U mbajt takimi i Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje

U mbajt takimi i Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në Familje, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Komunës, z. Bashkim Ramosaj, Zyrtares për Barazi Gjinore dhe Koordinatores Lokale Kundër Dhunës në Familje, znj. Ajne Ibërhysaj, si dhe përfaqësuesve të të gjitha institucioneve dhe organizatave përgjegjëse që janë pjesë e këtij mekanizmi.

Takimin e udhëhoqi Koordinatorja Lokale Kundër Dhunës në Familje, znj. Ajne Ibërhysaj, ndërsa qëllimi i tij ishte diskutimi i rasteve të raportuara të dhunës në familje, trajtimi institucional i tyre, forcimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale, Shëndeti Mendor, Zyra për Ndihmë Juridike Falas, Institucioni i Avokatit të Popullit, Shtëpia e Sigurt në Pejë, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Gjatë takimit u prezantuan të dhënat për rastet e dhunës në familje të raportuara në Stacionin Policor në Deçan. Sipas të dhënave të prezantuara, deri në muajin shtator janë raportuar gjithsej 27 raste të dhunës në familje, të cilat janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat.

Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe trajtimit të rasteve që përfshijnë të mitur, sfidave në strehim dhe nevojës për koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional, veçanërisht në rastet e ndjeshme që kërkojnë mbrojtje dhe trajtim të specializuar.

Po ashtu, u diskutua edhe për rastet e shëndetit mendor dhe nevojën për kapacitete të reja profesionale dhe infrastrukturore për trajtimin e tyre.

Në përfundim të takimit, Kryetari Ramosaj, propozoi organizimin e një takimi të përbashkët me kryetarët e komunave të rajonit të Pejës – Deçan, Pejë, Istog, Klinë dhe Junik – me qëllim të shqyrtimit të mundësisë për krijimin dhe mbështetjen e një qendre rajonale për trajtimin dhe ofrimin e shërbimeve për personat me probleme të shëndetit mendor.

Anëtarët e Mekanizmit u dakorduan që kjo iniciativë të prezantohet edhe në mekanizmat përkatës të komunave të rajonit, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të kapaciteteve të përbashkëta për trajtimin e këtyre rasteve.

Komuna e Deçanit mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për të gjitha kategoritë në nevojë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Sami Lushtaku: Një aktgjykim i padrejtë, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm për krerët e UÇK-së

Kryetari i komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, aktgjykimin e Gjykatës Speciale e ka quajtur …