Miftar Mehani: Krenar me ty Ferid Curri (10.10.1974-15.4.1999)

Miftar Mehani: Krenar me ty Ferid Curri (10.10.1974-15.4.1999)

Secili përvjetor i rënies së dëshmorëve është një lloj sfide për ne që gëzojmë frytet e luftës së tyre. Me dashje ose pa të, shikojmë arritjet tona drejt prosperitetit të vendit. Sa më shumë ta ndërtojmë atë, sa më shumë zhvillim të demokracisë e sa më shumë zgjedhje të udhëheqjeve me votën e lire, aq më shumë rritemi dhe bëjmë përpara dhe, njëkohësisht, e paradoksalisht, ndjehemi më të vegjël. Jemi të tillë gjithherë përballë burrave të lirisë-siç i quan rapsodi-jemi të tillë kur ndodhemi përballë bëmave të trimave e të të mençurve që na e ndryshuan rrjedhën e jetesës. E,.. e bënë këtë ndryshim, duke i dal përballë të keqes me mençuri e me trimëri.

Serbia, së cilës iu kundërvunë trimat tanë, Kosovës po i sillej vërdallë gjatë një shekulli dhe vetëm sa po ndërronte formën e veprimit, dhe asnjëherë nuk pushoi së lënduari qenien tonë kombëtare e njerëzore. Baballarët tanë dhe baballarët e baballarëve tanë, sa e sa herë na e kishin thënë se kjo e keqe që na kishte rënë hise është në gjendje vetë të viktimizohej në format më të paimagjinueshme, t’ia amputojë vetes pjesë të ndryshme të trupit e të ngjashme  që zor e kapë mendja njerëzore. Baballarët tanë dhe baballarët e baballarëve tanë na thonin se këta janë në gjendje edhe të mbysin fëmijë të vetë, vetëm të përshfaqeshin në rolin e viktimës dhe ta sigurojnë pushtetin mbi atë që nuk u takon, e ne, krejt këtë, po e merrnim si një figuracion të zmadhuar për rrezikun. Tani, krejt, vonë, i pranuar nga ata vetë, rasti i quajtur panda, në Pejë na hoqi metaforën dhe na dëshmuan se baballarët tanë  as merreshin me figuracione as ia kishin inat. Serbia për ne qe një e keqe.

Përballë saj, asnjëherë nuk munguan korifenjtë për ta udhëhequr trungun shqiptar si Haxhi Zeka, Hasan Prishtina e Shaban Polluzha me tjerë por, pa arritur të kalojnë përtej mbijetesës.

Asnjëherë nuk munguan trimat që do t’i dilnin përballë kësaj të keqe-serbi, si Isë Boletini e Azem Galica, Zahir Pajaziti e Luan Haradinaj, Agim Ramadani e Bekim Berisha, … e shumë, e shumë të tjerë që lanë nam e emër në mbamendjen tonë.

Në një të tillë ambient liridashës, ku trimat ishin më të kërkuarit, ishte lindur, rritur dhe edukuar djaloshi simpatik nga Mazgiti. E kishte përjetuar me qenien e vetë çizmen e pushtuesit gjatë demonstratave, fillimisht si nxënës e më pas edhe si student, dhe  shpejt ishte bindur se pse po i duhej të ecte rrugës së babait të tij dhe babait të babait të tij. E kishte krejt të qartë, si gjithë rinia tjetër shqiptare e Kosovës: Serbia po vazhdonte të ishte një e keqe së cilës duhej ndal hovi. Nuk kishin mjaftuar 3380 të burgosurit pas demonstratave të 81-ës, nuk kishin mjaftuar as vrasjet e 183 qytetarëve dhe 63 ushtarëve shqiptarë gjatë periudhës 81-90, por do te ndodhnin edhe masakrimi i popullatës si në familjet Deliu,  Ahmeti e më pas edhe Jashari që të dilte sheshazi, para gjithë botës, tendenca e pushtetit për shfarosje të një populli të tërë. Kur ishte mbushur kupa, me këto akte çnjerëzore të ekzekutuara nga kjo e keqe, marshit të ushtrisë së Adem Jasharit nuk po i shihej fundi. Legjenda po ikte nga kjo botë pa e parë se i kishte ndërruar kahjen rrjedhjes së historisë së kësaj treve. Këtij marshi, që si rrëke bjeshke, po mbushej në rrugëtim e sipër nga rinia jona, do t’i bashkohej edhe dëshmor Feridi në vitin 1998.  Djaloshi i ri, plot elan e dëshirë për jetën, me një konstrukt prej sportisti, kishte vendosur me kohë t’i bashkohej njësitit që kishin ndërtuar dajat e tij në Graboc, dhe vetëm po priste lejen nga ta. Nënë Halimes, iu kishte përgjigjur shkurt e shqip se po shkonte t’i bashkëngjitej atyre të tjerëve që poashtu kishin prindër, motra e vëllezër, e kishin dalë malit. Babë Esati, bashkë me udhëembaren, po i bashkangjitte edhe të tjerë bij; Petriti do e ndiqte këmba-këmbës dëshmorin, motra Mirishahja me ditë e me javë do të gatuante bukën për ushtarët, ndërsa Mexhidi me bërthamën e ushtarëve të Mazgitit; Enverin, Nazmiun, Avniun, e 10-tra të tjerë do t’i bashkëngjiteshin fronteve të zonave tjera ku zhvilloheshin luftime me të keqen Serbi. Esat Curri, kështu, veç po e përfillte atë vazhdimësinë e babait të tij dhe babait të babait të tij: përballjen me po atë që Serbi e Parë- i thoshin, dje e Serbi moderne-sot, e gjithnjë, keqe se e keqe.

Togu i Grabocit, ku dëshmor Feridi i kishte kthyer pushkën armikut, tashmë kishte bërë një përvojë të mirë në luftimet. Ishte pozicionuar brigjeve të lumit Drenica dhe ishte pika strategjike me të cilën kontrollohej lugina e lumit dhe ajo rrugë që për kohë të gjatë kishte shërbyer për furnizim të zonave të rajonit të Drenicës, të cilat ishin që më herët në luftime të drejtpërdrejta me forcat serbe. Po këtu, te shkëmbi, në anën tjetër të lumit – përballë, te i quajturi “kërshi” kishte gjetur si pikë të rëndësishme strategjia e armikut. Ky pozicionim, i gjendjes ballëpërballë të forcave luftuese, ishte determinues edhe i dinamikës së shkëmbimit të përditshëm të gjuajtjeve, sado në disproporcion të madh në pajisje dhe armatim. Atë avancim në armatimi që posedonin forcat armike, ushtarët e komandant Dinit e kompenzonin me aksione të shumta e të suksesshme. Jo vetëm kishte kohë që kishin pamundësuar kalimin e forcave armike drejt luginës, por nga istikamet dhe pozicionimet që kishin ndërtuar sipas udhëzimeve të Fehmi Lladrovcit, emrin e të cilit do ta mbaj Brigada 114, pas rënies së tij, ata ishin në gjendje të kontrollonin çdo lëvizje të serbëve, dhe së këndejmi të zbrapsnin çdo tentativë të tyre për ta shtjer në dorë luginën. Vetëm pak më tutje, këtij ballafaqimi rezistues do t’i bashkëngjitet togu tjetër i Grabocit i udhëhequr nga Fehmi Mjeku. Se po kontrollohej nga forcat çlirimtare ajo pjesë, më së miri tregon fakti se çdo përpjekje e ushtrisë serbe për të pushtuar luginën e lumit përfundonte në tentativë. I vetmi moral e forcë që po i mbante serbët e uniformuar, qe ai i avantazhit në mjete luftarake për luftë në distancë, kështu që bëheshin meta të cilat me zor arriheshin nga armët e dorës që posedonin bashkëluftëtarët e Ferid Currit e të Faik Mjekut.

Ferid Curri për kohë të gjatë do të mbahej për krah Komandant Dinit. Kjo afërsi e krijuar mes tyre, po i shoqëronte në të gjitha drejtimet që operonin. Pas përfundimit të ushtrimeve në Krumë, Feridi i shkathët në përdorimin e armëve, ishte bërë përcjellësi i natyrshëm i komandantit dhe së këndejmi edhe i shumicës së aksioneve të togut. Ato, aksionet, ndërtoheshin si rezultat i strategjisë në përballje me një armik disaherë më të avancuar në armatim. Poashtu, vlerësohej mirë koha kur duhej operuar dhe rrethanat tjera. Por, kishte edhe momente kur aksioni duhej të zhvillohej me planifikim të përshpejtuar, ndonjëherë kur pala kundërshtare bënte ndonjë provokim, natyrisht që togu do t’i përgjigjej. Aksioneve të tilla u printe vetë komandanti i djemve, të cilët nuk pritnin tu thoshte emrat e atyre që do të futen në aksion, ishin më të shkathëtit.

Çdonjëri  që  do të  studiojë me vëmendje këto aksione do të gjej aty edhe elemente strategjike të Sun Tzus nga “Arti i luftës”, edhe motive për filma luftarak, edhe dëshmi për sakrificën e çlirimtarëve.

Zhvillimet që mori lufta në pranverën e vitit 99, kishte çorientuar në tërësi pushtuesin i cili po e shihte humbjen për ditë me diell. I kishte mbetur vetëm edhe aq kohë sa të shfrynte inatin; mbi çdo gjë që fliste shqip dhe mbi çdo gjë që ishte pronë e shqiptarit. Armatimin që kishte pozicionuar, po e zbrazte pa asnjë masë se nuk donte ta kishte barrë gjatë kthimit nga kishin ardhur. Një zbrazje e tillë e predhave të së keqes serbi ndodhi edhe në datën e kobshme të 14 prillit. Njëra prej tyre do të zbrazej fare pranë Feridit Currit dhe Fidami Berishës. Të dy luftëtarët do të pësonin plagë me të cilat do të skuqnin istikamet e Grabocit. Doktor Ridvani edhe me 43 doktorë tjerë do ta kishte vështirë t’i administronte 43 plagët që ia ia kishte  numëruar në trup, ndërkohë që atij po i thoshte se do t’ia shëronte të gjitha, përfshirë edhe atë të gishtave të dorës ashtu që ai prapë do të  ishte në gjendje të shtinte kundër armikut.

Të gjithë kishin kthyer sytë nga doktori dhe po prisnin kthimin e djaloshit të mbushur me jetë, kthimin e sportistit në mesin e shokëve e kthimin e nipit në mesin e dajave. E priste edhe vëllau Petriti, që e kishte harruar plagën e vetë, të cilën e kishte marrë po atë ditë.

Ai, që sa e sa herë u kishte dhënë jetë ambienteve të ushtrisë në ndeja e në beteja, tani po përpëlitej vetë me jetën.

Pa u zdritur mirë dita e nesërme, kishin filluar përgatitjet-sado që pa një përvojë të tillë, dhe pa e ditur ç’do të sillte rrjedha e ditës së nesërme-dëshmori do të varrosej me dinjitet. Në po atë varr ku qe bërë për dëshmorin, sot pushon trupi i luftëtarit të lirisë Abedin Sogojevës. Në fillimet e luftës, ishte Feridi ai që po e ndiqte komandantin, në fillimin e lirisë, është komandanti ai që po shkonte në shoqërim të ushtarit të tij-dëshmor.

Lirinë e Kosovës po e shihnin të gjithë në rruzullin tokësor. Po e shihnin e po e pritnin, më në fund, edhe ata që me kohë kishin qenë shkaktarë të padrejtë të ndarjes së një kombi dhe vuajtjeve njëshekullore të shqiptarëve. Evropa dhe Amerika ishin rreshtuar në atë që gjeneral Kudusi Lama, në veprën  “Kosova dhe Ushtria Çlirimtare” e quan thirrje për të ndrequr diçka nga ajo që kishte prishur me kohë”. Edhe tani kishim nevojë për ndihmë ndërkombëtare, mirë që më në fund ndodhi.

Këta përvjetor dhe aktet vetëmohuese të njerëzve tanë në kohë robërie, do të duhej të na shërbenin si udhërrëfim për konsolidim dhe përkushtim për ta quar vendin drejt zhvillimit dhe drejt bashkimit. Feridi Curri, Abdulla Qerkezi, Agron Rama, Hasan Hasani,Mustafë Kastrati, me dëshmorët tjerë të Obiliqit dhe shumë dëshmorë tjerë të Kosovës, kishin veç një rrugë me të cilën do të dëshmonin atdhedashurinë, ndërkohë që ne, sot, kemi njëqind e një forma për ta shprehur atë dhe ta qojmë para zhvillimin e vendit dhe njëkohësisht, kështu, ta qojmë në vend amanetin e atyre që u vranë për këtë dhĕ.

Të tjerët rreth nesh e duan fuqinë tonë të shpërndarë në individë, e ne ajo fuqi na duhet e koncentruar dhe e institucionalizuar. Historikisht na ka hije të jemi përkrah të tjerëve, domosdoshmërisht duhet të barazohemi me të tjerët për rreth.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ferid Currin dhe të gjithë ata që dhanë jetën për këtë dhĕ!

Lavdi dëshmorëve të lirisë!

Prill 2014, Obiliq

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …