Në Klinë do të ndërtohet një fushë ndihmëse e futbollit

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj bashkë me nënkryetarin Besim Hoti dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Skender Merturi, janë takuar në Klinë me zëvendësministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku, ku është biseduar për sfidat e Komunës së Klinës në këta sektorë dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen. Në kuadër të realizimit të projekteve në Komunën e Klinës, në këtë takim është njoftuar se planifikohet ndërtimi i një fushe ndihmëse të futbollit, e cila përveç KF “Dukagjini” do të ishte në shërbim edhe të grupmoshave tjera të futbollit. Në takim është biseduar për ndërtimin e Qendrës Rinore, Zonën arkeologjike në Dresnik, mbështetjen e klubeve, ndërtimin e fushave sportive në shkolla dhe Festivalin “I Këndojmë Lirisë”, që mbahet çdo vit. Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kërkuar mbështetje nga Ministria në sektorët e kulturës, rinisë dhe sportit, ndërkaq ka theksuar se të shikohet mundësia që Zona arkeologjike në Dresnik të Klinës, të shpallet zonë e interesit. Komuna e Klinës, ka mundësi të limituara buxhetore dhe kërkohet nga MKRS-ja, që të ndihmojë në zbulimet arkeologjike në Dresnik. Bashkëbiseduesit janë dakorduar në bashkëpunim të dyanshëm në realizimin e projekteve në Klinë. “Kemi sfida, por me punë, angazhim dhe ndershmëri do të punojmë për krijimin e kushteve më të mira për rininë tonë”, ka thënë kryetari Elezaj. Zëvendësministri, Mazreku, njoftoi se sivjet janë planifikuar të ndërtohen 12 fusha ndihmëse për ekipet në Superligën e Kosovës, ndërsa vitin e ardhshëm për ekipet që bëjnë gara në Ligën e Parë të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu po qëndron në Strasbourg të Francës me …