kek
MIT
mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
Fillimi / Kultura / Mehmet Musa: Amaneti i profesorit, Halil Berisha
Mehmet Musa: Amaneti i profesorit, Halil Berisha

Mehmet Musa: Amaneti i profesorit, Halil Berisha

Burrat e mëdhenj të kombit e burrat e dheut e të Atdheut nuk u takojnë partive politike, sepse partitë lindin e vdesin, vijnë e shkojnë.

Ata burra i takojnë dheut e Atdheut të gjakur e të përgjakur ndër shekuj !

I tillë ishte profesor Halil Berisha, i cili u lind me 10 janar 1952, nga babë Ademi e nënë Raza, në fshatin Llabjan të Pejës.

Secili prind i njeh, fëmijët e tij. Edhe babë Ademi, ndër pesë  djemtë e pesë vajzat që kishte, Halilin e zgjodhi për zemer, që ta bëjë edhe shok edhe vella, sepse që  nga fëmijëria, ishte i shkathtë dhe intelegjent.

Për këte arsye babë Ademin shpesh herë, qoftë vetëm, qoftë hapur, gjatë tërë jetës së tij e ke dëgjuar duke thënë: „ pa Halilin t` gjallë mos paça jetë !

Dimërit të egër të vitit 1956/57 edhe pse Lila i vogël, dëgjonte me vëmendje fjalët e babait dhe shikonte me kurreshtje lotët e tij që fshinte me shami, here pas here, duke rrëfyer për korbat e zinjë që, pasi e kishin okupuar gjysmën e Shqipërisë natyrale, ishin vërsulur si bishat e egra ndaj popullit shqiptar autokton në trojet e veta, për të vrarë, prerë e grirë çdo gjë që ishte shqiptare, vetëm e vetëm që këte pjesë të Shqipërisë  t’a spastronin nga elementi iliro-dardan, dhe t’a kolonizonin me sllav e malazezë.

Është fjala për trevën e Dukagjinit.Babë Ademi, here pas here e shikonte Lilen e vogël në sy të ballit, se si reagonte dhe bisedonte me të, sikur Lila të ishte 40 vjeç !

Halil babë ! Dëgjo mirë ! Në trevën tonë ka ardhur një Aleksandër Rankoviç, në Rugovën e Çelë Shabanit, Zhukë Haxhisë, Jashar Haxhës e Kurt Asllanit. Në stacionin e milicisë në Kuçishtë është kasapi Prenk Zhuvali, që tërë natën, në këte dimër të egër, i lidh rugovasit dhe i lë me këmbë në ujë në bistricen e Pejës. Në Pejë e Dukagjin  ka tre katër agjentë të tij; si Vojë Slaviçi, Vujë Vujvodiçi, Jovë Bajati e kapetan Mujashi, të cilët nuk kanë lënë derë shqiptare pa i çuar gjëmën në prag.

Nuk lanë një pus uji ku nuk futën nga tre katër shqiptarë për ti mbytur për së gjalli. Nuk patën lënë njeri pa i dërguar letërthirrjen për të dorëzuar armët të cilat nuk i kishin. Një  pushkë, aso kohe, shitej e stërshitej nga dhjetë herë, nga agjentët e tyrë për të pasur shkak që të thërrasin e torturojnë shqiptarët.

“Halil babë ! Kam besë në ty. Shikoma shpinën si ma kanë bërë vred të zi! “. Ai e hoqi këmishën duke i treguar  trupin e torturuar nga OZNA.

Lere popullin e shkretë por edhe hoxhallarët i kanë burgosur, vetëm e vetëm pse mbanin dhe shpërndanin flamurin tonë kombëtar. Kështu  burgosën, Mulla Zekë Bërdynen nga Radavci, mulla Hysen Berishën nga Ruhoti e mulla Ramush Shatrin nga Tomoci.

Lila i vogël as nuk qante e as nuk qeshte, para gjithë asaj hataje që i tregonte babai, por i regjistronte në trurin e tij të njomë sikur të ishte plak me mjekërr. E gjithë kjo ishte shkolla dhe edukata revolucionare e atdhetare në të cilen u rrit, edukua, frymëzua dhe u kalit Halil Berisha për ti shërbyer gjatë tërë jetës Atdheut dhe kombit të tij të stër-robëruar.

Kur mbushi 7 vjeç shkoi në shkollën fillore të fshatit Zahaç, për të vazhduar më pas  gjimnazin Luigj Gurakuqi në Klinë ku edhe u diplomua në vitin shkollor 1973/74.

Po atë vit ,1973/74, pata fatin e madh në jetë të njihem me Halil Berishën, sepse unë isha nxënës i vitit të parë të gjimnazit Luigj Gurakuqi, që e drejtonte burri i mençur e pedagogu i mirënjohur Frrok Gojani.

Kur Halili ishte në vitin e dytë gjimnaz 1971/72, krahas shtatit i rritej edhe urrejtja kundër bishave të egra serbe, sepse fjalët e babë Ademit thënë rreth oxhakut në vitin e zi, 1956/57 i silleshin vërdallë në kokë. Kështu që një ditë pranvere organizon një lojë sportive futboll ndërmjet nxënësve serb dhe shqiptar, që ishin në gjimnaz, vetëm me qëllim që të rrahen fizikisht me shkije.

Ashtu, gjatë ndeshjes, një grup i prirë nga Halil Berisha me shtatë a tetë nxënës fillojnë për ti rrahur grupin e serbëve të përbërë nga 40 veta. Me intervenimin e sekretarit të LKJ-së të komunës së Klinës, Halilin e përjashtojnë nga gjimnazi dhe e dënojnë me 60 ditë burg si organizator,ndersa nxenesat tjere i denojne me paraperjashtim nga shkolla. Pasi, doli nga burgu vitin e dytë e mbaroi në gjimnazin “Skenderbeu“, në Gllogovc për t‘u kthyer prap në vitin e tretë në gjimnazin “Luigj Gurakuqi“, në Klinë.

Në fund javë, udhtonim së bashku nga Klina për në Pejë me autobus. Unë isha aso kohe 16 vjeç, por kjo  nuk e pengonte Halil Berishën, që të më thirrte shok me plot kuptimin e fjalës.

Edhe gjatë pushimeve të gjata mes orëve, në gjimnaz, kohën më të madhe e kalonim së bashku duke biseduar, siç thotë populli, për Shkup e për Shkodër.

Një ditë nga ditët, Halili më njoftoi se atë fund javë nuk do shkonim në shtëpi, si herave tjera por do shkonim në Drenicë.

Ishte hera e parë që kisha dëgjuar për Drenicën, bile i thashë: a nuk jemi në Drenicë këtu në Klinë ? Ai e kuptoi që nuk po tallesha dhe qeshi. I thashë se isha i gatshëm të shkoja pas tij,  kudo që shkonte.

Ishte ditë e dielë, mëngjes i hershëm. Erdhi treni nga Peja dhe u nisëm në drejtim të Fushë-Kosoves. Ajo ishte hera e parë në jetën time që udhëtoja me tren.

 Zbritëm në Drenas ish(Gllogovc), temperatura ishte e ulët edhe pse nuk kishte dëborë.

Halili iu afrua një mesoburri dhe e pyeti se nga shkonte rruga për në fshatin Makerrmal dhe ai ia tregoi. Me sa duket ai e kuptoi që ne vinim nga larg dhe na ofroi të shkonim për të pirë  çaj së bashku në shtëpinë e tij. Hymë në shtëpi, që nuk e kishte pasur larg nga vendi ku u takuam, në një odë burrash në katin përdhes. Zjarri ishte i ndezur sepse kishte meshkuj tjerë në odë. Mbi stufë ishin  dy gjygyma, njëri mbi tjetrin, që më la përshtypje sepse ishte hera e parë që shihnja një gjë të tillë.

Pasi pimë dy-tre gota çaj, na sollën për mëngjes, petulla me sheqer e me djath.

Gjatë bisedave që Lila zhvillonte me njerëzit, përmendej edhe emri i Shaban Polluzhes, të cilin deri në ate moment, nuk e kisha dëgjuar kurrë, por që ishte emër i një burri të madh.

Pasi  hëngrëm mëngjesin, bashk me Halilin kemi ecur këmbë, jo më shumë se një ore e gjysëm dhe arritëm te disa varreza, në anën e djathtë të rrugës.Varrezat ishin shumë të thjeshta dhe ishin të rrethuara me tel me gjemba. Kur arritem atje Halili më tha me një zë gjysëm të shterrur: arritem aty ku desha unë.

Jo me shumë se një metër e gjysmë përtej telave me gjemba, Halilit filluan ti rrjedhin lotët, por po qante pa zë. Mbi një varr ishte një gur bistrice, i thjeshtë dhe më i gjatë se gurët e varreve tjera, mbi të cilin shkruante, me germa të thjeshta por  të lexueshme: “ këtu pushon trupi i Shaban Polluzhës ! “

Halili, para meje dhe une pas tij, kur e preku gurin me dorë dhe e puthi filloi të qante me zë të larte aq sa unë u befasova.

Për emrin e Shaban Polluzhes, nuk kisha dëgjuar kurrë, me përjashtim të bisedave në dhomen ku pimë çaj, para disa orësh. Më në fund, pasi  fshiu lotët Halili tha: “O Shaban Polluzha ! Qe besa e Zotit, amanetin tënd kemi me e çue në vend “!  E puthi edhe një herë atë gurë të thjeshtë, por nuk kërkoi që edhe unë ta puthja. Nuk e di pse, por ndoshta ai e pa që unë isha tepër i emocionuar nga gjesti i tij . Rrugën e kthimit e bëmë perseri këmbë, por mezi  ecnim sepse edhe këmbët na  ishin lodhur.

Meqë ishim bashkë dhe më konsideronte vërtetë shok, mora guximin të mësoj më shumë se kush ishte ai burrë varrin e të cilit sapo e kishim lënë.

Halil ,e pyeta, e ke të afërm familjar Shabanin dhe ja gjete varrin pas shumë kohesh? I thashë se edhe ne e kemi të humbur xhaxhin Zekë nga lufta e fundit dhe nuk e dimë se ku e ka varrin.

Pasi më dëgjoi shfryu duke thene: “oh nënë ! oh nënë !“

Ai më tregoi gjërë e gjatë, ato që kishte mësuar nga bisedat me babanë e tij, Ademin. Më tha se ai nuk pranoi që në Luftën e Dytë Botërore të shkonte për të luftuar jasht Kosove. E në vendin tonë ishin derdhur çetniket e drazhistet serbë e malazezë, që kishin vënë në kokë një kapelë me yllin partizan.

Më  befasoi shumë kur më tha se edhe shqiptaret ia kthyen pushkën Shaban Polluzhes dhe brigadave te tij. Më tha se Fadil Hoxha, Ali Shukrija, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, Mehmet Hoxha së bashku me serbë e malazezë e vranë dhe e shkrinë Shaban Polluzhen me brigadat e tij në dimërin e ftohtë, ne shkurt dhe mars te vitit 1945.

I befasur  nga ato që më tha Halili, i u pergjegja, pse në shkollën fillore kishim mësuar këngën që thotë:

„Kush e nisi luften ma i pari

Fadil Hoxha Emin Duraku

Mazllom Kpuska Mustafë Bakija

treguan veten qysh është trimëria“

Pas replikës sime, Halili më tha:“Emin Durakun e kanë vrarë vetëm pse ka luftuar për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve, ashtu siç ka luftuar  edhe Shaban Polluzha me shokë. Kjo është arsyeja pse serbët e kanë larë me gjak Drenicën kryengritëse.

Gjatë gjithë rrugës së kthimit ai foli për Shaban Polluzhen. Kur erdhi treni, nga Gllogovci për në Pejë deri në Klinë  ai vazhdoi të tregonte për trimin e mençur Shaban Polluzha.

Në  kupenë tonë(dhomë pasagjerësh) të trenit ishin edhe katër persona goxha të moshuar. Edhe pse ishin të panjohur për te, ai u tha  se ndihej  njeriu më i lumtur në botë.Ata e pyeten:“ pse more burrë , çfarë gëzimi ke për hajr?“. Halili u përgjegj: “kam gëzim mbi gëzimet sepse sot putha gurin e varrit të Shaban Polluzhes“. Ata nuk folën asnjë fjalë por mbetën të stepur.

Edhe Halili, ashtu si edhe unë, për herë të parë dhe të fundit kishim vizituar ate varr trimërie, burrërie e shqiptarie.

Pas atij udhëtimi me Halil Berishën, lidhjet tona u forcuan shumë e dukej sikur ne ishim dy vëllezer.

Në vitin shkollor 1974/75 Halil Berisha u regjistrua për studime, në degën e Historisë. Si student ishte i pjekur para kohe, sidomos për historinë e popullit shqiptar, prandaj edhe raportet në mes profesorit të kësaj lënde, Ali Hadrit dhe profesorit të arkeologjise nga universiteti i Tiranes, Muzafer Korkutit, ishin raporte si në mes të vellezerve. Është iteresant fakti që Halil Berisha nuk dinte se ç’ishte frika,ai shquhej per vendosmeri dhe urtesi. Kudo që ishte ai, fjala e tij kishte peshë.

Ai, kudo nuk nguronte të fliste për çeshtjen e pa zgjidhur shqiptare. Ishte njeri modest ,i sinqerte dhe i prere,dhe çdo here që i ipej rasti të fliste, nuk kishte frikë edhe nga ata studentë që ishin të helmuar nga ideologjia  e bashkim vëllazërimit. Ne çdo debat ai i mposhtte dhe i vinte me shpatulla pas murit me logjikën e fakteve dhe trimërinë pêr t’i shprehur ato ,   pinjollët e bashkim-vllazerimit, duke i bërë ata të fusnin bishtin nën shalë.

Faktor që ndikoi shumë për rritjen e forcimin e besimit reciprok ishte edhe njohja e Halilit me kushëririn tim nga nëna, Haxhi Dinaj ,nga Raushiqi  me të cilin studionin bashkë dhe bile flinin në një dhomë, ne baraken nr.3 dhe pastaj në konviktin numër 1.

Ne vitin 1978/79,u regjistrova edhe unë për  studime në Prishtinë dhe ashtu u bëmë një celulë e mirë treshe, e organizuar dhe e përbërë nga Halil Berisha, Haxhi Dinaj dhe Mehmet Musa. Dikush nga ne urdhëronte e të tjerët zbatonin urdhërin.

Ishte përhapur lajmi se në vjeshtën e vitit 1979, Kosovën do ta vizitonte kasapi më i egër i shqiptarëve në histori, satrapi Tito, dhe një ditë nga ditët Halili më tha se,duhet të shkonja në Beograd. Une i thashë  se kush dreqi na ka ngelë atje o Halil burri. Ai, me humor m’u përgjegj: “dreqi, jo por Meleqi.“

Halili me sqaroi që kur të zbrisja nga treni, në Beograd, të pyesja ndonjë serb të rastit se ku ndodhej rruga Knjez Milosha numer 1. Pasi t’a gjeshë numerin 1, vazhdo rrugën për të gjetur numerin 56, ku është  ambasada shqiptare. Atje kërko Edmond Maksutin, që është sekretar i parë i ambasadës shqiptare dhe thuaj se me ka dërguar Halil Berisha. Unë, vajta, takova Edmond Maksutin dhe kreva detyrën që më dha Halili, por në kthim, mora një detyrë për Halilin.

Halil Berisha si figurë e formuar kombëtare, ishte i kujdesshem por edhe nje fisnik i madh,me bujari te larte,dhe,trim me trimeri te pasosur, i vendosur dhe i prerë që nuk njihte kthim prapa. Nuk më kujtohet mirë viti, por ka qenë 1978,79,ose 1980, kur në një fatkeqësi natyrore humbi jetën nga rrëshqitja e borës familja dhjetë antareshe e Bajram Rames, nga Rugova. Halili së bashku me mua, sipas zakonit të maleve tona, vendosëm që së bashku , për dy tre ditë, kudo që të takonim studentët nga Rugova edhe pse nuk njiheshim me ta, tu shprehnim ngushllime për atë humbje të madhe .

Në një nga ato ditë, një student rugovas, pasi ne e ngushlluam na tha: “mos më shprehni ngushllime sepse Bajram Ramen e ka dënuar Zoti, sepse Bajram Rama në luften e Smelevices ka vrarë shum shkije e cerrnagor. Lila më zërin e tij karakteristik i bërtiti studentit: “tashti po me dhimset edhe më shumë, e  Bajram Rames i lumtë pushka oooo more…“

Literatura nga Shqipëria nuk na mungonte bile nga mërgimi  për këte problem kujdeseshin Musë Mehmeti dhe Demë Dinaj, që të dy  punonin në Gjermani. Numër pas numri vinte Lajmetari i Lirisë, Zëri i Kosovës e Liria,libri titistet etj, kështu që marsi i vitit 1981, na gjeti të gatshëm për detyrat e kohës.

Ne mbrëmjen e 25 marsit të vitit 1981, u organizua një mbledhje në konviktin nr.3, ku u vendos që të nesërmen, me 26 mars, që ishte dita e stafetes së satrapit Tito, të mbyllen konviktet në menyre që studentët mos të shkonin në ligjerata.

Lila nuk qëlloi aty, por të nesërmen në mëngjes duke e ditur  ku banoja unë, në konviktin numër 4, erdhi heret, diku nga ora 6 e mëngjësit. Unë isha bërë portier i konviktit dhe kisha në dorë çelesat, i hapa derën. Kur më pa, që une tani isha portier, me një buzqëshje e dashamirësi më  të ëmbël në jetë më tha: „për hajr na qofte darsma  e nisur e, per hajr të qofte edhe detyra e portierit të ri“, e u përqafuam si më vellaun tim Xhaferin.

Më ndihmoi në realizimin e detyrës deri sa erdhi urdhëri nga konvikti numer 3 që të hapeshin dyertë e konviktit për të biseduar me udhëheqësinë kuislinge të Kosovës te cilës i  printe kuislingu  Azem Vllasi. Atë ditë, me 26 mars, kemi qëndruar gjithë ditën  bashkë, pa u ndarë.

Rreth orës 16 ,të dates 26 mars, u bë një kompromis shum i dhimbshëm. U bë një marrëveshje ndërjmet demonstruesve dhe pushtetit komunist se, po qe se e marrim një fotografi të kasnecit Tito në ballë do na hapen udhët që të arrijmë në qendër të qytetit, për ta pritur gjoja stafeten e Titos. Ne kishim qëllimet tona dhe Udba dhe Udbashët qëllimet e tyre.

Me të dëgjuar Halil Berisha lajmin e marrëveshjes,pa pyetur fare, iu hodh si rrufeja studentit që mbante fotografinë e Titos, duke thërritur:“kjo është tradhëti ! Po na tradhtojnë !“  Pas atyre thirrjeve Halili mori portretin e Titos dhe e bëri cop e grimë.  Unë, që isha aty pranë, kam parë me sytë e mij policin që nxori nga brezi revolverin dhe e shkrehu gjithë karikatorin duke qëlluar në drejtim të Halil Berishës. Ajo ngjarje ndodhi ndërmjet konviktit dy dhe konviktit tre, të studentëve, por, për fat të mirë , asnjë plumb nuk e goditi trupin e Halil Berishës.

Pas asaj, policia na futi mirë në rrethim, filloi të  hedhë gaz lotsjellës dhe te ndërmarrë sulme nga më barbaret kunder studentëve e sidomos kunder   motrave e bijave tona studente.

Me 1, 2 e deri me 4 prill, nuk mungoi pjesmarrja e Halilit  në çdo hyrje të qytetit ku demonstruesit ishin shpërndarë nëpër grupe të vogla.

Ngjarjet e përgjakshme të marsit dhe prillit të vitit 1981, ishin edhe një armë e fortë në duartë e Halil Berishës për t’u organizuar edhe më i vendosur me shoket e tij kundër regjimit serb dhe tradhtarëve të vendit. Nuk ka pasur takim qoftë në morte qoftë në oda burrash apo darsma që publikisht nuk e ka dënoncuar shtypjen dhe terrorin që ushtrohej mbi vëllezërit e motrat tona nën jugosllavinë e Titos.

Guximin e pashoq e trimëror si dhe aktivitetin e rëndësishëm për çështjen e atdheut, të Halil Berishës, janë përpjekur t’a baltosin „qyqet e zeza „ duke u shprehur se si ka mundësi që ai nuk po burgoset, kur  nuk ka lëne vend pa propaganduar kundër bashkim-vllazërimit.

 Dhe sot po ju drejtohemi atyre qyqeve duke u kujtuar se ata tërë kohën, që atehere e deri më sot, janë fshehur pas të pasmeve të grave të tyre pa pasur kurajon të bëjnë gjë në dobi të Atdheut.

Në jetën e tij kishte edhe ndonjë dite të bardhë dhe fat të madh që e vlen të ceket. Valët e jetës e njohën me stërmbesën e Sylejman Vokshit, Ganimete Vokshin, e cila iu bë  Halil Berishës  krah i fortë mbështetës, në çdo të pa pritur. Ajo iu bë krah i fortë edhe në vazhdimin e luftës së metejshme atdhetare gjatë vizitave të stërmundimshme nëpër burgjet fashiste.

Krahas shokëve të celulës, Halili i caktoi detyrë vetes për zgjerimin e radhëve të organizuara ilegale. Së bashku  më shumë shokë të tjerë, ai formoi organizatën çlirimtare në Pejë e rrethinë të pagëzuar me emrin „Shaban Polluzha“, e cila u godit nga organet e UDB-s në bazë të të dhënave nga agjentët e UDB-s   fatkeqsisht, të gjithë shqiptarë.

Halil Berisha në mëngjesin e hershëm te 3 janarit 1982 ra në pranga me grupin e shokeve: Sali Lajçi, Sali Kelmendi, Ujkan Nikçi, Brahim Dreshaj, Mustafë Lajçi, Naser Salihaj e Tahir Murtezaj.

Nën tortura çnjerzore nga oficerët serbë të sigurimit e xhelatët e zi, siç ishin Mehmet Loci, Mehmet Hasku, Jakup Llonçari, Istref Sadiku, Asllan Sllamniku, Demë Muja, Xheladin Beqiri, Bedrush Shala e shumë tjerë, nga goja e  atdhetarit Halil Berisha, nxjerrën vetëm një fjalë: “lufta e jonë është e drejtë dhe ne do të fitojme“ !

Pas asaj,  torturat vazhdonin edhe më egër, por trimi nuk u  thye kurrë, por qëndroi si shkëmb Rugove me ballin lartë duke mbrojtur idealet e atdheut të gjakosur.

Në ditën e gjykimit, gjyqtari Ukë Muqaj ishte në pushim dhe atë e zëvendësoi gjyqtari serb Urhan Basha i cili e pyeti:

I pandehuri Halil Berisha, Jeni student i historisë?

Berisha: Po

Gjyqtari: Po, por e keni mësuar historinë për së prapthi ?

Berisha: përse?

Gjyqtari: Ç’të duhej organizata me emrin Shaban Polluzha? Ai ka qenë tradhtar e kriminel, ne na ka çliruar Fadil Hoxha me shokun Tito.

Berisha: Jo, Fadil Hoxha e Titua i juaj e kanë tradhtuar popullin shqiptar, i kanë tradhtuar vendimet e Bujanit. Fadil Hoxha me divizionin e 46 serb e vranë Shaban Polluzhen dhe i çfarosën brigadat e tij sepse tribuni popullor Shaban Polluzha luftoi dhe ra për të rilindur prap si burrat e motit për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve. Nga ato që kam mësuar për kryengritjen e Drenicës, nuk më ka ngelur rrugë tjetër vetem të betohem para varrit të Shaban Polluzhes, se amanetin e tij do t’a çonim në vend, kjo është rilindja e Shaban Polluzhes që u pagëzua organizata jonë me emrin e këtij tribuni popullor…

Gjyqtari: mjaft, mjaft, se ka me të vra buka e Titos. Ty duhet të ndalohen   studimet përgjithmonë, sepse i helmon nxënësit me idetë tuaja kundërrevolucionare.

Berisha: Do të vijë një ditë dhe unë nxënësve të mi do iu spjegoj historinë e vertetë, për qëndresën dhe luftën e drejtë të Shaban Polluzhes.

Në atë gjykim Halil Berisha u dënua me 4 vjet burg të rëndë nga i cili u lirua pas katër viteve, me 3 janar 1986.

Edhe në burg trimat gjejnë forcë dhe kurajo të flasin për çështjen e Atdheut. Në  burgun e Pejës, Halili  takohet me të burgosurin Demë Dinaj, nga Raushiqi, me të cilin kishin qenë të organizuar më parë në një  celulë, por që nuk e kishin nxjerrë njëri tjetrin. Demë Dinaj  ishte  arrestuar në Jesenicë, me 22 korrik 1981, sepse në makinën e tij kishin gjetur material propagandistik si; Zëri I Kosoves,Lajmëtarin e Lirisë, Lirinë etj. Ne burg Halili e kishte porositur Demën që në shetitje brenda burgut, po qe se  takonte Tahir Murtezain nga Novosela, që ishte nip i Halilit, ta njoftonte se Halili gjatë hetimeve as që e ka përmendur emrin e tij . Dema me guximin e pashoq e njoftoi Tahirin për situatën por, gardiani  serb, Nebojsha që i kishte parë duke biseduar kishte tentuar ta rrihte Demën por ai nuk i hapi derën e vetmisë, deri sa ndërhyri drejtori i burgut, Fuat Kryeziu. Për atë akt Demën e dënuan me 28 ditë izolimi, në vetmi.

Pas daljes nga burgu me 3 janar 1986, Halil Berishës iu hoq e drejta e studimeve. Atij i kishte ngelur  tema e diplomës pa përfunduar. Por të drejtën që të vazhdojë rrugën e mundimshme drejtë lirise, nuk mundi kush të ia ndalë, kështu që menjëherë pas burgut ra në kontakt me revolucionarët, të bijtë e Musë Mehmetit nga Isniqi; Xhafer e Gani Musen,i dhe me shoke te tjere te ilegales.

Ndërsa në vitin 1989, përmes një lidhje, ai e përfundoi dhe e mbrojti diplomën me rezultat  të lartë dhe  si për çudi, fjalët që Halili i tha në gjyq  se do u mësojë nxënësve të mi për historinë e vërtetë shqiptare, për luftën e bacë Shabanit me të birin u bënë realitet. Nga  viti 1990 ai u  pranua  si profesor i historisë në gjimnazin e Pejës .

Pas viteve të 90-ta i njëjti, Halil Berishë, nuk la orë të mësimit, odë, dasëm apo mort pa spjeguar se ora e historise shqiptare po afrohej dhe atdheu ynë do të vaditej prapë me gjak por ne do të fitojmë. Ai ishte zëdhënës i celulave të para të UÇK-se. U spiegonte pa mëdyshje nxënësve dhe shokëve të tij se pa luftë çlirimtare, vendi nuk  mund të çlirohej. Lufta e UCK-së e gjeti të gatshëm në istikamë.

Pas përfundimit të luftës së UCK-së, diku pas afro 20 viteve, e takoja Halilin herë pas here, nga nostalgjija e së kaluarës dhe afërsia shpitërore që kishim për njëri tjetrin. Ai, si çdo herë ishte serioz, me ate fytyrë malsori të veçantë, me  ato vetulla të trasha të tymosura nga tymi i duhanit. Me në rast, duke pirë kafe së bashku në një restorant, e ngacmova për shaka, duke ia përqeshur fisin e tij, Berishë. Në përgjigje të rreptë,ai me seriozitetin,dhe rrudhat në ballë, e që nën atë seriozitet të tij fshihej respekti dhe dashurija që kishte ndaj meje më tha: “degjo mirë o lum shaljani kush jemi ne Berisha.!“

Nak Berisha, e Nuhi Berisha  dihet kujt i perkasin por, Hasan Prishtina, Demë Ali Pozhari, Mehmet Agë Rashkoci, Mulla Hysen Ruhoti, Çelë Shabani i Becit, Adem Demaçi, Jusuf Gervalla, Adem Jashari, Lan Selim Geci nga Lluka, Isa Zhel Hasani nga Rakoci e Xhemë Sadria nga Kodralia, besa edhe shumë tjerë që sot nuk po ti numroj, të gjithë janë të fisit që unë i përkas, fisit Berishë. U stepa dhe nuk e besova por me vonë u binda se me profesorin e historisë Halil Berisha  nuk bëhej shaka,por që i thash hajt Berishë mos dalshi fare.

Qellimisht nuk shkrova për mikun, shokun e ilegales dhe bashkveprimtarin tim, vellain tim, profesorine historisë i cili ditën e natën ligjëroi dhe kurrë nuk u lodh, duke spieguar se ka vetëm një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve, atdhetarin dhe revolucionarin e orëve të para, të burgosurin për çështje shqiptare e veteranin e UCK-se Halil Berishën, me 14 shkurt në njëvjetorin, kur Lila u nda nga ne , por shkrova pikërisht me 26 mars, 38 vjet më pas nga dita kur mbi trupin e Halil Berishës u   zbraz një karikator plumba për t’a  vrarë po për fat jetoi edhe më tej për të sakrifikuar e mos u kursyer për Atdheun e tij me tërë energjinë pa as një rezervë, deri sa pushoi së rrahuri zemra e këtij shkëmbi Rugove .

Dy tre dite para 14 shkurtit  të vitit 2018, Halili  thirri të  bijen e tij, Vesen e i tha:“ oj malesore, o biri im, shiko në koridor sepse m’u duk se dëgjova zërin e vëllezërve të mi, Haxhi Dinaj e Mehmet Musa, të cilët kanë ardhur të më vizitojnë!

Ne, si njëri si tjetri, në momente e fundit të jetes së tij, ishim 2000 kilometra larg atij burri që tërë jetën e deshëm sinqerisht dhe shqiptarisht njëri tjetrin. Ishin larg atij burri të madh të Dukagjinit për ti dëgjuar amanetin e fundit, amanet të cilin mund ta marim me mend. „Vëllezër shqiptarë, te krishtere e muhamedan. Juve që në damarë iu rrjedh gjak i pastër i arbërit e që nuk ju rrjedh qelb, mos pushoni së luftuari për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve, ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë; për një flamur, një kushtetutë, një himn kombëtar, një kufi e një ushtri „!

Ky amanet që, ishte motoja  kryesore e tërë jetës së profesor Halil Berishës !

Lavdi jetës dhe veprës së kryengritësit të pamposhtur dhe  atdhetarit Halil Berisha,

Të tillë burra si Halil Berisha nuk vdesin kurrë, por jetojnë deri sa të jetoj Atdheu i Arbërit !!!

Isniq me,26 mars 2019

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në rrugëtimin e tij poetik, Bajram Bekteshi ecën lirshëm, si kalorës i fjalës së lirë

Ahmet Qeriqi: Në rrugëtimin e tij poetik, Bajram Bekteshi ecën lirshëm, si kalorës i fjalës së lirë

Bajram Bekteshi i takon radhës së poetëve të Kosovës, të cilët krijimtarinë e tyre e ...