Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 - 16.4.1999)

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 – 16.4.1999)

Salih Gashi nga Buzëllapi (ish – Dobërdoli) i Llapit ishte i martuar me Sabile Zekën nga Pakashtica e lagjës Parduzi.

Ata patën dhjetë fëmijë, shtatë djem e tri vajza: Xhemshiti, Besimi, Behardi, Jetoni, Dritoni, Ibrahimi, Mirsadi, Ilmija, Lumturija dhe Shemsija. Dëshmori i kombit, Mirsad Gashi ishte fëmija më i vogël i tyre.

Katër nga këta vëllezër ishin të kyçur në radhët UÇK -së, dy vëllezër të tjerë ishin jashtë vendit në punë të përkohshme në perëndim, kurse vëllai i madh, përpos kujdesit për familjen ndihmonte bashkëfshatarët e tij.

Mirsad Gashi lindi më l shkurt 1980 në një familje me traditë të shquar të atdhetarisë, në fshatin Buzëllap (ish – Dobërdol) të Besianës.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Pas kryerjes së shkollës fillore, Mirsadi, punësohet në një fabrikë private të pijeve në fshatin e tij. Edhe pse vetëm me shkollim fillor, ai u ngrit në një nivel të lartë sa i përket të kuptuarit e çështjes kombëtare, gjithnjë duke biseduar dhe bashkëpunuar me të rinjtë më përparimtarë të fshatit dhe qysh herët e kupton se çlirimi i Kosovës nuk ka rrugë tjetër, përpos me forcën e drejtësisë së armës.

Babai i tij, Salihu, gjatë shërbimit ushtarak, ishte fyer në baza nacionale nga një kapiten i ushtrisë jugosllave, së cilës i kundërpërgjigjet me forcë fizike. Për këtë arsye ai dënohet me një vit e gjysmë burg, të cilin e vuan në burgun famëkeq të Nishit. Ngjashëm, Salihut i ndodhi edhe në Prishtinë, me rastin e një vizite të një delegacioni nga Beogradi në organizatën ku punonte ai, ku qëndrimi i hapur antishqiptar i një anëtari të këtij delegacioni e shtyri Salihun ta sulmojë atë, për të cilin rast do të dënohet me një vit burg. Mirsadi, edhe pse ishte më i riu nga vëllezërit e tij, ishte rritur e burrëruar para kohe, me një dinjitet me virtyte e sidomos me afsh të pashuar atdhedashurie.

Me daljen e UÇK-së në skenë në trevën e Llapit, ai shkon në Shalë të Bajgores, ku i kreu ushtrimet me sukses. Andaj kur erdhi koha që ky të radhitej në njësitet e UÇK-së, këtë e bëri me shumë vullnet dhe me vetëdije të plotë se po e rrokte pushkën për çlirimin e Kosovës nga barbari serb.

Pas mbarimit të ushtrimeve mori pjesë në Betejën e njohur të Kaqanollit që u zhvillua me 15, 16 dhe 17 shtator 1998, ku ushtarët e lirisë u sulmuan nëpërmes fshatit Gegaj (ish – Dobratin), nga ana e Llapit dhe nga ana e Shalës. Ishte kjo beteja e parë për Mirsadin si pjesëtarë i UÇK-së dhe për shumë shokë të tjerë të tij. Mirëpo, ata qëndruan heroikisht dhe treguan pjekuri ushtarake, tamam sikur të kishin kaluar me dhjetëra beteja. Kodra ku zhvillohej beteja dhe ku ishin të pozicionuar forcat e UÇK-së sulmohej pa ndalë me tanke dhe topa por luftëtarët e lirisë qëndronin të palëkundur nga pozicionet. Nga ajo kodër ku ndahet Llapi dhe Shala, aty u bashkuan edhe luftëtarët trima të UÇK-së të Llapit dhe Shalës, për ta luftuar armikun shekullor. Kjo është njëra ndër betejat më të lavdishme të UÇK-së jo vetëm në Llap por edhe më gjerë, ngase armikut i shkaktuan humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake. Në këtë betejë Mirsadi bashkë me trimat tjerë tregoi trimëri dhe guxim dhe këtu ranë shtatë dëshmorë të UÇK-së, ndërsa Mirsadi qe plagosur në dorë.

Pasi shërohet i bashkohet njësitit “Ulpiana 37” që ishte nënë komandën e Refik Jasharit-Kikës, në fshatin Kastrat (ish – Obrançë). Si pjesëtar i këtij njësiti, mori pjesë në shumë beteja kundër forcave fashiste serbe.

Atje qëndroi deri në fillim të prillit të vitit 1999, kur së bashku me dhjetë shokë kaloi në anën tjetër të Llapit, konkretisht në fshatin Surdull, ku duhej të shkonin përforcim në këto anë për të mbrojtur popullatën e strehuar në këto fshatra, që numerikisht ishte shumë e madhe. Ishte pjesëmarrës i Betejës së Tabeve të Llapashticës, më 24 dhjetor 1998, ku me murtajë të dorës armikut i shkaktoi humbje të mëdha. Kudo që vepronte tregonte shkathtësi dhe trimëri të rrallë. Po ashtu, mori pjesë edhe në të gjitha betejat që u zhvilluan në fshatin Kastrat që nga dhjetori i vitit 1998 deri në prill 1999. Më 24 mars 1999, në fshatin Kastrat mbushi dy boljerë me mjet eksplodues me ç’rast shkatërroi një tank dhe vrau disa pjesëtarë të forcave armike. Më pas ai veproi në fshatin Gegaj (ish – Dobratin) dhe Bardhash (ish – Bradash) për të kaluar më vonë në anën lindore të Llapit ku shkoi bashkë me dhjetë shokë për të mbrojtur popullatën që ishte në malet e kësaj ane. Bashkëluftëtari i tij në njësitin “Ulpiana 37” në Kastrat, Baki Kokulli, thotë: “Shpesh si në shaka na thoshte: mua nuk do të më marrë plumbi i shkjaut. Ishte plot forcë dhe me shumë vullnet nisej në front për ta luftuar armikun. Ishim bashkë në front në Ofensivën e 24 dhjetorit 1998, kur në një moment mbetëm shumë afër forcave serbe, rreth 80 metra largësi e kishim tankun dhe nuk kisha mundësi unë të largohem, kurse ai ishte më larg rreth 20 metra, kishte pozitën e mirë për t’u tërhequr, por nuk pranoi të tërhiqet derisa të tërhiqem edhe unë”.

Beteja e Tabeve të Llapashticës e 24 dhjetorit 1998 është e njohur si njëra nga betejat më të lavdishme të UÇK -së në Llap kundër hordhive pushtuese serbe që atë ditë ia kishin mësyrë Llapashticës, qendrës së gjithë organizimit të UÇK-së së ZO LL-it, për faktin se atë ditë qëndresa e ushtarëve shqiptarë ishte heroike dhe i shkaktoi humbje serioze ushtrisë pushtuese serbe, e cila në fushën e betejës la disa ushtarë të vrarë dhe disa makineri lufte të shkatërruara. Për seriozitetin e këtij ballafaqimi të UÇK-së me ushtrinë pushtuese serbe, flet edhe prania në vendin e betejës e diplomatit amerikan, Villiam Voker, atëbotë përfaqësues i OSBE-së në Kosovës, një ditë më vonë, e cila prani qe komentuar si ndërhyrje e ndërkombëtarëve për të ulur tensionet midis palëve ndërluftuese. Ndërkaq, nga pala shqiptare, në vijën e parë të frontit, patën rënë heroikisht dëshmorët Isa Havolli, Ismet Dërguti, Lulëzim [ashari, Skënder e Miftar Zejnullahu. Ish – eprori i lartë i UÇK-së në ZOLL-it, Latif Gashi, që njëherësh dëshmori n kombit e kishte edhe bashkëfshatar, thotë se pas daljes së UÇK -së në Shalë të Bajgores, përkatësisht në fshatin Zabërgjë, filluan të paraqiten shumë të rinj vullnetarë për t’u bërë pjesëtarë të UÇK-së. Në mesin e tyre, u paraqit edhe Mirsad Gashi, i cili ndonëse ishte ende i mitur edhe pas insistimit të eprorëve ushtarakë, ai nuk pranoi të kthehet pas, por ishte i vendosur që të veshte uniformën e UÇK -së. Për këtë ai angazhoi edhe të vëllain, që të bisedojë me Latif Gashin, që ta pranojnë në radhët e UÇK-së, e cila këmbëngultësi pati sukses.

Edhe pas betejës së njohur të 15 shtatorit 1998 që u zhvillua në Qafën e Kaqanollit, Shtabi i ZOLL-it, kishte vendosur ta reduktojë numrin e ushtarëve. U bisedua me të gjithë, një nga një, dhe kur i erdhi radha Mirsadit, Latif Gashi i thotë se ai duhet të shkojë disa ditë në shtëpi dhe pastaj do ta ftojmë sepse ne disa do të shkojmë për Drenicë dhe në zona tjera. Përgjigja tij ishte: unë vetëm i vdekur mund të kthehem në shtëpi pa mbaruar lufta. Unë do të luftoj kudo që të jetë nevoja në çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës. As kjo nuk pati efekt që ai të kthehet në shtëpi por vazhdoi betejë pas beteje duke luftuar armikun dhe duke kënduar trimëritë e heronjve kombëtarë deri në rënien e tij heroike në Surdull të Besianës.

Në njësitin “Ulpiana 36” formacion ushtarak i ZOLL-it, i cili vepronte në vijën frontale prej 1.5 km në Kastrat, kanë qenë të angazhuar 36 luftëtarë. Mirsadi pasi kishte qenë një prej luftëtarëve të dalluar, përveç detyrave të përditshme ka qenë i angazhuar në cilësinë e vëzhguesit, detyrë kjo shtesë për të, që e kryente më vigjilencë të lartë bashkë me bashkëluftëtarin, Baki Kokolli.

Ish – komandanti i këtij njësiti, Refik Jashari tani e kujton se kur kthehej nga këto aksione, Mirsadi duke qeshur më thoshte: “Kikë përgatiti ushtarët nëpër pozicione se i rrotulluam dy bijë shkau”.

Në një aksion të ndërmarrë në rrugën Besianë-Peran, në janar 1999, Mirsadi ishte udhëheqës i grupit, me ç’rast aksioni pati sukses duke vrarë tre policë dhe shkatërruar një makinë, të cilëm e qëllon Mirsadi me mortajën SOO-she.

Po ashtu, me 2S mars 1999, kur forcat serbe tentuan të depërtojnë në pozicionet e këtij njësiti, Mirsadi me shokë shkatërron një pragë dhe vret disa ushtarë serbë.

Dëshmori i kombit Mirsad Gashi çdo herë shkonte duke kënduar madje edhe në vijën e frontit, derisa luftonte kundër hordhive serbe. Siç e kujton shoku i tij i luftës, Gëzim Sada, kur bisedonte me Mirsadin ai shpesh thoshte: shtatë vëllezër jemi dhe një të shkojë për liri e të jem ai unë, është për mua krenari”. Edhe Kadri Bllaca kujton se Mirsadi çdo detyrë që i parashtrohej e kryente pa kurrfarë vërejtje dhe pa asnjë fjalë. Ai shpesh thoshte: “Eni o trimat e lirisë, se na erdhi rasti me ia thye tehun armikut dhe se nga ky vend nuk do të zbrapsem, deri në goditjen e fundit armikut tonë shekullor”.

Njëra nga betejat më të ashpra që u zhvillua në këtë fshat ishte ajo e 16 prillit 1999, kur forcat serbe me një numër të madh ushtarësh dhe me mjete të blinduara kishin mësyrë pozicionet e UÇK-së, në të cilat qëndronin të pathyeshëm pjesëtarët e UÇK -së. Në mesin e tyre ishin edhe Fazli Fetahu dhe Mirsad Gashi, të cilët për asnjë çast nuk deshën për asnjë hap të tërhiqen nga vendi ku ishin pozicionuar për të luftuar armikun. Dhe kështu vepruan derisa ranë në altarin e lirisë. Ata ranë në Surdull, ku u zhvillua luftë e ashpër në të cilën qenë plagosur edhe dy bashkëluftëtarë të tjerë.

Edhe shokët e tyre sot kujtojnë heroizmin e këtyre djemve të lirisë të cilët ranë ballë për ballë me armikun, në një distancë shumë të vogël duke mos iu trembur syri nga forcat serbe dhe makineria e tyre ushtarake.

Dhe pasi ata veten e kishin shpaguar dhjetëra herë, ranë për të mos vdekur kurrë. Për formimin e këtij njësiti, për të kaluar në anën tjetër të Llapit, rrugëtimin deri atje, betejat e zhvilluara dhe rënien e dëshmorëve të kombit, shokët e Mirsadit, Naim Zeqiri, Ismet Hyseni, Shahin Fazliu, Shefqet Berisha etj. tregojnë se me urdhrin e komandantit të Brigadës 152 “Shaban Shala”, Arif Muçolli – “Profa” është formuar njësiti (togu) vullnetar “Kështjella 36 A” për përforcim në fshatin Surdull, në mbrojtje të popullatës pasi një pjesë e madhe e saj ishte e koncentruar në ato anë, dhe ku forcat paramilitare çetnike serbe kishin filluar një dislokim të madh në drejtim të saj.

Në përbërjen e kësaj toge ishin Shefqet Berisha, komandant toge, Ismet Hyseni, zv. komandues dhe komandues i skuadrës së parë, Naim Zeqiri, komandues i skuadrës së dytë, Afrim Mulolli, Fazli Fetahu, Mirsad Gashi, Musa Munishi, Shahin Fazliu, Skënder Nesushta, Blerim Behrami dhe Sani Avdiu. Në rrugëtimin që ka filluar nga fshati Kastrat-Bardhash, ku i ka përcjellë edhe komandant Arif Muçolli, kanë vazhduar për në Potok-Majas, ku janë takuar edhe me komandant Kadri Kastratin -Daja, e janë furnizuar me armatim shtesë dhe me gjërat e nevojshme për rrugë dhe për frontin e luftës që i priste në Surdull. Pastaj, kanë kaluar në fshatin Barilevë ku edhe kanë pasur përleshje me ushtrinë serbe, pastaj në fshatin Rimanishtë – Koliq – Kalticë për të arritur në fshatin Surdull. Në këtë rrugë, së bashku me këta luftëtarë ishte edhe komandant Aziz Hyseni dhe Hajrush Ibishi. Me të arritur në vendin e destinuar, komandanti Aziz Hyseni, i caktoi pozicionet dhe komanduesi i togut i mori detyrat dhe njëherit ai edhe e njihte mirë terrenin pasi ishte i asaj ane dhe menjëherë kemi filluar hapjen e istikameve ndërsa forcat okupatore ishin diku 300-400 metra largësi në vijë ajrore. Pikërisht ata ishin të vendosur në shtëpinë e njërit pjesëtar të këtij togu, Skënder Nesushtës.

Të nesërmen vëzhguesit që në orët e hershme kanë verejtur vëzhguesit serbë duke u ofruar e pas tyre edhe forcat serbe të cilët përgatiteshin për sulme. Kështu më 16 prill 1999 në fshatin Surdull u zhvillua një betejë e ashpër në të cilën pjesëtarët e UÇK-së për orë të tëra qëndruan të pathyeshëm. Lufta vazhdonte dhe dëshmori i kombit Mirsad Gashi për asnjë çast nuk u tërhoq derisa ra heroikisht në fushën e betejës. Për heroizmin e dëshmorëve të kombit flasin sot edhe bashkëluftëtarët e tij të kësaj ofensive dhe ofensivave tjera. Krenarë që ishin bashkëluftëtar por me dhembje se sot ai nuk është në mesin e tyre. “Mirsadi për asnjë çast nuk u tërhoq dhe luftoi deri në rënien e tij heroike. Ne humbëm shokun tonë të mirë ndërsa Kosova fitoi edhe një dëshmorë që nuk do ta harrojmë kurrë”- thonë bashkëluftëtarët. Në krye të frontit qëndronte Mirsadi me mortajë. Ai ndonëse i ri në moshë ishte ushtar me përvojë. Ai këndonte pa pushuar këngë patriotike që ushtarëve të tjerë u jepte vullnet të madh për të luftuar, – thotë bashkëluftëtari i Mirsadit, Naim Zeqiri, i cili në betejën e Surdullit, ditën kur ra dëshmor Mirsadi, ishte plagosur.

Ditën kur ra dëshmor Mirsadi, lufton heroikisht mbi tri orë pa ndërprerë kundër forcave serbe në kodrat e Surdullit. Duke parë se forcat armike po i afroheshin nga çdo anë e ai ishte betuar se nuk do të tërhiqet, dy shokët që i kishte më afër i lutë që ata të tërhiqen e ku pas pak çastesh, Fazli Fetahu, bie heroikisht në altarin e lirisë. Mirsadi pa lëvizur nga pozicioni luftoi deri në fishekun e fundit kur edhe goditet nga një predhë e tankut. Kështu ra ky djalë i Kosovës, më 16 prill 1999 me buzëqeshje dhe këngë për lirinë. Në vendin e rënies është ngritur lapidari i përbashkët i Mirsadit dhe Fazli Fetahut, të rënë në betejën e Surdullit, më 16 prill 1999.

Aty qe varrosur ndërsa rivarrimi i tij bëhet në korrik të vitit 1999, në fshatin e tij të lindjes në Buzëllap të Besianës.

Në shenjë nderimi për veprën e dëshmorit Mirsad Gashi dhe të dëshmorëve të tjerë të Llapiasit, Elfir Behrami, Shahin Gashi dhe Visar Thaçi, në çdo përvjetor të rënies së tyre, të rinjtë e kësaj ane organizojnë turne futbolli, ku marrin pjesë ekipe të këtij lokaliteti dhe të lokaliteteve të tjera të komunës së Besianës. Pas luftës, familja e dëshmorit të kombit Mirsad Gashi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …