leoni

Nexhmush Qamil Elezi (6.4.1979 – 9.4.1999)

Nexhmush Qamil Elezi (6.4.1979 – 9.4.1999)

Nexhmush Elezi u lind më 6 prill të vitit 1979 në Kaçanik. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Kaçanik. Nexhmushi rrjedh prej një familjeje punëtore atdhetare e liridashëse. Prindërit e dëshmorit kishin 5 fëmijë: tri vajza dhe dy djem. Nexhmushi ishte i fundit prej fëmijëve. Meqë jetonte në kushte të vështira, u detyrua të punonte punë fizike, në mënyrë që ta ndihmonte familjen.
Dalja në skenë e UÇK-së Nexhmushin e gëzoi pa masë shumë, prandaj edhe pse ishte fare i ri me moshë shprehur dëshirën menjëherë të angazhohej në radhët e saj. Ai kontaktonte rregullisht vëllezërit Çaka, të cilët në nëntor të vitit 1998 edhe e sistemuan në radhët e UÇK-së. Fillimisht u sistemua në njësinë e policisë ushtarake. Çdo detyrë e kryente me kujdes dhe me kohë e pa përfillur sakrificat. Bashkëluftëtarët e Nexhmushit ishin Nehat Çaka, Fadil Çaka, Ilir Zharku, Abedin Tafili, Faruk Dogani etj. Mori pjesë në betejën e 28 Shkurtit 1999 në Gajre, atë të 8 Marsit 1999, si dhe në betejën përfundimtare të tij më 9 Prilli 1999. Në Rakoc dhe në Lagje të Re ishin të vendosura njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Forcat serbe pas shumë planesh e përgatitjesh, më 9 Prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK-së. Trupat pushtuese, pasi rrethuan qytetin e Kaçanikut, në orën 8 të mëngjesit filluan granatimet në drejtim të përroit të Rakocit dhe Lagjes së Re, duke përfshirë edhe pozicionet e UÇK-së. Granatimet u pasuan edhe me depërtimin e mjeteve motorike në përkrahje të këmbësorisë serbe. Njësitet e Brigadës “162 Agim Bajrami”, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile qëndruan fortë në mbrojtje të pozicioneve të tyre.
Në këto luftime të ashpra në krye të detyrës ranë 28 luftëtarë lirie dhe 32 civilë. Pas luftimeve të rrepta, ballë për ballë me armikun, ra heroikisht edhe Nexhmush Elezi, përkrah Fadil Çakës, Nehat Çakës, Muhamet Zenelit, Faruk Doganit, Ilir Zharkut, Reshat Shehut, Lumnije Rakajt, Jehona Rakajt, Emsale Frangut, Mukadeze Lika-Muhaxherit, Daut Rakocit, Adem Rakocit, Kjani Belajt, Nexhmush Ferajt, Shefket Ferajt, Nevzat Çallakut, Kadri Trenajt dhe Avdurrahim Shehut. Po në këtë betejë nga popullata civile ranë martirët: Xhemajl Brodi, Zijadin Frangu, Nebi Topojani, Gjili Rexha, Hamide Rexha, Nevzike Dogani, Mine Gashi, Tefik Nallbani, Mendu Nallbani, Maksut Nallbani, Nebi Livoreka, Osman Livoreka, Hamide Shehu, Gyli Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, Jonuz Bajra dhe Murat Raka. Varri masiv në Kaçanik, ku ishte varrosur edhe Nexhmushi u hap me 10 Prill 1999.
Nexhmushi ka lënë prindërit Qamilin e Habiben, motrat: Selvetin, Burbuçen dhe Kefserin, vëllezërit: Metushin e Avdushin.
Pas luftës u bë rivarrimi i tij në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik me nderime ushtarake të organizuar nga komanda e Brigadës së luftës 162 ”Agim Bajrami”.
Në 1 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Nexhmush Elezi, në nderim dhe përkujtim edhe të bashkëluftëtarëve të tij, u zbulua pllaka përkujtimore në vendin e rënies në Rakoc të Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …