MINISTRI BYTYQI VIZITOI DY SHKOLLA NË ROGOVË TË GJAKOVËS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në kuadër të vizitave të planifikuara nëpër shkollat e Kosovës për të biseduar me mësimdhënës, vizitoi shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Haxhi Hoti” dhe gjimnazin “Asllan Berisha” në Rogovë të Gjakovës, për të parë nga afër kushtet për zhvillimin e mësimit. Gjatë vizitës në shkollën “Haxhi Hoti”, ministri Bytyqi fillimisht ka bërë homazhe para bustit të dëshmorit, emrin e të cilit e bartë kjo shkollë, ndërsa duke bashkëbiseduar me stafin e kësaj shkolle ka theksuar se, si ministër i Arsimit e sheh të nevojshëm një nivel tjetër të bashkëpunimit në funksion të rezultateve sa më të mira në arsim. “Nuk mund të diskutojmë për cilësi më të mirë në shkolla nëse nuk i vizitojmë ato për të parë kushtet e punës dhe për të biseduar me ju, të nderuar mësimdhënës. Bashkë me stafin tim jemi duke punuar që të bëhet maksimumi për të krijuar një frymë tjetër të mësimdhënies, një bashkëpunim të gjithanshëm përfshirë edhe nivelin lokal”, është shprehur Ministri. Ministri Bytyqi, po ashtu, ka uruar mësimdhënësit për përmbylljen e vitit shkollor 2017/2018, duke shpresuar që ky vit të ketë qenë i suksesshëm për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Ndër të tjera, ministri Bytyqi porositi mësimdhënësit që të jenë sa më të përkushtuar në punën e tyre, në mënyrë që nxënësit tanë të përfitojnë shkathtësi praktike dhe të zhvillojnë të menduarit kritik dhe logjik. Ministri Bytyqi po ashtu tha se, nuk mund të arrihet zhvillimi ekonomik i vendit, nëse nuk e kemi një sistem të zhvilluar arsimor, i cili do të përgatiste të rinjtë tanë që të jenë qytetarë të përgjegjshëm. Në vazhdim, ministri Bytyqi vizitoi gjimnazin “Asllan Berisha”, ku po ashtu bisedoi me udhëheqësit e shkollës dhe mësimdhënësit për mënyrën se si të arrihet që të gjithë së bashku të ofrojmë një arsim sa më cilësor për të rinjtë tanë. Ministri theksoi se duhet të ndjekim trendet bashkëkohore të mësimdhënies dhe të ndryshojmë qasjen për arritjen e cilësisë në arsim. Ndër të tjera, ministri Bytyqi tha se duhet t’i ndihmojmë nxënësit në orientimin në karrierë, por pa ua imponuar, pasi që kemi shumë të diplomuar, por që janë të papunë, e në anën tjetër kemi mungesë të kuadrove në disa profile. Përgjegjësit e dy shkollave dhe mësimdhënësit u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Bytyqi, pasi që theksuan se për herë të parë një ministër i Arsimit viziton këto shkolla në Rogovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …