Ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç ka deklaruar se në dialogun Kosovë – Serbi, duhet të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë intervistës për “Kosovapress” ai ka theksuar se gjatë luftrave në Jugosllavi, është pa se Evropa është e pafuqishme prandaj është e domosdoshme përfshirja e Uashingtonit. “Është parë gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë se Evropa nuk kishte fuqi për të bërë ndonjë gjë në mënyrë që të vie deri tek paqja e vërtetë. Evropa sot nuk ka lider, Evropa është shkurtabiq në politikë në raport me Amerikën. Andaj, duhet që të angazhohet Amerika, sikurse është angazhuar për paqe në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu do të angazhohet edhe në Kosovë” ka porositur ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç. Duke komentuar armatosjen e vazhdueshme të Serbisë dhe disa zëra krekosës atje, ai ka theksuar se Serbia nuk mund më të jetë kërcënim. “Është e qartë se disa njerëz në Serbi jetojnë në iluzion se janë më të fortët në këto hapësira dhe se mund të diktojnë politikën por ata nuk mund të diktojnë asgjë”.
