Ministri Gashi cakton vlerat financiare të pikëve për sportet kolektive dhe individuale, për trajnerë dhe sportistë

Në vazhdën e konkretizimit të legjislacionit për sportin dhe financimin e federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar dy vendime. Me njërin vendim caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet Kolektive dhe Individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D. Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3250 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 1650 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1500 euro, për grupin C vlera e pikës është 1100 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro. Ndërkaq, me vendimin tjetër caktohet vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Për sportistët vlera e pikës është në shumë 120 euro po aq sa është edhe për trajnerët. Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë. Ministri Gashi u shpreh se vendimet që ka nënshkruar për caktimin e vlerave financiare mund të konsiderohen si një lloj formule se si do të përkrahen federatat e sportit në vendin tonë. “Me vendimet e nënshkruara është vënë baza se si dhe sa do të financohen nga shteti federatat e sportit në Republikën e Kosovës. Konsideroj se kategorizimi dhe përcaktimi i vlerës financiare për poentimin e një pike, do të jenë motivim që federatat të punojnë edhe më shumë në zhvillimin e garave, të fokusohen në rritjen e cilësisë dhe në masivizim”, ka thënë ndër të tjera ministri.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …