Miratohet Strategjia Sektoriale dhe Plani i Veprimit i MPMS-së 2018-2022

Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratua Strategjia Sektoriale dhe Plani i Veprimit i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale 2018-2022. Ministri i MPMS-së, Skender Reçica theksoi se Strategjia Sektoriale ka për qëllim përmirësimin e politikave të shërbimeve publike në fushën e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve dhe synon të udhëzojë dhe koordinojë veprimet për arritjen e objektivave zhvillimore të parapara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e që kanë të bëjnë me uljen e nivelit të papunësisë me fokus tek të rinjtë dhe gratë, ngritjen e aftësive profesionale të fuqisë punëtore, si dhe fusha tjera të rëndësishme. Ai më tej theksoi se, për ta realizuar vizionin e kësaj strategjie, janë paraparë katër objektiva si: ulja e inaktivitetit, nëpërmjet rritjes së punësimit dhe zhvillimit të kapaciteteve në përputhje me nevojat e tregut të punës; përmirësimi i kushteve të punës dhe zvogëlimi i informalitetit, përmes fuqizimit të mbikëqyrjes dhe forcimit të dialogut social; rritja e mirëqenies sociale, përmes zgjerimit dhe ngritjes së cilësisë së mbrojtjes dhe shërbimeve sociale e familjare; si dhe realizimi i të drejtave në përfitime për pensionistët, përmes zhvillimit të sistemit të qëndrueshëm pensional, harmonizimit të kornizës ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale njerëzore e teknologjike. Kjo strategji është pjesë përbërëse e dokumenteve strategjike të Republikës së Kosovës dhe bazohet edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, gjithashtu edhe në masat e parapara në Agjendën për Reforma Evropiane, Programin e Reformave Ekonomike, Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 dhe në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. MPMS, me miratimin e Strategjisë Sektoriale ka përmbushur edhe një aktivitet, të paraparë në Agjendën për Reforma Evropiane dhe Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe gjithashtu përbën një dokument strategjik, i cili jep udhëzime të qarta për politikat e punësimit dhe mirëqenies në drejtim të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …