Brickos

Një vepër për jetën e heroit, Rexhep Mala, shkruar nga Agim Sylejmani

Në mesin i militantëve të njohur të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe luftëtarët e NDSH-së dhe organizatave të tjera atdhetare, që kishin për synimin çlirimin e Kosovës e viseve të tjera dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, përherë do të mbetet i paharruar, militanti i pa epur i lirisë, heroi i kombit, Rexhep Mala.

Bashkëveprimtari i heroit, Agim Sylejmani ka nxjerrë në dritë  romanin, “Rrugëtimi i një vigani”. Ai në faqet e këtij libri ka sjellë po thuajse të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë e jetës së Rexhep Malës, familjes, e cila e mbështeti dhe nuk iu nda asnjëherë, ka sjellë aktivitetin e tij në mesin e bashkëveprimtarëve qysh nga koha e rinisë së hershme e deri në momentin kur me revole në dorë, së bashku me militantin, Nuhi Berisha ka rënë në Altarin e Atdheut, në Kodrën e Trimave, ië Prishtinë,  në natën e 11-12 janarit të vitit 1984, në një përleshje krejtësisht të pa barabartë me inspektorët dhe milicët e UDB-së, titiste e rankoviçiste.

I ndodhur përballë sfidës për të shkruar një roman sipas teorisë standarde të kësaj gjinie të prozës, apo një proze  dokumentare të letrarizuar, autori ka aplikuar këtë të fundit, e cila i ka krijuar më shumë hapësirë për t’i sjellë lexuesit fakte, ngjarje, ndodhi, episode, me të cilat ka arritur të sajojë një monografi letrare të një lloji të veçantë, të lehtë për ta lexuar e për ta kuptuar, meqë  ky ka qenë edhe qëllimi primar i autorit të librit.

Agim Sylejmani është emër i njohur i Lëvizjes kombëtare, por edhe shok i heroit, Rexhep Mala që nga fëmijëria. Ai, si askush tjetër e ka njohur për së afërmi heroin e Kosovës, i cili në momentet vendimtare të Lëvizjes, asnjëherë nuk ishte kënaqur me të arriturat, por prore kishte kërkuar më shumë, kishte ofruar më shumë dhe kishte dhënë  me shumë se të tjerët.

Shpirti i tij i lindur revolucionar, edukata e pastër në familje dhe përgjithësisht në rrethin e tij shoqëror, kontakti me kreun e Lëvizjes së Anamoravës e Gjilanit ku Lëvizja Çlirimtare kishte disa nga bardët e saj, bën që Rexhep Mala me kohë të çimentohet si pjesa më e fortë e vertebrës së kësaj Lëvizjeje.

Lëvizja jonë Kombëtare, në kohë dhe rrethana të ndryshme historike ka nxjerrë në dritë emra kulmorë në çdo etapë të zhvillimit e rritjes. Në mesin e atyre militantëve më të paepur të lirisë sidomos në vitet 80, Ai do të mbetet promotori i Lëvizjes, veprimtari i cili asnjëherë nuk ishte mëdyshur dhe asnjëherë nuk kishte besuar se Kosova mund të çlirohej nga robëria shekullore pa kryengritje dhe pa luftë të armatosur.

Pikërisht  atëherë kur UDB-ja dhe klasa politike e komunistëve të Kosovës, poltrone dhe servile e Beogradit zyrtar, kishte goditur Lëvizjen Çlirimtare duke arrestuar e dënuar dhjetëra mijëra shqiptarë liridashës, Rexhep Mala sillte ilegalisht armë dhe municion me qëllim për të krijuar bërthamat e para të luftës së armatosur kundër pushtuesit e robëruesit serb.

Duke qenë marathonomak i lindur, duke rrugëtuar pandashëm nga një trevë e Shqipërisë në tjetrën, duke lëvizur legalisht dhe ilegalisht edhe nëpër vende të ndryshme të Jugosllavisë dhe Evropës, Rexhep Mala, jo vetëm që nuk e ndaloi as për një çast hapin e tij, por nuk u kursye asnjëherë për ta dhënë shembullin personal.

Besimi i tij në fitore, urrejtja e papërmbajtur kundër pushtetit kolonizator, ishin alfa dhe omega e jetës së tij të cilat në mënyrë analitike dhe sintetike i ka pasqyruar,  shkrimtari, Agim Sylejmani në romanin e personazhit: “Rrugëtimi i një vigani”.

Autori, në hartimin e kësaj vepre është udhëhequr nga një metodologji dhe teknikë e thjeshtë në mbarështimin e temës dhe përmbajtjes. Ai ka përshkruar mjaft mirë rrethanat, që kanë mbretëruar në Kosovë, në kohën kur kishte lindur heroi i ardhshëm, duke pasqyruar klimën dhe frymëzimin kombëtar, që kishin lënë trashëgim viganët e Lëvizjes kombëtare si: Mulla Idris Gjilani, Gjon Serreçi, Abdullah Krashtica e shumë atdhetarë të tjerë të njohur të historisë sonë kombëtare. Lindja dhe rritja e tij në një ambient ku luftërat kundër çdo pushtuesi  dhe qëndresa kishin qenë burim primar i frymëzimit, doemos se kishte reflektuar me mendjet e çlirimtarëve të ardhshëm të kësaj ane. Anamorava dhe Gjilani, qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, kishin mbetur bastionet ndër më të spikaturat  të Lëvizjes Çlirimtare me emrat e njohur që lidhen me veprimtarinë kombëtare të Metush Krasniqit, të Kadri Zekës, Hydajet Hysenit e Rexhep Malës dhe një duzine të tjerë veprimtarësh militantë, shumica prej të cilëve janë personazhe të koduar apo reale në këtë roman.

Romani, “Rrugëtimi i një vigani”, i shkrimtarit, Agim Sylejmani plotëson sado pak prozën tonë ende të munguar me këtë përmbajtje, që trajton tematikën e Lëvizjeve tona të pandërprera për liri, drejtësi dhe bashkim kombëtar.

Në shkrimet dhe botimet e shumta të këtyre viteve të  pas luftës sonë çlirimtare, vërehet një tendencë e shkrimit dhe botimit të monografive publicistike, e cila e ka dominuar prozën e mirëfilltë, edhe pse kjo ka mundësi të pashtershme për trajtimin e temave nga e kaluara.  Agim Sylejmani, me romanin e tij për jetën dhe veprën e viganit, heroit, Rexhep Mala ka dhënë një kontribut jo vetëm modest në këtë drejtim.

 

(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …