leoni

Një vendim i cilësuar historik (!) si nga Prishtina ashtu dhe nga Beogradi

Rekomandimet që dolën nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbajtur ditë më parë në Nju Jork, për fillimin e bisedimeve lidhur me përkufizimin e statusit të vendit tonë, në Qeverinë e Kosovës u mirëpriten me eufori, duke e cilësuar vendimin, si historik. Po kështu, këtë vendim e ka mirëpritur, madje e ka cilësuar si vendim historik për Unionin Serbi Mali i Zi edhe kryeministri i Serbisë, V. Koshtunica.
Është për t’u habitur si mund të interpretohet vendimi i tillë si vendim historik për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën, kur dihet mirëfilli se pozicionet e këtyre dy palëve negociuese, rreth të ardhmes së Kosovës, janë diametralisht të kundërta, nëse të dyja palët nuk janë marrë vesh paraprakisht për një formulë, për të cilën nuk di opinioni ynë, as ai i Serbisë. Nuk është kjo hera e parë që liderët tanë i bëjnë qejf vetes. Por nuk është Serbia ajo që do të ishte në pozitë për t’i bërë qejf vetes, sepse ajo ka pozicionin e shtetit sovran, të pranuar nga OKB-ja, ndërsa Kosova ka për pozicion nismëtar për bisedime, një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit, e cila ia njeh Serbisë sovranitetin mbi vendin tonë. Është jo vetëm pak e çuditshme përse përqafohet një eufori e tillë, për të mos thënë një papërgjegjësi në interpretimin e fakteve, të cilat dihen botërisht, dhe në to nuk ka kurrfarë fshehtësie, e cila do të linte për të dëshiruar diçka, që ne nuk e dimë.
Që politikanët tanë i marrin përrallat për të vërteta, në këtë fakt nuk ka pse dyshohet, por nuk mund të besohet se edhe serbët kanë filluar t’i bëjnë qejf vetes, përderisa përditë ankohen, dhe nuk kanë ndërruar as edhe grimë nga pozicionet e tyre të ngrira, mitike, rreth Kosovës.
Është vështirë të besohet se ky vendim do të mbetet historik si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Tekefundit ky nuk është kurrfarë vendimi, i cili do identifikohej si vendim historik, sepse nuk është hiç më shumë se një vendim rekomandues për fillimin e negociatave, qofshin ato edhe negociata mes dy palëve kundërshtare. Nuk ka kurrfarë historie këtu, por më shumë se histori ka hipokrizi, frikë, eufemizëm, e pse jo edhe sharlatanizëm politik, sidomos nga pala shqiptare e Kosovës. Vendimi i OKB-së nuk do të thotë se po fillon procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, sikur i bëjnë qejfin vetvetes daullexhinjtë e pacifizmit, qoftë ajo edhe “pavarësi e kushtëzuar” sikur ka ngulur këmbët si mushka në lloç diplomati i Berishës, Besnik Mustafaj.
Është një e vërtetë tjetër e frikshme për të gjithë shqiptarët liridashës në këtë ta quajmë vendim, por kurrsesi historik sepse ende nuk ka ndodhur historia, ajo është vënë në proces dhe jo prej sot e dje, por qysh prej vitit 1912. Do të ishte iluzore dhe naive të besohej se Kosova do ta fitojë pavarësinë, se Serbia do të heqë dorë nga Kosova. Vetëm naivët, sharlatanët, iluzionistët dhe njerëzit e papërgjegjshëm e të paditur mund të ushqehen me andralla të tilla. Do të ishte punë shumë më e mençur, sidomos për ato forca që quhen opozitare në Kosovë, që ta sforcojnë frikën e arsyeshme rreth mundësisë së degjenerimit të procesit, sesa të bëhen edhe vetë daullexhinj të iluzionit se me të filluar procesi do të fitohet pavarësia. Opozita, mjerisht ka droje se po bëhet pavarësia, (nëse ndodh ndonjë mrekulli), dhe ajo po mbetet jashtë procesit. Në rast të tillë druan se do të mbetet pa merita. Dhe ky segment tregon se kemi një opozitë, e cila po ashtu ushqehet me iluzione, dhe nuk dallon fare nga pozita, sa i përket çështjeve kyçe, çështjeve fundamentale të vetëvendosjes.
Në këtë valle të euforisë për vendime historike, mjerisht po marrin pjesë edhe drejtuesit e mediumeve partiake dhe analistët e vetëquajtur, të cilët me analizat e tyre të përmbajtjes eklektike, mundohen të krijojnë bindjen se Kosova tashmë qenka e pavarur. Ata bëjnë përpjekje, që tërë procesin e vështirë dhe tejet të mundimshëm që na pret, ta kalojnë duke i bërë qejf vetes dhe duke mbjellë në opinion bindjen, se ja më në fund po na vjen pavarësia.
Është mjerim i vërtetë që në momente të tilla kyçe, të cilat na presin, ne nuk kemi një artikulim tjetër, një artikulim që do t’i shtynte proceset përpara dhe që do të ishte pjesa rezervë e tërë këtij procesi. Ne kemi një artikulim belbëzues të disa kullerëve të dalldisur që brohorasin “UNMIK jashtë Kosovës”, UNMIK-FUND dhe “Vetëvendosje”.
Të paktën, tash për tash, nuk kemi një masë të organizuar, unike, të qëndrueshme, masive, një masë të fortë uragan-reaguese, e cila do të përballonte sfidat që na presin. Historia vazhdimisht i ka përqeshur dhe i ka rruar paq, ata që bëjnë shaka me vetveten dhe ata që i bëjnë qefin vetvetes. Kjo më së miri hetohet në tërë historinë tonë kombëtare, sepse duke i bërë qejf vetes, kemi ngelur në verigat e pesë shteteve të Ballkanit, por në asnjërin prej tyre nuk jemi zotërues të vërtetë. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …