Sot në Viti, është duke u mbajtur një tryezë diskutimi me temën “Sfidat dhe mundësitë për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike në komunën e Vitisë”. Aktiviteti po organizohet nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).
Në hapje të takimit, zv. kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, mbajti një fjalë rasti, ku theksoi rëndësinë e diversitetit kulturor dhe fetar në komunë.
“Ne duhet të kemi parasysh se Komuna e Vitisë është një shembull i veçantë i bashkëjetesës multietnike dhe multifetare. Në qytetin dhe fshatrat tona, qytetarët nga kombësi të ndryshme dhe besime fetare të ndryshme kanë ndërtuar një harmoni të veçantë, të bazuar në respekt, bashkëpunim dhe solidaritet. Ky diversitet kulturor dhe fetar është një pasuri e jashtëzakonshme, por edhe një përgjegjësi që na thërret për të ruajtur dhe përforcuar këtë frymë të mirëkuptimit.”, u shpreh zv. kryetari Aliu.
Ai gjithashtu theksoi përparimet që Komuna e Vitisë, ka bërë në promovimin e barazisë dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve pa dallim kombësie apo feje. “Në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe partnerët tanë kemi hartuar dokumente që në fokus kanë trajtimin e barabartë të qytetarëve, ashtu siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës,” tha Aliu.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
