Në Viti nis punëtoria për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim homologun e tij gjerman nga qyteti i Kirchhainit, z. Olaf Hausmann, si dhe përfaqësues të Universitetit Justus Liebig të Giesenit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Takimi është zhvilluar në kuadër të punëtorisë që ka nisur sot në Viti, e cila i kushtohet menaxhimit dhe përdorimit të qëndrueshëm të mbetjeve organike komunale dhe bujqësore. Punëtoria zhvillohet në kuadër të projektit ORG-VITI – “Përdorimi i qëndrueshëm i mbetjeve organike në Republikën e Kosovës: zhvillimi i koncepteve dhe rrugëve të zbatimit, me shembull Komunën e Vitisë”.

Projekti, i cili ka nisur në qershor të vitit 2024 dhe do të zgjasë deri në maj të vitit 2027, financohet nga Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU) dhe koordinohet nga Prof. Dr. Rainer Waldhardt nga Universiteti Justus Liebig i Giesenit, me angazhimin e bashkëpunëtorit të projektit, Labinot Kryeziu.

Në këtë projekt janë të përfshirë shkencëtarë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndër ta Prof. Dr. Arben Mehmeti dhe Prof. Dr. Hysen Bytyqi, si dhe studiues nga Universiteti Justus Liebig i Giesenit, përfaqësues të Komunës së Vitisë dhe qytetit të Kirchhainit, si dhe partnerë të tjerë nga Kosova dhe Gjermania.

Gjatë takimit, kryetari Haliti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Vitisë dhe Kirchhainit, duke vlerësuar se ky partneritet tashmë përbën një urë që lidh jo vetëm dy komunat, por edhe qytetarët, institucionet dhe universitetet e të dyja vendeve.

“Vitia dhe Kirchhain kanë ndërtuar një partneritet të fortë, i cili tashmë është institucionalizuar edhe përmes binjakëzimit. Ky bashkëpunim nuk është vetëm mes dy komunave, por është një urë që lidh qytetarët, institucionet, universitetet dhe komunitetet tona”, ka thënë Haliti.

Ai ka vënë në pah se një nga fushat ku ky bashkëpunim është veçanërisht i rëndësishëm është zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, duke e cilësuar menaxhimin e mbetjeve organike si një çështje me rëndësi të veçantë për Komunën e Vitisë.

Sipas tij, përmes këtij projekti synohet që të mësohet nga përvojat e mira të partnerëve gjermanë dhe të shqyrtohen mundësitë për përshtatjen e praktikave të qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve edhe në Komunën e Vitisë.

“Vlera e partneritetit tonë qëndron pikërisht këtu të mësojmë nga njëri-tjetri, të ndajmë përvojat dhe së bashku të gjejmë zgjidhje konkrete për të ardhmen. Vizioni ynë është që bashkëpunimi ndërmjet Vitisë dhe Kirchhainit të mos mbetet vetëm në marrëdhënie të mira, por të sjellë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme për qytetarët tanë”, ka deklaruar kryetari Haliti.

Projekti ORG-VITI synon zhvillimin e koncepteve dhe mënyrave të zbatimit për përdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike komunale dhe bujqësore. Në kuadër të tij po zhvillohen edhe mbledhja dhe analizimi i mostrave të mbetjeve organike në Viti, përfshirë analizat për përmbajtjen e metaleve të rënda dhe mbetjeve të pesticideve.

Bashkëpunimi në kuadër të ORG-VITI mbështetet në partneritetin e qëndrueshmërisë ndërmjet Vitisë dhe Kirchhainit, i cili ka filluar në vitin 2017 dhe është formalizuar përmes marrëveshjes së binjakëzimit në vitin 2023, si dhe në bashkëpunimin akademik ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Justus Liebig të Giesenit, i cili daton që nga viti 2012.

Përmes këtij projekti, përvojat dhe rezultatet e fituara në Komunën e Vitisë synohet të jenë të zbatueshme edhe në komunat e tjera të Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Shfaqet dokumentari “AKUZAT NUK QËNDROJNË”

Në Galerinë e Arteve në Ferizaj u shfaq dokumentari “Akuzat nuk qëndrojnë” me skenar dhe …