vipa
driloni com
Fillimi / Dëshmorët / Refki Sokol Salihaj (18.2.1972 – 16.4.1999)
Refki Sokol Salihaj (18.2.1972 – 16.4.1999)

Refki Sokol Salihaj (18.2.1972 – 16.4.1999)

Refki Salihaj u lind më 18 shkurt të vitit 1972 në fshatin Zabërgj të komunës së Klinës. Shkollën tetëvjeçare e kreu në fshatin Gllarevë, ndërsa mësimet e shkollës së mesme i ka vijuar në Kijevë, e cila asokohe ishte paralele e ndarë e Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” të Klinës.
Sapo kishte mbaruar shkollën e mesme, Refkiu kishte marrë ftesë nga armata okupatore e Jugosllavisë, për të vajtur në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, mirëpo, ashtu sikur edhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë së Kosovës, ai nuk iu kishte përgjigjur ftesës, prandaj qysh atëherë kishte filluar jeta e tij larg familjes. Fillimisht kishte shkuar në Kroaci, pastaj kishte provuar të qëndronte edhe në Slloveni, por as atje nuk ndihej i sigurt. Prore mendonte se mund ta gjente dhe ta arrestonte policia serbe, prandaj ndërkohë kishte kaluar kufirin dhe ishte vendosur në Gjermani, pikërisht atëherë kur shumë vullnetarë nga Kosova kishin filluar të ktheheshin nga Gjermani për të luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në pranverë të vitit 1998 Refkiu u kthye në familjen e tij, në fshatin Zabërgj. Me insistimin e prindërve, ishte martuar, por martesa nuk e kishte ndalur dot për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Ai u tregoi prindërve se ishte kthyer në Kosovë, jo me qëllim për t’u martuar dhe për të qëndruar në shtëpi, por për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit, prandaj tash po shkoj atje ku më thërret atdheu”- u kishte thënë Refkiu prindërve të tij.
Më 20 maj të vitit 1998 u inkuadrua në Brigadën 113 të Zonës Operative të Drenicës, nën komandën e Mujë Krasniqi-Kapuçi, tashmë dëshmor i kombit. Që nga dita e angazhimit në radhët e UÇK-së, filluan aksionet dhe luftimet e pandërprera kundër forcave policore e ushtarake serbe. Gjatë asaj kohe Refki Salihaj ishte kudo në frontet e luftimeve në Burim, Rigjevë, Dollc, Gllarevë, Ujëmir e Dobërdol. Ai mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara përgjatë autostradës Prishtinë-Pejë që nga fshati Gjergjicë e tutje drejt Dukagjinit.
Përveç komandantëve Mujë Krasniqi e Rexhep Selimi, Refkiu kishte bashkëluftëtarët edhe Hajdin Balajn, Zeqir Morinën, Agim Pantinën, Hajrullah Pantinën, Xhemë Morinën, Bajram Rexhepajn dhe vëllain e tij Halil Rexhepajn, si dhe shumë luftëtarë të tjerë.
Më 3 korrik të vitit 1998, Refki Salihaj mori pjesë në luftimet e zhvilluara me rastin e ofensivës serbe kundër pozicioneve të UÇK-së “Te Kulla”, vend në trekëndëshin midis fshatrave Qëndresë (ish-Gllarevë), Përçevë e Dollc, me ç’rast bie në altarin e lirisë, Muhamet Sefer Haxhaj nga Gllareva, tani Qëndresë. Gjatë asaj ofensive forcat serbe kishin angazhuar rreth 80 tanke, të cilat kishin ardhur nga drejtimi i Pejës dhe kishin granatuar pandërprerë pozicionet e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Refkiu, krahas vëllait të tij, Halilit, kishte të angazhuar në luftë edhe vëllanë tjetër Rizahun, i cili në verë të vitit 1998 me bashkëluftëtarë të tjerë kishte shkuar për t’u armatosur në Shqipëri. Kur kishte biseduar përmes telefonit me të vëllain, Rizahun dhe e kishte porositur atë që të luftonte në pikat kufitare, meqë lufta për çlirimin e Kosovës zhvillohej në të gjitha frontet. Nuk ishte parë as ishte dëgjuar më me vëllain, i cili po ashtu u flijua për lirinë e Kosovës.
Refkiu me bashkëluftëtarët e tij mori pjesë në shumë luftime të zhvilluara në frontet nën kontrollin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës. Ai mori pesë në luftimet zhvilluara në Burim ku çlirimtarët u shkaktuan dëme të ndjeshme trupave serbe, në potencialin njerëzor dhe në atë të teknikës ushtarake.
Më 16 prill të vitit 1999, Refkiu dhe bashkëluftëtarët e tij, Hajrullah Pantina dhe Xhemë Balaj kishte ndërmarrë aksionin ushtarak për çlirimin e Sferkës. Mirëpo, serbët kishin minuar terrenin nga ku supozonin se do të depërtonin luftëtarët e UÇK-së. Në një moment, Refkiu bie në fushë të minuar, në të cilën ditë ai kishte thithur për të fundit herë ajrin e bërë shkrumb të Kosovës. Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit fillimisht e varrosën në Varrezat e fshatit Përçevë. Pas çlirimit, trupi i dëshmorit Refki Salihaj U varros në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Novosellë, në mesin e të rënëve të tjerë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Prindërit e dëshmorit Refki Salihaj, Sokoli dhe Mihrije Salihaj nga fshati Zabërgj, lindën dhe rritën tetë djem dhe tri vajza: Refkiun, tani dëshmor, Shemsiun, Elmiun, Sefedinin, Halitin, Jahirin, Zahirin, Mahirin, Shefkijen, Rukijen dhe Menduhijen.
Familja e dëshmorit Refki Salihaj për sakrificën sublime ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës, (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arben Avdyl Ukshini (15.12.1978 - 7.7.1998)

Arben Avdyl Ukshini (15.12.1978 – 7.7.1998)

Në mesin e trimave, që pa u hamendur ia fali jetën atdheut dhe shkëlqeu në ...