leoni

Mësimdhënësit që pensionohen do të marrin nga tri paga shtesë nga Komuna e Skenderajt

Nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura ka takuar një grup mësimdhënësish pensionistë të Komunës së Skenderajt dhe udhëheqësit e sindikatës së punëtorëve të arsimit në Skenderaj. Qëllimi i takimit ishte informimi i mësimdhënësve pensionistë për fillimin e realizimit të marrjes së tri pagave shtesë pas pensionimit të tyre. Në hapje të takimit z. Nura i ka falënderuar mësimdhënësit për kontributin e tyre shumëvjeçarë në arsimimin dhe edukimin e brezave të shumtë. Ai po ashtu ka shprehur respektin e tij personal për secilin mësimdhënës dhe për punën e tyre të vazhdueshme në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës, duke theksuar obligimet që kanë institucionet për kujdesin ndaj tyre. Më këtë rast z. Nura i ka siguruar mësimdhënësit se Komuna e Skenderajt nga të hyrat vetanake ka siguruar mjetet financiare për fillimin e realizimit të pjesës së Kontratës Kolektive ku parashihet dhënia e tri pagave shtesë për secilin mësimdhënës që pensionohet. Ramiz Polaci, Kryetar i Sindikatës së Arsimit në Skenderaj e ka falënderuar Nënkryetarin Nura për qasjen e tij shumë pozitive në raport me trajtimin që i ka bërë në vazhdimësi kësaj problematike, e cila sot po zgjidhet. Z. Polaci tha se te Nënkryetari Nura ka gjetur mirëkuptim sa herë që e ka diskutuar realizimin e pjesëve të Kontratës Kolektive, duke shprehur respektin e tij të veçantë. Mësimdhënësit tashmë të pensionuar, pjesëmarrës në takim, u shprehën shumë të kënaqur më veprimin e ndërmarrë nga Nënkryetari Nura, duke theksuar se veprime të tilla janë dëshmi se institucionet lokale të Skenderajt çmojnë punën e mësimdhënësve dhe kontributin e tyre ndër dekada. Në bazë të Kontratës kolektive, të nënshkruar në mes Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit, komunat kanë për obligim pagesën e tri pagave shtesë për secilin mësimdhënës që pensionohet. Komuna e Skenderajt tashmë ka filluar realizimin e kësaj përgjegjësie dhe është ndër komunat e para në Kosovë që po nis realizimin e obligimeve që dalin nga Kontratës Kolektive.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …