Rasti Arlinda Zekaj: KGJK-ja arsyeton vonesat gjyqësore, Bislimaj thotë se viktima nuk mbeti pa mbrojtje

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Besnik Bislimaj, ka deklaruar se Arlinda Zekaj ka qenë vazhdimisht e mbrojtur me vendim gjyqësor, pavarësisht vonesave në procedurën gjyqësore. Ai ka arsyetuar dështimin e seancës së 5 tetorit me mosdorëzimin me kohë të raportit nga Qendra për Punë Sociale. Duke folur për këtë rast, Bislimaj ka pranuar se afati shtatëditor ishte tejkaluar, por ka thënë se gjyqtari nuk ka pasur mundësi ta mbajë seancën pa raportin përkatës. Sipas tij, seanca e parë ishte mbajtur më 24 shtator, ndërsa në vijim ishte paraqitur nevoja për plotësimin e shkresave të lëndës. “Seanca e 5 tetorit ka dështuar për shkak se QPS-ja nuk e ka dorëzuar raportin me kohë dhe, për këtë arsye, ka pasur vonesë”, ka deklaruar Bislimaj. Ai ka pretenduar gjithashtu se në shkresat e shqyrtuara nuk ishte evidentuar kërkesë për urdhër emergjent mbrojtës edhe ndaj fëmijës, por kërkesë për ruajtje dhe besim. “Në asnjë moment viktima nuk ka qenë pa mbrojtje gjyqësore”, ka theksuar ai. Megjithatë, arsyetimi i KGJK-së për vonesat dhe dështimin e seancës nuk e zhbën nevojën për sqarimin e plotë të përgjegjësive institucionale. Në një rast me pasoja kaq të rënda, mbetet thelbësore të sqarohet nëse procedurat e mbrojtjes janë zbatuar me kohë dhe nëse çdo institucion i përfshirë i ka përmbushur detyrimet e veta.

Kontrolloni gjithashtu

PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës: Vrasja e Arlinda Zekajt nuk mund të mbetet pa përgjegjësi politike

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, …