Avokati Nazmi Sallahu ka bërë të ditur se Gjykata Supreme e Kosovës ka njohur të drejtën e veteranëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të përfituar njëkohësisht pensionin e veteranit dhe pensionin e moshës, përkatësisht pensionin bazë ose kontributdhënës. Sallahu tha se me këtë vendim u njihet gjithashtu edhe e drejta e trashëgimtarëve për përfitimin e pensionit pas vdekjes së veteranit. Sipas tij, veteranëve të UÇK-së, u ishte mohuar padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin e drejta për të përfituar pensionin e veteranit krahas pensioneve të tjera, duke krijuar, sipas tij, një pabarazi të pajustifikuar dhe duke cenuar parimet themelore kushtetuese dhe juridike të Republikës së Kosovës. Sallahu theksoi se pensioni i veteranit është një e drejtë që buron nga sakrifica dhe kontributi i dhënë gjatë luftës çlirimtare dhe nuk duhet të konsiderohet si përfitim që përjashton të drejtat e tjera të fituara me ligj. Ai vlerësoi se mohimi i përfitimit të dy pensioneve bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara, duke shtuar se çdo kufizim i tillë duhet të ketë bazë të qartë kushtetuese dhe ligjore. “Veteranët e UÇK-së nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm respektimin e ligjit, të Kushtetutës dhe të të drejtave të fituara. Sakrifica për lirinë e vendit nuk mund të shndërrohet në arsye për t’u kufizuar të drejtat që burojnë nga puna, kontributi dhe rendi juridik i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Sallahu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
