Në Skenderaj kremtohet 1 Qershori-Dita e Botërore e Fëmijëve

Fëmijët e Skenderajt kanë shënuar 1 Qershorin-Ditën e Fëmijëve me aktivitete festive. Më këtë rast Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura ka pritur në një takim zyrtar një grup fëmijësh, të cilët,  simbolikisht kanë qenë udhëheqës të Qendrës Rinore Publike.

Z.Nura, më këtë rast ua ka uruar të gjithë fëmijëve të Skenderajt ditën e tyre, duke u shprehur i kënaqur me praninë e tyre në një takim zyrtar dhe të veçantë, si dhe duke i dëgjuar pikëpamjet e tyre për të ardhmen e vendit. “Ju jeni e ardhmja e këtij vendi dhe shumë shpejt do të jeni edhe udhëheqës të tij. Detyra e juaj kryesore është të mësoni shumë, pa përjashtuar edhe aktivitetet tjera jashtë shkollës, mirëpo prioritet për ju duhet të jetë mësimi dhe edukimi”, tha z. Nura.

 Fëmijët e Skenderajt kanë marrë pjesë edhe në një aktivitet masovik argëtues në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Qendra Rinore Publike. Fëmijët e shkollave të Skenderajt dhe të institucioneve të tjera edukative, kanë shfaqur një program të pasur artistik me valle, këngë dhe pika të tjera artistike të realizuara me mjeshtri nga vogëlushet dhe vogëlushët pjesëmarrës.

Në hapje të këtij aktiviteti, Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Hajriz Koci, në emër të institucioneve lokale i ka uruar të gjithë fëmijët me rastin e 1 Qershorit, duke shprehur angazhimin e institucioneve lokale në avancim të pozitës së fëmijëve dhe përkrahjes në realizimin e të drejtave të tyre.

Fëmijët e pranishëm të shoqëruar nga mësimdhënësit dhe prindërit e tyre, janë argëtuar në mënyra të ndryshme duke shfaqur edhe talentin e tyre në fusha të ndryshme të artit.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë nxënës të disa shkollave të Skenderajt, ndërsa Qendra Tregtare Arjeta në Skenderaj në cilësinë e sponsorti ka shpërndarë për të gjithë fëmijët ëmbëlsira dhe pije gratis.

Tradicionalisht Komuna e Skenderajt, në mënyra të ndryshme shënon “1 Qershorin” me aktivitete të ndryshme kushtuar fëmijëve. Këtë vit në kremten e kësaj dite kanë marrë pjesë qindra fëmijë.

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Ramosaj: Komuna e Deçanit ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Fitimi i të drejtës për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është …