se nuk do të ngrenë shkolla e godina, se nuk do t’i punësojnë njerëzit, se nuk do të përmirësojnë mirëqenien qytetare, se nuk do të vënë rend e qetësi, se nuk do të zbatojnë ligjin etj. Ndryshe ata nuk do të mund ta joshin qytetarin, tani përfundimisht është koha që populli t’u besojë veprave e jo joshjeve. Por nuk duhet harruar as faktin se; kudo në botë në rendin e shoqërive me një demokraci të avancuar, përfaqësuesit e popullit, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë janë më të përgjegjshëm dhe dhënë llogari para ligjit dhe sovranit popull. Kjo rregull nuk duhet të jetë dhe nuk guxon të jetë përjashtim për Kosovën!
Megjithatë, konstatoj se do të ishte axhamillëk i madh që me anë të hutës të pretendosh për të ndryshuar bindjet dhe preferencat politike të votuesit, prandaj është vendosur që mori që votuesi të jetë mbi moshën 18 vjeçe, pra që të jetë i pjekur dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e votës së vet.
Natyrisht së edhe unë si votues kam preferencat e mia, të cilat nuk dua t’i luhat nën trysninë e dhunës, por nën forcën e argumenteve bindëse.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …