Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Politikëbërësit e stërkequr të Kosovës

Në vorbullën e vlimeve të këtyre ditëve, kur ethet e zgjedhjeve kanë kapluar figurat e stërkequr të “politik bërjes” në Kosovë, të cilët në të shumtën e rasteve ngjasojnë me mumiet,  mbetura si hipotekë në shtegun e rivalitetit dhe inateve të vjetra, që koha nuk i treti dot.

Në tërë këtë zallahi të paparë janë vënë në lëvizje figura të tëra, me kalkulimet e tyre të pashije, të cilat ndjekin njëra-tjetrën pambarimisht në një rreth vicioz e të pakuptimtë, kush më shumë e kush më pak, futur në këtë valle që nuk e dirigjojnë dot, ngase qysh në legjislacionin e kaluar shumëkujt iu kishte lëkundur toka nën këmbë.
Nuk duhet harruar e anashkaluar këtu, një ves të lig, aq të ulët, i cili meton të kaloj në “zakon” prapanik e naive të një kaste aktuale, po kaq arrogante, që nuk kursen fyerje nga më primitivet që mund t’i hasim diku thellë si fosile të zëna nën myshkun e një guri të vjetër të ndonjë haleje, ku bota përparimtare me kohë ka hedhur aty zdralet e veta, për të zhgërryer sot këta të “moderuarit” që pretendojnë të bëjnë shtet demokratik!

Në historinë e filozofisë më të re, vështirë të hasësh karaktere të tilla, të cilët bindjet e tyre i ndryshojnë brenda natës!- muzgojnë si të majtë e gdhijnë si të djathtë! Këta lëvizin lirshëm, pa i vrarë ndërgjegjja fare, tjetërsohen me aq lehtësi dhe pa më të voglën keqardhje për të kaluarën e tyre. Këtë tjetërsim politik ata e përdorin si mburrje, duke pretenduar shpëlarjen e zdralës paraprake tek konaku i ri. Ata nuk duan t’ia dinë fare nëse i hëngrën fjalët e burrave si një salsiçe, ata nuk duan t’ia dinë për misionin e deputetit, për strehën e vjetër që i nxori nga anonimiteti, madje as për betimin e dhënë para elektoratit etj.

Në këtë lakim kaq lakonik i cili të krijon ndjenjën e përvjedhjes politike, janë futur plëngprishës e kryeneçë, inat-thi e hakmarrës, cinikë e naivë përnjëherësh, makutë e injorantë, të dështuar e të dalë boje, në fakt ata me këto lëvizje kanë krijuar përshtypjen e një “elite” që godet pamëshirshëm mendimin dhe bindjen e lirë pozitive e cila për më keq e vë në dyshim besnikërinë e saj për qasjen e një fillimjete nën kulmin e “bashkëshortësisë së re”, nga një anë, dhe nga ana tjetër, vërtet e vë në dyshim domosdoshmërinë e lëvizjes së potencialit tonë të vyer politik, të cilin në fakt e kërkon vendi për të ikur nga atje ku është ngulfatur vrazhdë fjala e lirë dhe mendimi i kundërt. Se fundmi, politika e mirëfilltë dhe mirëqenia ekonomike, imazhi i lënduar rëndë para botës përparimtare e cila dikur vendin dhe përpjekjet tona për liri i ka shikuar me syrin e admirimit, dhe jo si tani me syrin e hamendjes!

Janë tri parimet themelore të ligjit dialektik:

  1. a) mohimin e mohimit, b) forcat e unitetit dhe të kundërtave dhe c) ligji i sasisë dhe cilësisë.

– Në asnjë rast nuk përfitojmë vlera, kur mohimi bëhet vetëm në shkallën e parë, siç është rasti me disa deputetë të stërkequr të cilët me dredhitë e tyre nuk arrijnë të jetësojnë ligjin e mohimit të mohimit! Pra, nëse ata mendojnë se po bëjnë mohimin e parë, duke ikur nga streha e vjetër për të sjellë dyfishin e prurjeve tek strehë e re, në fakt ata nuk sjellin prurje të reja tek subjektit ku kanë shkuar, përkundrazi krijojnë atmosferë të volitshme për ikje të reja. Ata, gjithnjë e për çdo gjë, nuk e pranojnë paaftësinë e tyre, por fajin e ngrehin tek ish kasat e vjetër, me këtë kështjellë arsyetimesh të vëna mbi vetull, pjekun në uji ndonjë petull- siç thotë populli ynë; “Petulla në uji!”…

– Ligji i sasisë dhe cilësisë nuk është kuptuar asnjëherë drejt, prandaj, nuk do të thotë gjithmonë që sasia mund të jetë vlerë dhe mund të jetë ajo që vendos – jo, kjo u vërtetua edhe këtë radhë katërçipërisht, nuk bëri punë as numri “42 në rritje” , jo pra, është cilësia ajo që vendos dhe që të bënë me vlera të qëndrueshme, dhe kjo “cilësi” kalkulimesh e kastës në fjalë, kaloj një “nëntëmujor”, që përkon me një lindje të një vezori, por jo kjo mbeti shterpë e as për nëntë muaj nuk polli, të paktën një qeveri me pelena! Deputetët e shkurorëzuar që nuk janë më shumë se numra koti brenda sojit të vet, nuk sjellin cilësi, aq më pak zhagu i dredharakëve që pushtetit i imponohen më keq se një e përdalë pa të mbathura. Në asnjë rrethanë nuk mund të jenë sinonim i cilësisë servilë të tërë që sorollatën dyerve të institucioneve tona, për një bythë karrige për faktin e thjeshtë; se atyre u ngrohet menderja shpejt dhe marrin vrapin e yshtjes për atje, ku është edhe më ngrohtë!

– Ligji i unitetit dhe i të kundërtave, është ai që rregullon ritmin e jetës dhe të gjithësisë ku vetëm në saje të këtij ligji bashkëjetojnë dhe lëvizin në harmoni të plotë të gjitha planetët e orbitës sonë. Këto forca janë në tërheqje të vazhdueshme për unitet – po aq sa janë edhe refuzuese për të ruajtur baraspeshën e forcave në natyrë, në mënyrë që jeta në gjithësi të rrugëtojë në përputhshmëri të plotë. Fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve personazhet tanë të “sfiliturit e politikës”, duke menduar se do të mbijetojnë me sjelljet e tyre të pahijshme, me shpifje dhe akuza të pareshtura, me sharje po aq primitive, të cilat i faturojnë pa ekuivok në dëm të kundërshtarit politik, duke mos e atë si konkurrencë vlerash, por si përplasje për jetë a vdekje mes gladiatorësh!…

Ende pa u futur në harkun e zgjedhjeve, disa nga të politikës, duke e nuhatur shijen e hidhur të humbjes, po japin mesazhe dhe shembuj negativë, duke pretenduar që të bëhen jo më shumë se një kopje e shëmtuar e një banaliteti të ri zgjedhur. Në këtë kontekst, jam i bindur se dërdëllisja aventureske e një tentative për të ngritur një skenë teatrale në Kuvendin e Kosovës ka përfunduar me notat që ka merituar, dhe kjo nuk duhet të përshitët më. Kjo pllakë e gërvishtur gramafoni, popullit tonë për gati një vit po ua gërvisht shqisat e dëgjimit, luteni mjaftë më këtë pllakë që gërvishtin, duke nxjerrë dufin e urrejtjes nga fundi i dheut me pasione të ulëta për hakmarrje, që komprometon edhe më konkurrencën e mirëfilltë mes rivalëve potencial politikë që ofrojnë vlera e jo kundërshti.
Togfjalëshi i shprehur kaq negativisht, nga ana e cilitdo individ a subjekt politik-operativ, vë në spikamë qëllimin e parë dhe të fundit: hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë me çdo kusht, pa kursyer mjete! Këto sjellje të cilitdo, zhgënjen në masë të madhe të gjithë ata që sinqerisht kanë besuar se një ditë nga ato “dyer të vogla”, do të dalin figura të mëdha të kombit tonë të cilët interesat e atdheut, do t’i vejnë mbi të gjitha, dhe jo e kundërta!…

CH-dhjetor, 2025

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi- Gashi: Vjosa Osmani,  një presidente që i shërben imazhit personal, jo shtetit

Ka momente kur fjalët e një politikani nuk janë thjesht klishe fushate. Janë shigjeta që …