Miku zviceran Willy Knecht me përmbledhje dëshmish të krimeve të luftës në Kaçanik

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, priti në zyrën e tij bashkëveprimtarin Nezir Loku, i cili i dorëzoi Kryetarit një përmbledhje dëshmish të krimeve të luftës në Kaçanik të realizuar nga Miku zviceran Willy Knecht. Me këtë rast Kryetari Ilazi, falënderoi mikun zviceran për kontributin e tij dhënë në Komunën e Kaçanikut, që njëkohësisht ka luajtur një rol sensibilizues, duke ngritur vetëdijen e botës perëndimore lidhur me gjenocidin serb në Kosovë. Kryetari Ilazi tha se një përmbledhje e tillë me dëshmi dhe fakte, do të jetë një argument dhe material i fortë që do të shërbejë për të dëshmuar krimet serbe të bëra gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kryetari Ilazi po ashtu tha se Patologu Knecht ka dhënë një kontribut të madh edhe në aktivitetet bamirëse në Komunën e Kaçanikut. Nga ana tjetër bashkëveprimtari kaçanikas Nezir Loku, çmoi lartë kontributin e patologut zviceran, ndërsa shtoi se ai posedon edhe një numër dëshmish si artikuj e shkrime të ndryshme nëpër gazeta e reportazhe, që kanë të bëjnë me krimet serbe. Patologu zviceran Knecht kishte ndihmuar në identifikimin e viktimave të masakrës së Kotlinës dhe viktimave të Kaçanikut. Nga ajo kohë ai është lidhur me Komunën e Kaçanikut dhe nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet e tij, ndihmuar nga bashkëveprimtari Nezir Loku. Para dy viteve patologu Knecht kishte financuar nxehjet qendrore në Shkollën Fillore në Kotlinë dhe Shtrazë, ndërsa përkrahë me të holla fëmijët bonjak të Kotlinës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …