Menderes Zeneli

Menderes Zeneli: Kujtime të lavdishme nga jeta ilegale

Lëvizjet e fshehta në Preshevë e rrethinë datojnë moti. Pa hy në hollësi, se shumë anëtarë të këtyre Lëvizjeve kanë evokuar kujtimet e tyre ,si me kumtesa, kujtime personale, rrëfime për ngjarjet ,që kanë ndodhur këndej pari. Janë shumë të rëndësishme ngjarjet e vitit 1981, që në këto anë bënë bujë të madhe ,sidomos burgosja e studentëve në atë kohë si: Hamdi Ajdini student në Prishtinë,Halil Selimi, student, në Mitrovicë, Qenan Memeti, Shaqir Shaqiri e Burhan Hasani ( tani më i ndjerë) dhe shumë të tjerë në Preshevë . Natyrisht, se lanë gjurmë ,dhe domosdo nxitën zemrat e të rinjve për një Organizim më të mirë! Kontaktet e para me ilegalitet i kam pas rreth viteve 1986 e këndej, pa ndonjë Protokol. Si zakonisht, në fillim njiheshim me literaturën ilegale të kohës si: “Zëri i Kosovës”, që shtypej në Perëndim, Zvicër, “Pararoja” më pastaj literaturë mbi Organizimin, trakte, komunikata e libra që vinin nga Shteti Amë, si “Shqipëria Jonë” etj. Si student i asaj kohe rashë në kontakt me veprimtarët e organizatës së fshehtë atdhetare, Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës (OMLK), pastaj me Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, (LPRK).

Poashtu mbaja kontakte me veprimtarët e kësaj organizate në Kosovë dhe Maqedoni, duke qenë një pikë orientuese dhe koordinuese e aktiviteteve në Kumanovë, Preshevë, Bujanoc, Gjilan, Viti, Ferizaj, Prishtinë e gjetiu. OMLK si organizatë pararojë dhe LPRK, si organizatë masashë, konsolidoheshin dita-ditës, dhe marrin formën e mirë-organizuar. Në Preshevë e rrethinë tani më kishte njerëz të organizuar në këtë organizatë Atdhetare! Shokët e parë të organizuar fillimisht kanë qenë: Nijazi Aliu nga Gosponica e Preshevës, unë Menderes Zeneli nga Bukoci i Preshevës, Halim Selimi nga Ilica e Preshevës, Rami Sahiti nga Miratoca. Pak më vonë kamë ra në kontakt më Sabit Bajramin. Por rrjeti i Organizatës së Masave ka qenë edhe më i gjerë, sidomos sistemi i tresheve, qe kishte të bëjë më çështjet konspirative. Këtë pjesë dinë shokët e organizuar dhe unë do ta përmendi në shkrimet tjera. Në ketë mes kishte shokë tjerë të organizuar nga Presheva me rrethinë, nga viset e Kosovës, e viset tjera shqiptare por që kishin lidhje më të njëjtën organizatë dhe organizim por që për shkaqe konspirative, nuk jemi njohur mes veti. P.sh ata që ishin nxënës të shkollave të mesme, student, e aty këtu ndonjë punëtor, këtë shtresë e kemi ruajtur më shumë. Të organizuar ka pas edhe në Perëndim si: në Austri, Zvicër, Gjermani etj. Vlenë të përmendet, se lidhjet, me Këshillin Drejtues të OMLK-së në Kosovë i maja unë-Menderes Zeneli, fillimishtë kam pas kontakte me Bajram Kadriun, i cili ishte anëtar i K.D, pastaj kamë qenë në kontakt më Irfan Musëmuratin, Xhevat Qerimin, Qemaj Qerimin, dhe të tjerë, të gjithë këta Veprimtarë të OMLK –së –LPRK-së. Ndërsa me Kumanovë e Rrethinë Nijazi Aliu, mbante Lidhje me Hulusin e Nazmi Beqirin etj. Për t`i dhënë kuptim organizimit edhe më të fuqishëm Rreth-Qendër, në shtëpinë e Nijazi Aliut në Preshevë në vitin 1987 në bashkëpunim të ngushtë me shokët e Organizatës të ardhur nga Kosova si Bajram Kadriu (Koci), Irfan Musmurati, Xhevat Qerimi kemi themeluar Celulën Bazë-Këshilline Rrethit të LPRK-së, fillimisht në këtë përbërje: Nijazi Aliu, Menderes Zeneli, Halim Selimi, Rami Sahiti e Sabit Bajrami. Këshilline Rrethit të LPRK të formuar në vitin në vitin 1987 Preshevë e kam udhëhequr unë-Menderes Zeneli. Në një mbledhje të zgjeruar e cila u mbajt në fund të janarit të vitit 1992, në rrugën ,,Qemal Shehu” nr. 18, në Preshevë, bashkë me Sadik Ademin kemi arrtë që ti thërrasim të gjithë ata që ishin marrë e merreshin me politikë si: Nijazi Aliu, Menderes Zeneli, Rami Sahiti, Sabit, Nerxhivane Selimi, aty për herë të parë jamë parë në një organizim Ilegal, me Sadik Sadikun, (si mysafir), Shaqir Shaqirin ish i burgosur i vitit 1981, pastaj me Adnan Asllanin, që ishte burgos si nxënës i shkollës së Mesme në Ferizaj më 1988. Duhet përmendur se Reshat Avdiu u emocionua kur e pa një organizim të tillë ilegal. Për të gjitha këto mbledhje e takime shokësh, për qëllime organizimi ka raporte pune e proces verbale (janë në arkivin e rrethit). Tani më OMLK-LPRK ishte konsoliduar mirë. Në Zvicër e Gjermani kishte degët e saja, gjithashtu në Austri, në Kosovë dhe viset e saja si ne Preshevë, Kumanovë, Gjilan, Viti, Kamenicë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë Deçan, Pejë, Mitrovicë, Podujevë etj.

Po i kthehemi edhe një herë kujtimeve në mënyrë kronologjike. Nga viti 1987 e këndej kamë pas fatin e madh të bashkëpunoj ngushtë për çështje organizative me udhëheqësit kryesorë të OMLK-LPRK-së, në Kosovë dhe viset e saja si: Bajram Kadriun (Koci anëtar i K.D.), Irfan Musë Muratin, Xhevat e Qemajl Qerimin, Fadil Vatajn (antar i K.D.), Afrim Zhitinë (anëtar i K.D, i dalë nga burgu më 1988). Poashtu kamë qenë në kontakt me Ramadan Avdiu (anëtar i K.D.), pastaj me Halil Selimi (anëtar i K.D.) i cili kishte dalë nga burgu me 1989. Kjo është kronologjia e fillimit të bashkëpunimit më të lartë. Këta janë, ata me të cilët kamë bashkëpunuar, duke llogaritur edhe shumë të tjerë që vepronin gjithandej Kosovës e viseve të saja. Deri sa doli Këshilli Drejtues në Konferencën e Dytë të jashtëzakonshme e cila u mbajt te Mulliri në Prapashticë me 1991, K.D, nuk e kishte rolin si më parë, sepse fyen erëra të reja demokratike dhe ajo që e kishte atë nofkën, ideologjike nuk kishte më kuptim. Organizata nga Mbledhja e Tretë e Përgjithshme filloi të komunikoj me radhët e organizuara të brendshme dhe të jashtme me emërtim të ri, Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Vlen të përmendet, se anëtarët e simpatizuesit e OMLK-së-LPRK-së për çdo gjë që ndodhte në Kosovë dhe viset e saja kanë qenë aty në mënyrë të organizuar. Në vitin 1988 pati demonstrata në Kumanovë e gjetiu, në Maqedoni etj, ngjarje këto të njohura për shumë kë. Pos ngjarjeve të brendshme, këto zhvilloheshin me shpejtësi të madhe edhe në arenën ndërkombëtare, në gjithë vendet e lindjes u lëkundë sistemi komunist, filluan ndryshimet e mëdha. Rrethanat politike ndërkombëtare diktonin që ne duhet të organizoheshim sa më parë. Koha punonte për ne. Me direktivë të Organizatës, dhe në marrëveshje me shokët, në vitin 1988, dy përfaqësues të saj u caktuan që të shkojnë në Ambasadën Shqiptare në Vjenë të Austrisë. Në emër të organizatës në Ambasadën Shqiptare në Vjenë shkuan Orhan Ibrahimi dhe Menderes Zeneli. Takimin e parë e realizuam me Sekretarin e Parë të Ambasadës Ilir Çapon. Pas takimit dhe një pritje vëllazërore shtruam kërkesat tona dhe synimet për ç’ka ishim deleguar. Objekivi ynë kryesorë ishte që shteti Amë të kyçet drejtpërdrejtë, në aftësimin e përgatitjeve ushtarake për njësitet që do ti dërgonim në Shqipëri. Duke e parë rëndësinë dhe peshën e kërkesave tona, sekretari na organizoi një takim të dytë me Ambasadorin Thanas Milo. Vlen të theksohet, se të gjitha këto takime janë të protokolluara në atë kohë, dhe janë në arkivat e Shtetit Shqiptar. Nga ana jonë kërkesat janë drejtuar me shkrim, dhe të nënshkruara nga Menderes Zeneli e Orhan Ibrahimi. Kërkesat i’u janë drejtuar Qeverisë Shqiptare në Tiranë përmes Ambasadës në Vjenë. Edhe pse dëshira jonë dhe e organizatës ishte e madhe për të punuar në këtë drejtim, ne e kuptuam saktësisht pozitën e shtetit shqiptar. Globi ishte i ndarë ne dy blloqe të mëdha, ndërsa Shqipëria nuk bënte pjesë në asnjërin, dhe kishte vështërsi të merrte një aktivitet të këtillë. Me rënien e Paktit të Varshavës, roli i Shqipërisë, karshi çështjes shqiptare të pazgjedhur merr tjetër kahje. Ajo do të vejë të gjitha resurset institucionale në shërbim të kauzës Kombëtare. Kërkesa për trajnim ushtarak u bë realitet. Gati po të njëjtit njerëz që kishin bërë kërkesë, do të trajnohen më 1991 në Shqipëri. Në Grupin e Parë do të bëjnë pjesë: Zahir Pajaziti, Xhevat Qerimi, Bajram Kadriu e shumë të tjerë. Për mua dhe shokët e mi ka qenë nderë dhe fat i madh t`ua jap dorën për rrugë të mbarë dhe kthim të shpejt, ushtarëve të parë të UÇK-së që shkuan më detyra për tu trajnuar në Shqipëri siç ishin: Xhevat Qerimi e Bajram Kadriu por edhe të tjerëve që shkuan bashkë me ta. Në Grupin e dytë: Adem Jashari, Ilaz Kodra, Orhan Ibrahimi më të cilin kishim shkuar në ambasadën shqiptare në Vjenë pikërisht për këtë qëllim, pastaj Xhavit Gubetini etj. Më 1989 u organizua Grevat e Minatorëve, Studentët hynë në sallën 1 Nëntori (atëherë 25 maji). OMLK-LPRK ishin aty, aty ishin edhe antarë e simpatizues të shumtë.

Aty i kam parë që Organizata e kishte tani më pushtetin moral te anëtarët dhe simpatizuesit e vet. Aty kanë qenë Bajram Kadriu (Koci), Fadil Vata, Afrim Zhitia, Hydajete Krasniqi, Irfan Musëmurati, Qemajl Qerimi e Xhevat Qerimi etj. Xhevat Qerimi ishte njëri nga shtyllat kryesor të OMLK-LPRK-së i cili humbi jetën në një aksident të organizuar nga shërbimi sekret serb afër Ramjanit të Vitisë, më 10 janar 1993. Familjarët ishin në dijeni se është duke u përciellur Xhevati nga shërbimi serb, për shkak se ishin në dijeni se kishte qenë për trajnim në Shqipëri dhe ishte burgos gjatë kalimit të Kufirit në Bullgari bashkë me Nazmi Hoxhën e Arif Seferin. Këtu duhet cekur se as Arif Seferi nuk doli i gjallë nga burgu i Shkupit. Për këtë ngjarje ka shkruar edhe Iran Musmurati në “Flakë të Janarit” me 2020. Për veprimtarinë patriotike të Xhevat Qerimit ka nevojë që biografia e tij dhe veprimtaria afatgjate e tij të plotësohet nga intervistat dhe kujtimet e shumta të shumë bashkëveprimtarëve të Xhevat Qerimit. Biografia e Xhevatit del e pa plotë pa kujtimet dhe veprimtarinë e shokëve të grupit të tij si p.sh të Bajram Kadriu nga Papazi i Ferizajt, Irfan Musmurati, Qemajl Qerimi, Menderes Zeneli, e motra, Teuta Qerimi, që studionte mjekësi në atë kohë dhe bashkëvepronte ilegalisht më të vllanë Xhevatin, të cilit në shumë raste i’a mbante lidhjet më shokët e organizatës. Vargu i shokëve të veprimtarisë ilegale shkon gjatë dhe nëse ndokënd e kam harruar i kërkoi falje. Duhet përmendur edhe Fikrije Berishen, Kadishe Berishen dhe vëllain tjetër Nezir Berishën. Më kujtohet si sot, për ngushëllime në familjen e Xhevatit kemi qenë bashk më Faton Mehmetajn, Fetnete Ramosajn, Adnan Asllanin dhe unë Menderes Zeneli. Do kthehemi te Greva e Minatorëve, aty ishte: Azemine Musmurati e cila kishte një disiplinë shumë rigoroze me shokët gjatë bashkëpunumit për çështje organizative, i duhej kujdes i veçantë sepse e kishte në burg të fejuarin e saj Selajdin Abdullahun, dhe duhej të ruhej shumë që të mos binte në sy të pushtetit të atëhershëm. Poashtu në organizimin e asaj kohe merrnin pjesë edhe vëllai tjetër i Azeminës, Isa Musmurati, Menderes Zeneli, Irfan Musmurati, Ramë Vataj, Gani Krasniqi, Shyrëri Bytyçi, Nerxhivane Selimi, Imrane Selimi, Hasibe Selimi, Imer Hasani, Beadin Hasani, Teuta Zymberi, Skënder Hajdari, Fikrije Berisha, Kadishe Berisha i vëllai Nezir Berisha etj. Të gjithë këta kanë luajtur një rol vendimtarë, për ballë pushtetit të kohës. Vlenë të përmendet se studentët kanë dalë nga greva, vetëm kur kanë marrë “garanci se minatorët kanë dalë nga Zgafella”, më konkretisht kur kanë ardh një grup prej minatorëve dhe kanë treguar se greva ka përfunduar. Në rrjedhën organizative të veprimtarisë së palodhshme të pjesëtarëve të këtij grupi duhet përmendur edhe demonstratat e marsit të vitit 1989, kundër syprimimit të Kushtetutës së Kosovës. Gjatë organizimit të këtyre protestave ranë shumë dëshmorë, sepse veç kishin filluar proceset e rezistencës aktive. Në këto organizime që u shtrinë në gjithë Kosovë, si gjithmonë veprimtarët e Lëvizjes ishin aty. Pas demonstratave pat kindapime në stilin e rrëmbimeve, të atyre që kishin qenë nëpër burgje, të cilët u morën prapë në burgje i izoluan që të mos bëhej bujë. Shumë nga këta u dërguan në burgjet e Vranjës e Leskocit, në mesin e tyre dhe Xhemajl Pllana me shumë të tjerë, ndërsa vëllai tjetër Ramadan Pllana doli në ilegalitet. Largimi i Fadil Vatës, Sekretar Organizativ, jashtë Kosovës ,për shkaqe shëndetsore, si dhe vrasja e Afrim Zhitisë bashkë me Fahri Fazliun më 02 nëntor 1989, kishin dëmtuar bukur shumë organizimin e LPRK-së. Edhe përkundër këtyre goditjeve vazhdonte organizimi, me mund të madh e sakrifica, dhe i mbijetoi kohës. Ngjarjet në Kosovë zhilloheshin me shpejtësi marramendëse. Gjatë vitit 1990 pati paknaqësi gati nga të gjitha shtresat e shoqërisë: puntorë, studentë, të papunë e kush jo tjetër, shpërthyen demontrata gjithëandej Kosovës, u vranë mbi 37 veta. Me direktivë të Organizatës, veprimtarët e sajë shpërndanin trakte, komunikata, afishe dhe matriale propagandistike, kjo ishte mënyra e komunikimit me masat e gjëra. Në këtë periudhë nga organet drejtuese të Organizatës u morë një vendim shumë domethënës. Për të gjithë ata që kishin ra dëshmorë tu bëhet një vizitë me qëllim ngushëllimi, dhe informimi, se nuk jeni vetëm, ju keni edhe përkrahës tjerë që i’u mbështesin dhe e ndajnë dhëmbjen më ju. Përmes komunikatave, afisheve, parullave, shkrimeve të ndryshme, fjalimeve mortore, por edhe propagandës dhe organizimeve ilegale u bë thirrje për unitet në mes veti, u bë ftesë për bojkotimin e mallërave të armikut, dhe u muar vendim për faljen e gjaqeve. Letra në emër të LPRK-së, janë lexuar në të gjitha organizimet mortore të të rënëve në këto demonstrata duke filluar nga varrimi i Ylfete Humollit në Lupç të Podujevës e deri në Qyshk të Pejë te Familja Daci. Disa fotografi nga këto ceremoni mortore janë shpallur fotografitë e vitit, nga Agjencia Rojters. Janë të njohur dëshmorët e vitit 1990.

 

Lidhur me këto ngjarje është botuar në “Zërin e Kosovës,, letra që e ka përpiluar Halil Selimi, e ka shkruar me dorë Fadil Mulolli e ka lexuar Menderes Zeneli. Kemi shkuar bashk më; Azem Rexhen, Fadil Mulollin-Luta nga Podujeva, Nexhëmin Halitin dhe Menderes Zenelin nëpër familjet e Dëshmorëve të rënë në atë kohë për t’i ngushëlluar e për tu dhënë kurajo se kurrë nuk do tu lëmë vetëm. Në shkurt të vitit 1991, u mbajt Konferenca e Dytë e Jashtëzakonshme, në Prapashticë të Prishtinës tek vendi i quajtur tek Mulliri i Bajram Prapashticës. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë: Xheladin Gashi, Ilaz Kadolli, Ramadan Pllana, Halil Selimi ,Ramadan Avdiu, Hulusi Beqiri, Irfan Musmurati, Ismet Sylejmani, Raif Çela, Ibish Nezir, Hydajete Krasniqi, Menderes Zeneli, Halit Krasniqi, Beadin Hallaçi e shumë të tjerë. Këshilli Drejtues u zgjodhë prej pesë antarësh: Xhavit Haziri, Halit Krasniqi, Ismet Sylejmani u rizgjodhën Halim Selimi e Ramadan Avdiu. Në fillim të viteve `90 gati në të gjitha shtetet e lindjes fryete një erë demokracie, u lejua sistemi shumë partiak. As shqiptarët nuk mbeten jashtë këtyre ndryshimeve, pavarsishtë, se ku jetonin në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malë të Zi, Preshevë me rrethinë. Për veç partive legale që dolën dhe i shpalosën programet e tyre, shumë të burgosur politik u antarësuan në këto parti. Në këtë kohë LPRK pati disa luhatje dhe drejtuesit e saj lëshuan një Komunikatë për rradhët e mbrendshme që të angazhohen nëpër parti politike të kohës, lidhur me këtë gjendet një kopje në Arkivin e Rrethit. Ndikimi pluralist e kishte bërë të veten, në Mbledhjen e Tretë të Përgjithëshme që u mbajt në tetor të vitit 1991, LPK gati që shndërruar në parti legale ku shumica e pjesëmarrësve veç kishinaderuar në LDK por mbanin kontakte edhe më LPK-në. E gjithë kjo ndodhi me arsyetimin se duhet të kombinohen punët iegale me ato legale. Edhe pse nuk doli ashtu, ky veprim kishte ndodhur. Në një vendim të marrë, në njerën nga mbledhjet e rradhësë të LPK-së, vendimet e Mbledhjesë së Tretë u hodhën poshtë. Si rrjedhojë dolën disa organizata ilegale si: “Fronti i Rrezistencës”, “Organizata Revolucionare Shqipëtare”, “Lëvizëja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës”, por shtylla këryesore e ilegalitetit edhe më tutje mbeti LPK-ja. Tash së voni LPK po vazhdon ta shkruaj historinë e sajë, për mes anëtarëve të vet që janë tubuar rreth Shoqërisë “Lëvizja”. Natën e Vitit të Ri në ndrrimin e motmoteve 1991-1992 kam kaluar në Shqipëri. Kufirin e kamë kaluar në Spase, Dibër e Madhe bashkë me Isuf Bajramin e Sabri Durakun dhe Shuip Daci, Muharrem Markun. Me kalimin e kufirit kam shkuar në Bllatë, Maqellarë, Peshkopi. Në Tiranë kemi shkuar në selin e Partisë Socialiste, atje e takuam Fatos Nanon, Gramoz Ruçin, Servet Pllumbin, Fiqëri Haxhiu, Haxhi Lleshin, Hysni Milloshin, Hysen Feken e Lushënjes ,Nazmi Durakun etj. Në Shqipëri kamë shkuar disa here, kuptohet me punë organizative. Një hetë tjetër në Shqipëri kam shkuar më Shaqir Shaqirin dhe Adnan Asllanin. Pastaj kamë shkuar me Sadik Ademin, Fadil Jetishin dhe Sadik Zenelin. Shtëpia ime në Bukoc shumë kohë ka qenë bazë e veprimtarëve të LPK-së dhe grupeve tjera të ilegalitetit. Aty veprimtarët e LPK-së por edhe të ilegalitetit kanë marrë trakte të ndryshme, komunikata, libra e broshura për nevoja organizative si: “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Buletini”, “Rruga e Lirisë”, “Kushtërimi i Lirisë” etj. Aty kanë ardhur shpesh here, dikush për çështje organizative, dikush për të marrë literaturë, por edhe për veprime tjera organizative këta përsona: Nijazi Aliu, Halim Selimi, Rami Sahiti, Ali Miftari, Hulusi Beqiri, Nazmi Beqiri, Zija Jakupi, Sermet Sylejmani, Orhan Ibrahimi, Hatixhe Bekteshi, Sabrije Bajrami, Remzije Bajrami, Nerxhivane Selimi, Imrane Selimi, Imrane Bajrami, Bashkim Vakësinca, Memeti Kumanovë, Naseri i Sllupçanit, Hajrullah Misini, Beadin Hasani, Ramë Vataj, Bajram Kadriu, Xhevat Qerimi, Qemajl Qerimi, Irfan Musmurati, Fekrije Berisha, Azemine Musmurati, Selajdin Abdullahu, Halil Selimi, Sadik Ademi, Shaqir Shaqiri, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Reshat Avdiu, Sadik Sadiku, Murat e Shyqëri Bytyçi, Faton Mehmetaj, Fetnete Ramosaj, Raif Çela, Avni Klinaku, Hysni Milloshi nga Shqipria, Isuf Bajrami, Petrit Duraku, Gafurr Adili, Enver Aqifi, Nazmi Duraku, Familja e ngushtë e Ramadan Pllanës, familja e ngusht e dëshmorit Kadri Kokollari, djali i Xhevat Bislimit. Pastaj kanë qenë në shtëpinë time por edhe une kamë qenë në shtëpitë e tyre për çështje organizative këta përsona shumica të dëshmuar për veprimtari të gjatë ilegale e atëdhetare si: Nijazi Aliu, Halim Selimi, Rami Sahiti, Ali Miftari.

 

Në Kumanovë kam vepruar më Hulusi Beqirin, Nazmi Beqirin, Zija Jakupin, Orhan Ibrahimin, me Memetin e Kumanovës, me Sermet Sylejmanin, Sadik Demirin, me Bashkimin e Bajramin e Vaksincës, Enver Aqifin, Haxhi Maliqin, Husamedin Halilin, Bashkim Osmanin, Xhemal Jasharin, Emërlla Ukëshinin, Mirvan e Bajrush Xhemajlin. Kam bashkëpunuar nga Kosova më Fadil Jetishin Smirë, Sabri Misinin Drobesh, Bajram Kadriu, Papaz. Në Ferizaj me Xhevat e Qemajl Qerimin nga Pozharani, me Isuf Bjramin nga Gjilani, Fetnete Ramosajn nga Carragreg i Poshtëm i Deçanit, Faton Mehmetaj nga Pozhar i Deçanit, Safete Hadërgjonaj nga Deçani, Smajl Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit, Ramë Vatajn nga Sallagrazhda, Murat e Shyqeri Bytyçin nga Suhareka, Ali Jonuzin nga Vushtërria, Avni Maxhunaj nga Vushzërri, Naseri e Veliu nga Kçiçi i Madh, Raif Çelen nga Mitrovica, Gani Balajn nga Mitrovica, Naser Kuken nga Kaçaniku. Pastaj në Kërçovë kamë pas lidhje organizative më Beqir Limanin, me Tuhin nga Kërçova, emri nuk më kujtohet. Puna dhe veprimtaria më të gjithë këtë plejadë të këtyre veprimtarëve nuk ka qenë e lehtë, disa prej tyre kanë ra në altarin e atdheut. Ka qenë aktivitet i gjatë dhe mjat i vështirë, është dashtë të punohet shumë por edhe është kërkuar kujdes për ti ruajtur shokët. Për të gjithë shokët i kamë vlerësimet më të larta, por humbëja e Xhevat Qerimit në në aksident në janar 1993 dhe vdekja e parakohshme e Fetnete Ramosajt në prill 2019, më ka prekur shumë dhe më shumë vështiri e kamë përballuar humbjen e tyre. Gjërat edhe mund të harrohen, ngase ka kaluar kohë e gjatë, prandaj u kërkoi falje paraprakisht dhe në shkrimet tjera në vijim i plotësojmë së bashku aty ku është përvjedhur ndonjë lëshim. Nga e tëra që u tha më lartë e që u përmendën në këtë rrëfim, shumica prej këtyre veprimtarëve, veprimtarinë e kishin të pashkëputur, shumë prej tyre qenë themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dua ta falënderoj familjen time e cila i priti e përcolli këta burra e burrëresha në ato ditë e vite të vështira të okupimit të egër. Shtëpia ime nuk ishte as 500 metra larg Stacionit të Policisë serbe, ku është edhe sot dhe kurrë në asnjë çast nuk ka ndodhur as më i vogli gabim as provokim sepse kemi qenë vigjilent. Ata i priten i strehuan shokët e idealit dhe materialet e shumta të tyre qe ia dridhen themelet Jugosllavisë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti ta çliron vendin dhe ti dëbon forcat okupuese serbe përgjithmonë nga Kosova. Një falënderim të veçantë e kamë për Fetnete Ramosajn që vinte kohë pas kohe në Preshevë e ngarkuar më detyra organizative. Fetneti ka merita të mëdha në skemën organizative të ilegalitetit, të bashkimit të grupeve, të unitetit e sukseseve në punë.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …