Ministrja Hoxha: Qeveria norvegjeze përkrah Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Ministrja Hoxha: Qeveria norvegjeze përkrah Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dhe ambasadori i Norvegjisë, Per Strand Sjaastad, kanë nënshkruar sot projektin përkrahës për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Me këtë rast ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, ka theksuar rëndësinë e procesit integrues si dhe zbatimin e MSA-së, proces ky tejet i rëndësishëm që bën përafrimin e Kosovës me BE-në. Diplomati norvegjez ka ofruar përkrahje të mëtejme për këtë proces, duke besuar se Kosova është brenda agjendave integruese si dhe vlerave të këtij integrimi. Ndërkohë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se siç ka treguar përvoja e të tjerëve, procesi i integrimit evropian është kompleks dhe kërkon reforma thelbësore. “Kapacitetet njerëzore luajnë një rol vendimtar në të. Për këtë qëllim, ne kemi identifikuar një numër fushash prioritare për të ndërtuar kapacitetet tona për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe avancimin në procesin e pranimit”, ka theksuar ajo.

Ministrja Hoxha ka falënderuar Qeverinë e Norvegjisë dhe stafin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane  për kontributin e tyre në zhvillimin e këtij projekti. Ajo ka treguar se projekti zgjat tri vjet nga viti  2019 deri në vitin  2021, ndërsa buxheti i planifikuar është rreth 1.4 milion euro. “Qëllimi i projektit është mbështetja e administratës publike të Kosovës në zbatimin e MSA-së dhe përgatitjen e institucioneve publike për anëtarësim në BE në kapitujt e sipërpërmendur të acquis-së”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se objektivat e projektit janë forcimi i kapaciteteve institucionale në fushat e acquis-së si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për përafrimin e legjislacionit në fushat e acquis-së. “9 kapituj të acquis-së (legjislacioni i BE-së) për zbatimin e MSA-së, si Kapitulli 4, Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 9, Shërbimet financiare, Kapitulli 10, Shoqëria e informacionit dhe mediat, Kapitulli 15, Energjia, Kapitulli 18, Statistikat, Kapitulli 19, Politikat sociale dhe punësimi, Kapitulli 27, Mjedisi, Kapitulli 28, Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik si dhe Kapitulli 32, Kontrolli financiar”, ka treguar ajo. Përfitues të këtij projekti janë Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Financave, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …