Nga kontaktet me BIA-n te shantazhi: Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit

Prokuroria ka paraqitur aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili ngarkohet me dy vepra penale, spiunazh dhe shantazh, ndërsa në përshkrimin e rastit prokurori Bekim Kodraliu ka paraqitur pretendime për bashkëpunim të tij me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA), mbledhje dhe përcjellje të informacioneve për institucionet e Kosovës, si dhe përpjekje për ndikim në procesin zgjedhor të tetorit 2025. Sipas aktakuzës së lexuar në seancë, Sheholli dyshohet se për një periudhë deri më 9 tetor 2025 ka vepruar në bazë të udhëzimeve që, sipas Prokurorisë, i janë dhënë nga Bojan Dimiç, i përshkruar në aktakuzë si zyrtar i lartë i BIA-s. Prokuroria pretendon se ai ka siguruar dhe përcjellë përmes komunikimeve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente që lidhen me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Një pjesë e veçantë e aktakuzës lidhet me një plan operativ që Prokuroria pretendon se kishte për synim dëmtimin e interesave të Kosovës dhe ndikimin në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas pretendimeve të paraqitura në gjykatë, më 26 shtator 2025 Sheholli kishte udhëtuar drejt Mitrovicës së Veriut, ku dyshohet se kishte pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, së bashku me 5 mijë euro që, sipas aktakuzës, ishin dhënë si shpërblim për kryerjen e detyrës. Prokuroria pretendon se këto materiale më pas i janë dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro, ndërsa Sheholli dyshohet se kishte dhënë udhëzime edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”. Sipas aktakuzës, publikimi i materialeve pak ditë para zgjedhjeve do të mund të ndikonte në procesin zgjedhor, të dëmtonte reputacionin e institucioneve dhe zyrtarëve të Kosovës dhe të krijonte përçarje shoqërore. Pretendimet e Prokurorisë janë paraqitur në aktakuzë dhe do të jenë objekt i shqyrtimit gjyqësor, ndërsa përgjegjësia penale e të akuzuarit duhet të përcaktohet përmes vendimit përfundimtar të gjykatës.

Kontrolloni gjithashtu

Pretendimi i Uk Lushit: “Kurti e di verdiktin e Speciales”, por mungojnë provat publike

Një deklaratë e bërë nga aktivisti dhe veprimtari në Shtetet e Bashkuara, Uk Lushi, ka …