Ministri Bajram Hasani përuroi Zonën Ekonomike në Budrigë të Vitisë

Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bajram Hasani, së bashku me kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti përuruan fillimin e punimeve të Zonës Ekonomike në Budrigë të Vitisë. Në fjalimin përurues, ministri Bajram Hasani, u shpreh se kjo Zonë Ekonomike është shumë e rëndësishme për bizneset e Anamoravës dhe për Vitinë. “Sot së bashku me kryetarin e komunës kemi dalë për ta përuruar këtë zonë ekonomike që besojmë është shumë e rëndësishme për Anamoravën, e për Vitinë në përgjithësi. Për shkak se është si zonë mes Gjilanit dhe Vitisë do të thotë mund ta shfrytëzojnë të gjitha bizneset që operojnë. Besojmë se kjo Qeveri e ka ndarë mendjen në fuqizimin e bizneseve dhe në fuqizimin e prodhimeve, këtë e dëshmonë edhe vendimi i kaluar që kemi marrë për heqjen e të gjitha taksave dhe barrierave të të gjitha linjave të prodhimit, lëndës së parë dhe gjysmë produkteve. Kështu që ne do të vazhdojmë me fuqizimin e të gjitha zonave ekonomike që janë në procedurë, por sidomos kësaj zone do t’i japim prioritet dhe besojmë se në afatin sa më të shkurtër do t’i përmbyllim punimet”, theksoi ministri Hasani. Ministri Hasani, potencoi se kjo zonë është një inkurajim për bizneset e Anamoravës që të investojnë pasi qe nga tani e kanë një dorë të fuqishme të shtetit që do t’i përkrahë dhe do të jetë pranë tyre. Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se këtë Zonë Ekonomike e kanë dashur që shumë kohë dhe se kjo zonë do t’i shërbejë jo vetëm Vitisë, por tërë regjionit. Më pas, ministri Hasani ka vizituar disa biznese në këtë komunë, si: fabrikën e stiroporit dhe rrjetave fasaduese “Euro Fisi” në Budrigë; fabrikën e prodhimit të stiroporit “DakaTherm” në Pozharan; si dhe fabrikën e metaleve elektrike “Elektro Stublla” në Stubëll.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …