Raif Azem Krivanjeva (26.5.1966 – 9.4.1999)

Raif Azem Krivanjeva (26.5.1966 – 9.4.1999)

Raif Krivanjeva u lind më 26 Maj 1966 në Stagovë të Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, drejtimin ekonomik, e kreu në qendrën e Arsimit të Mesëm “Skënderbeu” në Kaçanik. Ai ishte ende nxënës kur patën ndodhur demonstratat popullore të vitit 1981 për Republikën e Kosovës. Ajo që ndodhi pas këtij viti ia rriti vendosmërinë dhe e bëri të gatshëm të futej edhe në luftë për jetë a vdekje, që të fitohej liria. Qëndresa e UÇK-së dhe fillimi i luftës së armatosur Raifin e gjeti të gatshëm për armë. Paraqitet si ushtar më 14 Shkurt 1999 në Kompaninë e Dytë të Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, ku dallohet në mesin e bashkëluftëtarëve për guxim, trimëri dhe kryerje të përpiktë të detyrave që i ngarkoheshin. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Raifit ishin: Burim Rexha, Remzi Zharku, Blerim Raka, Abit Dullovi, Mynir Thaçi, Fatmir Horuni dhe Komandanti i tij Izahir Troni. Ishte pjesëmarrës i shumë betejave. Me shtimin e sulmeve serbe kundër pozicioneve të Njësiteve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, dilte për ditë e më shumë në dukje vendosmëria dhe aftësia e tij si ushtar i shkëlqyeshëm. Në Lagjen e Re ishin të vendosura Njësitet e Batalionit të Dytë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Forcat serbe pas një përgatitjeje të madhe, më 9 Prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, ndërmorën ofansivë të ashpër, kundër popullatës civile dhe njësiteve të UÇK -së. Rezistenca çlirimtare zhvillohej edhe për brenda Kaçanikut. Trupat pushtuese, pasi rrethuan qytetin e Kaçanikut, në orën 8, filluan granatimet në drejtim të Përroit të Rakocit dhe Lagjes së Re, ku granatimet e shumta, u bënë edhe në pozicionet e UÇK -së. Ato u pasuan nga mjetet motorike në mbështetje të këmbësorisë, e cila ishte sjellur nga Gjilani, Vitia dhe Ferizaj. Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile po qëndronin fortë edhe në pozicionet e tyre. Raifi ishte njëri ndër ushtarët e parë të UÇK-së që kishte hyrë në qytezën e Kaçanikut, dhe ishte vendosur në Lagjen e Re me bashkëluftëtarët e tij. Ardhja e ushtarëve të UÇK-së në Kaçanik tërboi edhe më shumë armikun. Në mëngjesin e 9 prillit 1999 filloi beteja e përgjakshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe. Toga ku ishte i radhitur luftëtari Raif Krivanjeva, që në fillim të ofanzivës armikut i kishte shkaktuar humbje në teknikë ushtarake dhe ia kishte vrarë shumë ushtarë. Në këto luftime bie në fushën e nderit Raif Krivanjeva. Atë ditë ranë edhe ushtarët e lirisë: Fatmir Horuni, Remzi Zharku, Abit Dullovi, Mynir Thaçi, Sylejman Kuka, Blerim Raka dhe Burim Rexha, si dhe u vranë civilë: Adnan Gula, Riza Koraçi, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi dhe Maliq Zharku.
Beteja e 9 prillit 1999 ishte njëra ndër betejat më të përgjakshme që nga fillimi i luftës në Komunën e Kaçanikut. Po atë ditë edhe në Rakoc ranë heroikisht 18 ushtarë dhe 22 civilë, te vendi i quajtur Përroi i Rakocit.
Raifi la pas vetes gruan dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, si dhe familjen e gjerë.
Familja e tij ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe Komanda e Zonës së Gjashtë të TMK-së. Në shenjë respekti, në vendin e rënies së Raifit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në Lagje të Re është vendosur pllaka përkujtimore. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …