leoni

Mehmet Hajrizi: Fjalë në Akademinë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Gani Sylaj

Mehmet Hajrizi: Fjalë në Akademinë komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit Gani Sylaj

Të nderuar president Thaçi, kryeparlamentar Veseli dhe kryetar Lladrovci

E dashur familje Sylaj

Të nderuar bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Gani Sylajt

Të nderuar miq të Ganiut

Zonja dhe zotërinj

 

Sot në orët e mëngjesit përvëlues të Prishtinës, u shua Gani Sylaj. Prej sot Kosova është varfëruar me mungesën fizike edhe të një veterani të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të luftës çlirimtare të fundshekullit të kaluar.

Bir i Daut dhe Hyrë Sylajt, Ganiu lindi më 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë të Drenasit. Mësimet fillore i mori në fshatin e lindjes dhe në Komoran, kurse Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë, më 1972. Studimet për filozofi-sociologjisë i filloi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, për t’i ndërprerë për shkak të angazhimeve në Lëvizjen Kombëtare dhe të burgosjes e dënimit politik shumëvjeçar. Për dy vite ndoqi kursin për organizimin e partive politike në kuadër të Institutit Nacional Demokratik (NDI), kurse në vitin 2004 u certifikua si ekspert për pushtetin lokal në një Universitet në Uashington.

Qysh si normalist, Gani Sylaj aderon në Lëvizjen Kombëtare të kohës, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Me entuziazmin rinor që e karakterizonte, energjitë e pashtershme dhe përkushtimin ditë dhe natë, Gani Sylaj shumë shpejt formohet si kuadër profesionist, duke hyrë fillimisht në Komitetin e Studentëve të Grupit Revolucionar të Kosovës, pastaj në Komitetin Drejtues, si organ qendror udhëheqës i kësaj organizate.

Pas arrestimit të gati tërë udhëheqjes së Grupit Revolucionar të Kosovës në pranverë të vitit 1974, Gani Sylaj shquhet me rolin e tij të veçantë për riorganizimin e organizatës, të udhëheqjes së saj dhe të vazhdimit të shtypit klandestin, nëpërmjet të organit „Zëri i Kosovës“, traktet politike dhe publikimet tjera klandestine.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e Kosovës e këtyre viteve, vepronte në dy drejtime të një qëllimi: zhdavaritjen e reve të iluzionit të lirisë që kishte mbuluar qiellin politik të Kosovës, me reformën kushtetuese dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve, duke e bërë Krahinën e Kosovës njësi konstituive të Federatës jugosllave, por nën Serbinë dhe së dyti, ngritjen e ndërgjegjes qytetare për intensifikimin e rezistencës dhe riorganizimit të Lëvizjes Kombëtare, pas goditjeve policore që kishte pësuar në demonstratat e vitit 1968 dhe arrestimeve masive të viteve 1974 dhe 1975. Veprimtarinë e organizatës së këtyre viteve dhe të tij personalisht, Gani Sylaj i ka paraqitur në mënyrë brilante dhe në formë artistike në librin e tij, Ilegal viteve shtatëdhjetë, të botuar para pak vitesh dhe në librin tjetër, Shenjat e përkatësisë, i cili do të dalë nga shtypi pas tre-katër ditësh.

  Gani Sylaj nuk e provonte për herë të parë penën e tij të mprehtë në këta libra. Ai ka shkruar artikuj demaskues, mobilizues e organizativ në shtypin klandestin, por edhe shkrime publicistike etj. në medie të ndryshme pas vitit 1990, kur lirohet nga burgu. Ka botuar gjithashtu librin “Drejt lirisë”, monografi kushtuar Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe si bashkautor, librin dokumentar “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”. Ai ka lënë në dorëshkrim edhe mijëra faqe shkrimesh të tjera.

Në vitin 1979 për veprimtari atdhetare burgoset dhe dënohet dy muaj për kundërvajtje dhe pa mbaruar këtë dënim, transferohet në Burgun e Shkupit, ku e dënojnë edhe gjashtë vjet burgim për veprimtari politike. Pas demonstratave të vitit 1981, Ganiun e kthejnë sërish në Prishtinë ku dënohet me 15 vjet burgim. Burgun e mbajti në Idrizovë, Prishtinë, Mitrovicë dhe në Sombor të Vojvodinës. Bashkëvuajtësit shqiptarë të burgut me Ganiun, e kujtojnë atë si veprimtar edhe në qelitë e kazamateve, duke frymëzuar, përgatitur dhe mobilizuar të rinjtë për të vazhduar rezistencën pas lirimit nga burgu.

Më 1990 Ganiu i kthehet familjes në Kosovë dhe menjëherë  angazhohet në jetën politike legale dhe ilegale, duke vepruar legalisht në Lidhjen Demokratike dhe ilegalisht si veprimtar dhe kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ai ishte dhe kryetar i  Degës së Lëvizjes së  Bashkuar Demokratike (LBD) në Zvicër.

Në rrethimin e parë të Jasharëve të lavdishëm në Prekaz, 1991, së bashku me disa shokë të burgut dhe veprimtarë tjerë merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit.

Në shtator të vitit 1994, i rrethohet familja dhe shkolla ku punonte, por krejt rastësisht i shpëton arrestimit nga një ekspeditë e madhe e policisë serbe dhe emigron në Zvicër, ku angazhohet në organizimin e mërgatës shqiptare.

Atje fillimisht zgjidhet kryetar i nëndegës së Zurich-ut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicër. Në këtë periudhë  bashkëpunonte edhe me Ministrinë e Arsimit në mërgim. Po ashtu, ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër dhe pas shpërthimit të luftës në Kosovë ishte Kryetar i Emergjencës për grumbullimin e ndihmave për popullsinë civile në Kosovë.

Në muajt prill-qershor të vitit 1999 ishte zëdhënës i UÇK-së dhe zëvendëskomandant për Zonën e Veriut me seli në Kukës, Shqipëri.

Pas çlirimit 1999, në Qeverinë e Përkohshme ishte zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion, kurse gjatë viteve 2000-2001 qe drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”.

Gjatë viteve 2002-2005 ishte kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së, ndërsa nga viti 2002-2006 ishte Kryetar i Komunës së Drenasit.

Në vitet 2006-2011 ishte Drejtues Ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë, kurse në periudhën  e viteve 2009-2016 ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Vdekja e gjeti në pozitën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.

Përveç veprimtarisë klandestine çlirimtare, Gani Sylaj ka bërë punë ndër më të ndryshmet gjatë jetës së tij: në arsim, duke edukuar shumë breza në frymën atdhetare, për katër vite e udhëhoqi arsimin në komunën e Drenasit, si kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, drejtor i Shkollës Fillore “7 Marsi” në Kishnarekë, në Këshillin për Financim të Kosovës gjatë viteve të rënda të mbylljes së shkollës shqipe dhe të të gjitha veprimtarive shoqërore, redaktor në Gazetën “Bashkimi”, që botohej në Prishtinë, etj.

Gani Sylaj do të kujtohet ndër breza si një veprimtar i vendosur, i pathyeshëm, vetëmohues e i guximshëm, zemra e të cilit rrahu vetëm për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve.

Lavdi kujtimit të Tribunit të madh, Gani Sylaj!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …