Ministri, Lutfi Zharku, përuroi katër projekte infrastrukturore në komunën e Ferizajt e Shtimes

          Sot ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, bashkë me zëvendësministrin Fehmi Mujota, me kryetarin e komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa dhe atë të Shtimes Naim Ismajli, përuroi katër projekte infrastrukturore në rajonin e këtyre komunave: rrugën nacionale Ferizaj-Shtime, nënkalimin për këmbësorë në fshatin Koshare, fazën e dytë të transitit të Shtimes dhe rrugët “Dëshmorët e Reçakut” e “Skender Salihu” me segmente në Shtime. Në fjalën përuruese ministri Zharku foli për këto projekte dhe për rëndësinë e tyre për këtë pjesë të vendit, duke i cilësuar ato si jashtëzakonisht të rëndësishme. “Me këtë rast mund t’i konfirmoj edhe investimet për vitin e ardhshëm, si për komunën e Ferizajt, ashtu edhe për komunën e Shtimes”, – tha ministri Zharku në vazhdim të fjalës së tij. – “Në komunën e Ferizajt do t’i kemi 7 projekte, në vlerë të përgjithshme prej afër 6 milionë eurosh, kurse në komunën e Shtimes do të vazhdojmë me ndërtimin e Transitit, një faze të të cilit do ta inaugurojmë sot, por që do të vazhdojë deri në Carralevë. Pra, përkrahja do të vazhdojë me investime në përputhje me programin e Qeverisë për ngritjen e infrastrukturës, me qëllim ndihmën për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një ambienti sa më të mirë për biznese dhe për jetën e qytetarëve”, – tha ministri Lutfi Zharku.

 

Edhe zëvendësministri Fehmi Mujota foli për përkrahjen e Qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore jo vetëm në këtë rajon, por në tërë vendin, ndërsa të dy kryetarët e komunave, Sfarqa dhe Ismajli folën për projektet që janë realizuar dhe për nevojën e vazhdimit të investimeve në komunat që drejtojnë.

Për ndërtimin e objekteve të infrastrukturës rrugore, që u përuruan sot, janë investuar rreth 3 milionë euro.

Pas përurimit, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizitoi edhe disa projekte, punët në realizimin e të cilave janë në vazhdim e sipër.

Kontrolloni gjithashtu

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë në fshatin Berishë, e vizitoi, një delegacion i Zvicrës nga komuna Meyrin e Gjenevës

Sot, në Shtëpinë-Muze të Radios Kosova e Lirë,  në fshatin Berishë, qëndroi  për një vizitë, …