Ahmet Qeriqi

Musli Berisha: Intervistë me studiuesin, Ahmet Qeriqi për Gjon Serreçin dhe LNDSH-në

  1. Qeriqi, Cilat rrethana ndikuan në krijimin e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare?

           Gjatë Luftës së Dytë Botërore shquhen dy forca politike antagoniste politike sidomos në Shqipëri, Partia Komuniste Shqiptare, e cila edhe ishte organizatore e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe Partia e Ballit Kombëtar, e cila, duam apo nuk duam ta pranojmë, nuk luftoi kundër forcave pushtuese fashiste, përveç në raste të veçanta, por së bashku me forcat italiane dhe gjermane luftoi kundër forcave antifashiste shqiptare.

Realiteti në Kosovë dhe në viset shqiptare nën dominimin e forcave italo-shqiptare, ishte krejt ndryshe.

Në prill të vitit 1941, pas dhjetë ditë të bombardimeve nga forcat gjermane kishte kapitulluar Jugosllavia Monarkike, e cila popullatës shqiptare, jo vetëm që nuk i kishte njohur asnjë të drejtë kombëtare, por në mënyrë sistematike kishte vepruar në drejtim të zhdukjes graduale, përmes asimilimit, shkollimi në nivel fillestar selektiv, vetëm në gjuhën serbe, dëbimit në Turqi, vrasjeve masive të shqiptarëve, shtetëzimin e pronave dhe degdisjen buzë shfarosjes. Depërtimi i forcave italo-shqiptare në prill të vitit 1941 në Kosovë, dhe të treva të tjera nën Jugosllavinë monarkike nuk konsiderohej si pushtim i viseve shqiptare,  sepse ato u çliruan nga një barbari më shumë se fashiste. Regjimi italo-shqiptar hapi qindra shkolla në gjuhën shqipe, instaloi administratën në gjuhën shqipe, lejoi simbolet kombëtare, tregtinë e lirë, kthimin e pronave të uzurpuara nga serbët dhe shqiptarët, për herë të parë qysh prej vitit 1912 ndiheshin të lirë në trojet e tyre prej Kosovës, Sanxhakut e Malit të Zi deri në Maqedoni e Çamëri.

Ta themi më shkoqur: Italia  në Shqipëri ishte okupatore sepse kishte okupuar një shtet të njohur ndërkombëtarisht, ndërsa forcat italo-shqiptare në trojet e okupuara nën Jugosllavinë, nuk konsideroheshin si okupatore, sepse shqiptarët kishin qenë nën okupim të egër e barbar prej vitit 1912 e deri në vitin 1941.

Në këto rrethana një pjesë e intelektualëve shqiptarë, ishte gjetur në udhëkryq, meqë nuk i shihte me sy të mirë forcat komuniste partizane, por as forcat balliste, të cilat ishin në aleancë me forcat pushtuese italogjermane. Kjo është edhe arsyeja, pse një klasë politike shqiptare, me kohë aspiroi një platformë politike ndryshe nga forcat komuniste dhe ato balliste.  Këtu mendoj unë qëndron e veçanta dhe merita e tërë një plejade intelektualësh dhe luftëtarësh idealistë kombëtarë të cilët kishin zgjedhur rrugën e tretë, një rrugë që çonte drejt demokracisë së vërtetë, po që u përball me pengesa të ndryshme e të shumta.

  1. A kishte kjo organizatë ndonjë mbështetje jashtë Kosovës?

ONDSH-ja, apo LNDSH-ja, apo sikur quhet NDSH-ja, nuk mund të kishte mbështetjen e Shqipërisë e cila ndodhej nën okupim. Nuk mund ta kishte mbështetjen e forcave komuniste, sepse në programin e tyre përjashtohej çdo konkurrencë politike demokratike, edhe pse ishte arritur marrëveshja e krijimit të Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar. Po ashtu nuk mund ta kishte as mbështetjen e forcave të Ballit, meqë kreatorët e NDSH-së, me kohë e  kishin kuptuar se mbështetje në forcat fashiste do të rezultonte me pasoja katastrofave, ashtu sikur edhe kishte ndodhur.  E vetmja përkrahje e LNDSH-së, edhe pse krejtësisht formale ishte nga  aleanca anglo-amerikane, e cila gjatë tërë kohës së luftës kishte bërë përpjekje që t i bindte forcat nacionaliste shqiptare të luftonin kundër fashizmit, madhe duke iu dhënë edhe armatim,  por ajo nuk kishte ndodhur. NDSH-ja ishte konsoliduar vonë, edhe pse disa historianë pretendojnë ta paraqesin fillimin e organizmit qysh në vitin 1943. Duke folur Për fillet e LNDSH-së, dr. Nuri Bashota shkruan se “Zanafilla e themelimit të LNDSH dhe Komitetit Qendror të kësaj Lëvizjeje, daton që nga Mbledhja e Parë e mbajtur në dhjetor të vitit 1943 në Gjakovë, kur patriotët shqiptarë: Halim Spahia, Selman Riza, Ejup Binaku, Sokol Dobroshi dhe Rexhë Meta, në praninë edhe të përfaqësuesve të Misionit Ushtarak britanik, themeluan Lëvizjen Ilegale Antifashiste Irredentiste Shqiptare IRREDENTA, e cila paraqet zanafillen e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. (Dr. Nuri Bashota: Historia e panjohur e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (1)

Shikuar realisht, në vitin 1943, forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë e më gjerë nuk i kishte rrezikuar asnjë forcë antishqiptare, sepse ata luftonin në mbrojtje të viseve të çliruara nga Jugosllavia monarkike, ata madje  kishin shkuar vullnetarisht në luftonin për ta mbrojtur Sanxhakun, mbronin Kosovën Lindore nga depërtimi bullgar dhe luftonin grupet komuniste jugosllave brenda territorit të Kosovës. Në kushte dhe rrethana të tilla ishte anakronik organizimi i një partie politike, që nuk ishte komuniste as balliste. Vetëm më vonë, kur u pa sheshit se forcat italo-gjermane po e humbisnin luftën dhe pushtetin do ta merrnin forcat komuniste në Shqipëri dhe në Kosovë, atëherë filloi edhe interesimin i shqiptarëve nacionalistë në përpjekje për të mbijetuar politikisht. E vetmja mbështetje nga jashtë, nëse mund të thuhej mbështetje ishte korrespondenca e njërit prej ideatorëve të NDSH-së, profesor Ymer Berisha, i cili mbante lidhje me misionin anglez në Tiranë, dhe ishte kryesues i organizatës ilegale politike e ushtarake me emrin “Besa Kombëtare”.

  1. Si ishte organizimi i NDSH-së?

NDSH-ja, me sa dihet deri tani  ka mbajtur disa kongrese, të cilat janë të diskutueshme për historianët që janë marrë dhe merren me këtë problematikë. Nuk është e mundshme të flasim këtu për të gjitha kongreset, pjesëmarrësit por me rëndësi është fakti se forcat nacionaliste shqiptare, ishin organizuar me qëllim të rezistencës aktive kundër ripushtimit të Kosovës e viseve të tjera shqiptare nga Jugosllavia. Ata kishin krijuar platformën e tyre politike, e cila për nga përmbajtja ishte lëvizje nacional-demokratike, jo komuniste dhe jo balliste. Kjo ishte esenca dhe pikërisht këtu qëndron edhe vlera historike e LNDSH-së.

Dihet deri tani se kjo organizatë masive e nacionalistëve shqiptarë ka vepruar në Shkup, Tetovë, Gostivar, Ferizaj Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Kaçanik, në Drenicë, Dukagjin, Prizren dhe pothuajse në të gjitha trevat etnike shqiptare.

Fillimisht LNDSH-ja ka pasur organizim heterogjen, ndërsa për një homogjenizim me përmasa të mëdha gjithëkombëtare, mund të flitet vetëm për Kongresin e Lipovicës, të korrikut të vitit 1946 ku ishin bashkuar të gjithë krerët e LNDSH-së, në mungesë të disa  krerëve që në kushte dhe rrethana të njohura nuk kishin arritur nga Shkupi dhe nga viset e Iliridës.

  1. Cila ishte shtylla programore?

 Në kushte izolimi, ilegaliteti, në rrethana lufte dhe përballje të vazhdueshme me forcat ushtarake jugosllave, me agjentë të OZN-së e partizanë serbë malazez e shqiptar, që kishin shtrirë pushtetin dhe administratën në Kosovës ka qenë e pamundur që NDSH-ja të organizohet dhe të veprojë si një forcë e konsoliduar politike. Të gjitha lidhjet e krerëve përmes korrierëve kanë qenë të rrezikshme dhe shpeshherë të dekonspiruara. Shumë prej tyre kanë rënë në pritë dhe kanë luftuar në kushte të pabarabarta.

Programi i LNDSH-së është kushtëzuar nga realiteti faktik në terren, po ka pasur një shtyllë bazike dhe ajo ka qenë, lufta për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në një rend demokratik shumëpartiak. Këtë e kanë aspiruar të gjitha forcat e LNDSH-së, ndërsa në mos kreatori, ka qenë pikërisht Gjon Serreçi, ai i cili e ka formuluar shtyllën e parë dhe të vetmen të programit në mbrojtjen e tij para gjyqit. Pavarësisht se historianët kanë krijuar konfuzion në përpjekje për ta zbuluar se kush i pari e ka hartuar programin ideor politik të LNDSH-në, unë mendoj se programin e kësaj Lëvizje më së miri dhe në mënyrën më parimore politike e ka shkoqitur, Gjon Serreçi, më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-së në Prishtinë. I pyetur nga inspektori shqiptar-vrasës ai ka deklaruar:

“Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Këto fjalë të Gjon Serreçit, të shkoqitura nga proces-verbali i gjykimit janë alfa dhe omega e NDSH-së, është brumi dhe historia e saj e realizuar në luftën e UÇK-së me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë dhe forcave çlirimtare në malet e Kosovës në vitet 1998-1999.

Në asnjë deklaratë, komunikatë apo kumtesë të kreatorëve të LNDSH-së, nuk është shkoqitur programi në mënyrë më të qartë, më të fortë dhe më largpamëse sesa në mbrojtjen e Gjon Serreçit dhe pikërisht kjo shkoqitje e tij na jep fakte për të konkluduar se Gjon Serreçi ishte ai,  i cili e kishte trasuar ideologjikisht e politikisht përmbajtjen e NDSH-së. Pikërisht për këtë, pikërisht sepse ishte koka ideologjike e LNDSH-së, OZN-a bëri përpjekje të jashtëzakonshme ta kapte gjallë, ta thyente, me qëllim që ta thyente edhe idealin historik të NDSH-së. Me qëllim për ta diskredituar, pak ditë para pushkatimit, OZN-a me Spasoje Gjakoviqin në krye e kishte detyruar ta shkruante një kërkesë për falje, të cilën ai nën dhunë për likuidim mund edhe ta kishte nënshkruar, edhe pse asnjë historian nuk është marrë me këtë fakt. Po të ishte i vërtetë fakti se ai kishte kërkuar falje dhe ishte penduar, OZN-a nuk do ta kishte likuiduar, por do ta kishte lënë  të jetonte i thyer dhe i poshtëruar ashtu sikur ka bërë me disa pjesëtarë të tjerë madje shumë të njohur të NDSH-së.

  1. Kush ishin udhëheqësit kryesorë të NDSH-së, cili ishte profili i tyre politik?

Sa u përket emrave vazhdimisht hasen vështirësi sepse ende nuk është zbardhur tërë veprimtaria e LNDSH-së, nuk është mbajtur asnjë tryezë apo simpozium, ndërsa në shtyp dhe në medie paraqitet një literaturë krejt konfuze, e pasistemuar dhe e shkruar shpeshherë edhe pa asnjë kriter shkencor.Unë i jap vetës të drejtë rradhis këtu një dyzinë emrash pa pretenduar se e kam peshuar mirë, por meqë me këto probleme jam marrë prej afër 30 viteve i jap vetes liri të bëj një radhitje, për të cilën nuk më vjen keq nëse kontestohet me gjuhën e fakteve dhe argumenteve.

Krerët ideologjikë dhe politikë të NDSH-së kanë qenë: Imer Berisha,  Gjon Serreçi dhe Hysen Terpeza.

Në shkup: Azem Morana, Hasan Bilalli,  Mahmut Dumani, Qemal Skënderi, Mehmet Bushi, Hysni Rudi, etij

Në rrethin e Kaçanikut e të Ferizajt: Avdyl Dura, Dinë Hoxha, Riza Goga, Ahmet Hajdini, Sadik Tusha, Ahmet Arifi,  Abdulla Musliu dhe Sefedin Shabani, e të tjerë.

Në rrethin e Bajgorës, Llapit e Gallapit, Mulla Ramë Govori, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica,  Ramë Vllasa, Xhemmajl Gashi, Sherif Terstena e të tjerë.

Në rrethin e Prishtinës: Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Azem Jashanica-Bellaqevci, Ixhaid Nazmi Gafurri,  Shemsi Hazir Gashi- Mramori,  Rrahman Çashi, Shyt Marevci e të tjerë.

Në Drenicë, Mulla Arif Shala, Sadik Lutani, Jetullah Zabeli- Rezalla, Hilmi Zariqi, Zeqir Lutani, Xhemajl Boletini, Istref Sheqa, Imer Ahmeti, e të tjerë.

Në rrethin e Vushtrrisë e Mitrovicës: Osman Bunjaku, Shaban Bunjaku, Ahmet Selaci, Rexhep Selaci, Emin Saraqi, Fejzullah Saraçi e të tjerë,

Në rrethin e Gjilanit e të Kamenicës:

Mulla Idriz Gjilani, Lam Breznica, Osman Abaz Gagica, Feriz Abazi, Ibrahim Cërnica, Sylë Hotlla, Ajet Rainca, Sylë Zarbinca, Hysen Ibrahimi e shumë të tjerë.

Në rrethin e Vitisë, Gjilanit: Hasan Alia-Remniku, Ramiz Cernica, Mustafë Koka dhe Arif Syla, Arif Sylejman Çollaku, Ajdin Ali Shabani, Azem Kadria etij.

Në rrethin e Lypjanit, Shtimes: Kadri Beba, Sali Rexha, Banush Hoxha, Nezir Buja, Rrahim Rexha, Rrahman Jetullahu, Tafil Sejdiu, Qerim Selimi, Ismajl Dragusha, Fetije Dragusha, Islam Domaneku Habib Emini, Hajdar Muharremi, Zekë Luma, Rexhep Veli Ballabani, etj.

Në Dukagjin: Ymer Berisha, Marie Shllaku, Ndue Përleshi, At Bernard Llupi, Ukë Sadik Rama, Kolë Parubi, Zhuk Haxhia, Zef Gjidoda, Qazim Bajraktari…

Në rrethin e Anadrinit: Ibrahim Lutfiu ka zhvilluar aktivitet ilegal në rrethin e Therandës, pastaj, Luan Gashi,  Sadri Duhla, Qerim Ali Gashi, Nebih Sahiti, etj.

  1. Si mund të portretizohet Gjon Serreçi ?

Gjon Serreçi, për mendimin tim pas shumë gjurmimeve e studimeve, pas sa e sa shkrimeve që janë botuar për të, ka qenë dhe do të mbetet një personalitet shumë meritor i kombit, me disa të veçanta të cilat kanë të bëjnë me kohën kur ka jetuar dhe ka vepruar. Ai, për kohën dhe nivelin gati krejt të paarsimuar të popullatës shqiptare, ishte me arsimim të lartë. Njeri që kishte parë botë, kishte studiuar në Zagreb, më vonë të Itali. Për shkak të bindjeve të tij antifashiste ishte burgosur nga regjimi i kohës dhe ishte internuar në një kamp përqendrimi në Austri.

Gjon Serreçi kishte qenë antifashist por jo komunist, jo domosdo partizan komunist. Nuk kishte qenë as ballist, sepse ishte i arsimuar dhe me kohë e kishte kuptuar se fashizmi ishte një e keqe e madhe që një ditë do të mundej. Duke mos qenë komunist, as fashist, ai thjesht ishte një nacionalist shqiptar, me bindje përparimtare demokratike, ashtu si shumë shqiptarë të Kosovës e më gjerë. Në profilin ideologjik  e politik të Gjon Serreçit, Hysen Tërpezës, Ymer Berishës, duhet kërkuar gjurmët e pashkëputshme të rilindësve shqiptarë, prej Avdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Ismail Qemalit, Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Hasan Prishtinës, Azem e Shote Galicës e shumë të tjerëve. Kjo treshe e Nacionalemokratikes Shqiptare ishte hallkë në zingjirin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, hallkë e cila ka vazhduar pastaj me Adem Demaçin e shumë të tjerë për t’ u kurorëzuar me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.

Gjon Serreçi kishte lënë punën e profesorit të Gjimnazit,  punë me të cilën mund ta siguronte ekzistencën për vete dhe për familjen dhe iu kishte bashkuar radhëve të NDSH-së, për shkak se kishte qenë dëshmitar që lufta antifashiste e shqiptarëve ishte tradhtuar, ashtu sikur ishte tradhtuar Rezoluta e Bujanit dhe shqiptarët kishin rimbetur nën robërinë serbe e jugosllave.

Në kushte e rrethana kur mijëra shqiptarë që nuk pajtoheshim me rimbetjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, në pushtimin e Jugosllavisë, Gjoni kishte zgjedhur rrugën drejt organizimit të qëndresës kombëtare, edhe pse në kushte dhe rrethana jo vetëm delikate, por gati të pashpresë. Megjithatë ai i besonte të drejtës, lirisë dhe ishte i vetëdijshëm se edhe nëse humbnin disa beteja, lufta më në fund të të fitohej.

  1. Si shpjegohet që Gjon Serreqi u arrestua fill i vetëm në malet e Desivojcës? A ishte braktisur ai nga bashkëluftëtarët?

Duke qenë studiues vullnetmirë i biografisë së Gjon Serreçit, unë nuk kam bërë gjurmime të veçanta por kam ballafaquar faktet, duke marrë përbuzë shkrimet e botuara, intervistat e disa bashkëkohësve por edhe versionin e pushtetit vrastar, okupator. Kam hetuar me kohë se disa historianë, nuk po i përmend me emër, kanë bërë përpjekje t’ i fshehin faktet dhe të heqin dyshimet nga ata që kanë gisht në zbulimin e vendit dhe rrethimit të papritur. Është e vërtetë se Gjonin e kishin lënë vetëm, ndërsa vendndodhjen e tij në malet e Laçiqit e Desivojcës e dinte UDB-ja. Ka prej tyre madje që e kanë akuzuar Gjon Serreçin për se nuk ka ikur në Greqi, sikur shumë nacionalistë të tjerë.

Gjon Serreçi nuk e kishte ndërmend të dorëzohej, edhe kur shokun më të ngushtë, që ishte edhe truproje i tij, Osman Abaz Gagica, familjarët e kishin detyruar të dorëzohet. Në kujtimet e mëvonshme, pasi ishte liruar nga burgu, Osman Gagica ka rrëfyer të vërtetën e tij, pavarësisht si mund të flitet e të gjykohet sot.

(Patrioti ekzemplar, Gjon Serreqi, do të kapet nga OZN-a në orët e para të ditës së 25 shkurtit 1947, në një kasolle mali në Desivojcë, i shoqëruar nga djaloshi trim e besnik i madh, Rizah Bajram Shkodriqi. Gjurmët për kapjen e Gjonit i zbuloi shoqëruesi, më besniku prej 25 korrikut 1946, Osman Abaz Gagica, i cili ishte dorëzuar vetëm një ditë më parë, më 24 shkurt 1947, me kërkesën urdhëruese të Gjon Serreqit. Osman Abazi në hetuesi nisi sipas mësimit të Gjonit, por u thye! (M. Pirraku)…

Pretendimet për ta amnistuar shefin e zbulimit të OZN-së, Isak Dujaka nga Gjakova me pesë policët e tij, vetëm sepse ai përmes një polici kishte lajmëruar më parë se ishte dekonspiruar vendi, janë të paqëndrueshme dhe nuk kanë asnjë bazë besueshmërie, sepse ishte i njëti i cili përcolli lëvizjet deri në ditën e arrestimit.

Oficerët e OZN-ës përmes njerëzve të vetë të besuar, mjerisht të gjithë shqiptarë, kishin identifikuar Bunkerin në malet e Shipashnicës, ku ndodhshin Gjon Serreçi  dhe Osman Gagica. Më 10 shkurt 1947, forcat e OZN-s rrethojnë bunkerin nga ku Gjoni dhe Osmani ishin larguar një natë më parë. Të zhgënjyer dhe të çartur për shkak të dështimit të aksionit, oznistët arrestojnë shumë të dyshuar në Shpashnicë dhe të afërm të Osman Abazit, Gagicës. Asokohe Gjon Serreçi dhe Osman Gagica shkojnë në fshatin Desivojc, te vëllezërit Shkodriqi. Gjatë takimit që Rizah Shkodriqi pati me Gjonin dhe Osmanin, kërkoi nga ata që sa më parë të largoheshin, meqë prania e tyre do t’ia rrezikonte krejt familjen.

Rizah dhe Bajram Shkodriqi iu propozojnë dy ilegalëve të depërtonin në male e prej andej në Malësinë e Medvegjës. Në pamundësi për të gjetur strehim të sigurt, një natë me acar të shkurtit, Osman Abazi troket në  konakun e kushëririt të dajës,  Aziz Shkodriqi, meqë familja jetonte në periferi të fshatit. Më 23 shkurt 1947, në një kasollë verore të shkodriqëve të Desivojcës, Shefki Abazi, Bejtë Shkodriqi dhe Rizah Shkodriqi takohen me Gjon Serreçin dhe Osman Gagicën…. Xhaxhai i Osmanit,  Shefki Abazi, kërkon që Osmani të dorëzohet, me kusht që të betohej se nuk do të tregonte asgjë për Gjon Serreçin as për jatakët, ndërsa Gjoni të përcillej deri atje ku ai kërkonte. Edhe pse Osmani fillimisht nuk pranoi, të afërmit e tij e bindën dhe gjatë asaj nate, Osmani përshëndetet përgjithmonë me Gjon Serreçin.

Ditën e 24 shkurtit Gjon Serreçi mbetet krejtësisht i vetmuar në bjeshkët e Desivojcës. Ndodhej në kasollen e ftohtë të malit duke pritur zënien fatale apo vdekjen tragjike. Nga frika se do të mund të kapej në befasi ai dogji dokumentacionin.

Rreth orës 21, të 24 shkurtit 1947, në kasollen e tij, në malet e Desivojcës hyn Rizah Bajram Shkodriqi, i cili ia çoi bukën. Pak kohë më vonë, meqë Gjoni  i besonte mikut, që i solli bukën, të cilën nuk arriti ta hante edhe pse ishte shumë i uritur dhe i mërdhirë nga të ftohtit, befasisht dhe fare papritur në kasolle futen me rrëmbim, dhe me armët drejtuar kundër Gjonit dy oficerë të OZN-s,  Aleksa Vuçiniq dhe Dragutin Papoviq me katër policë përcjellës,  të cilët arrijnë ta kapin Gjonin para se të aktivizonte bombat e dorës.

Më 3 maj të vitit 1947  në lëndën akuzuese kundër Gjon Serreçit, Ukë Sadikut, Ajet Gërgurit, Ilmi Zariqit dhe Osman Bunjakut, në pjesën e lëndës ku shpallet fajtor Gjon Serreçi, atij i përshkruhen këto vepra: Si mësimdhënës në gjimnazin e Prishtinës ka shfrytëzuar detyrën dhe ka bashkëpunuar me nxënësit për të zhvilluar veprimtarinë e tyre të dhunshme nëpër komitete, duke dhënë betimin për besnikëri ndaj Organizatës…. Në fund të prillit të vitit 1946 ka krijuar lidhje me  anëtarët e Komitetit Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranën dhe  Hasan Bilallin… Në radhët e kësaj organizate të cilën e kryesonte Ajet Gërguri, pranoi detyrën e sekretarit… Ka hartuar programin dhe ka udhëhequr punimet në Kongresin e Lipovicës më 25 korrik 1946…Ka bërë përpjekje për të ikur në Greqi… Pas shpartallimit të grupit në Hoqë të Qytetit më 8 gusht 1946  ka shkuar në rrethin e Neredimës, kamenicës e Preshevës për të vazhduar punën në formimin e komiteteve ilegale nacionaliste. Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreqi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Gjon Serreçi shpallet fajtor dhe dënohet me vdekje, pushkatim. Organet e RSFJ-së, Gjon Serreçin e pushkatuan, më 31 gusht të vitit 1947, në orën tre pas mesnatës, në vendin e quajtur Strelishte, te “Vorret e hebrenjve” në Tauk-Bahqe të Prishtinës. Po atë natë, në të njëjtin vend pushkatohen edhe Osman Bunjaku, Ukë Sadiku, Ajet Gërguri. Të katërtit varrosen në një varr të përbashkët. Pas gjykimit dhe dënimit me vdekje nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, vendimin për pushkatim e kanë vërtetuar:  udhëheqësit e Shërbimit të Seksionit të Punëve të Brendshme: Hashim Mustafa, Gligorie Sharanoviq, Sadri Doçi dhe Vaso Jovanoviq. Udhëheqës i Seksionit  Mazllum Nimani, kapiten  dhe Prokurori publik për Kosovë e Metohi, Ali Shukriu.

 

  1. Duke marrë parasysh rrethanat e kohës dhe raportin e forcave, a ishte NDSH-ja një përpjekje pa të ardhme?

Aktiviteti gati 8-vjeçar i LNDSH-së, prej vitit 1944 deri në vitin 1951, kur ishte vrarë në pritë Hasan Remniku,  ende nuk është zbardhur. Institucionet tona nuk kanë organizuar një Simpozium në shkallë kombëtare për ta ndriçuar këtë Lëvizje, e cila lidh hallkat e Lëvizjeve  tona Kombëtare të rezistencës aktive prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

LNDSH-ja ka qenë një prej hallkave më të rëndësishme të lëvizjeve tona në shekullin 20, për faktin se ajo kishte bërë përpjekje dhe e kishte krijuar konceptin e demokracisë, në kohën kur në Ballkan dhe në rajon, demokracia ishte ngulfatur nga regjimet autoritare  komuniste.

Ndarja, që kjo Lëvizje kishte bërë nga Balli Kombëtar, tregon mirëfilli profilin politik, përpjekjen për rreshtim në demokracitë e tipit perëndimor, në atë që sot quhet pluralizëm politik.

Kjo është merita e LNDSH-së dhe e tre krerëve të saj kryesorë, Gjon Serreçi, Hysen Tërpeza dhe Ymer Berisha. Atë që e bëri LNDSH-ja në Kosovë, nuk e bërë Balli Kombëtar në Shqipëri.

  1. Cila ishte jehona e veprimtarisë së NDSH-së në kohën e saj dhe më vonë?

E them me përgjegjësi dhe duke u mbështetur më fakte reale se jehona e NDSH-së, veprimtaria e saj atdhetare, programi afirmativ, kishte frymëzuar brezat e qëndrestarëve, sepse ende pa u liruar nga burgu NDSH-istët e fundit, në vitet 60 kemi formimin e Organizatës  Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, në krye me Adem Demaçin dhe tërë Lëvizja e fshehtë, apo sikur quhet Lëvizja ilegale, ka vepruar në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar të shqiptarëve. NDSH-ja mbeti burim frymëzimi për brezat, meqë represioni që OZN-a e më vonë UDB-ja ushtruan kundër familjeve nacionaliste, bëri që bijtë e bijat e atyre atdhetarëve të mos e pushonin veprimtarinë e baballarëve e të afërmve të tyre. Pavarësisht se emri i ilegales nuk u identifikua me akronimin NDSH, programet për çlirim dhe bashkim kombëtar ishin pjesë  të gjitha organizatave madje edhe e grupeve ilegale, marksiste leniniste.

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …