NUHI BYTYÇI: Lajmi për ndarjen nga jeta të Fahredin Etemit-Ladës, jehoi me dhembje të madhe në Kosovë dhe më gjerë

NUHI BYTYÇI: Lajmi për ndarjen nga jeta të Fahredin Etemit-Ladës, jehoi me dhembje të madhe në Kosovë dhe më gjerë

Lajmi për ndarjen nga jeta të Fahredin Etemit-Ladës, jehoi me dhembje të madhe në Kosovë dhe më gjerë.

Largimi i tij nuk është humbje vetëm për familjen Etemi, por edhe për kolegët, shokët dhe miqtë e tij. Fahredini-Lada ishte njëri ndër fotografët më të njohur në kryeqytetin e Kosovës, i cili krahas kryerjes së punës së tij profesionale si fotograf dhe dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë më të re, para gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, ai ishte edhe veprimtar i Lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, mbështetës dhe veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetës i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i të gjitha zhvillimeve të periudhës së ndërtimit të shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës. Kujtimet për Ladën si fotograf dhe para së gjithash si njeri human, atdhetar dhe shok i vërtetë janë të shumta. E kisha njohur në vitet 80-të përmes vëllait të tij Isa Etemit, me të cilin kemi punuar në TV e Prishtinës deri më 5 korrik 1990.  Lada ka qenë fotograf personal i simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi,   i Komandantit të UÇK-së të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafës-Remit, fotograf i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, i Shoqatës së ish-të burgosurve politikë të Kosovës, i TMK-së dhe FSK-së, Ushtrisë së Kosovës, fotograf i Kryetarit të komunës së Prishtinës pas çlirimit, si dhe ka përcjellur dhe fotografuar në shumë ngjarje politike, kulturore, arsimore dhe të tjera me interes kombëtar. Ai ka fotografuar edhe protestat dhe demonstratat e shumta që mbaheshin në Prishtinë e jashtë saj duke kundërshtuar veprimet e regjimit serb mbi shqiptarët. Të gjitha këto punë me interes të veçantë Lada i bënte gratis dhe nuk mund ta gjesh edhe një fotograf të tillë në Prishtinë që ka kontribuar më shumë se ai në këtë mënyrë për institucionet dhe komunitetin në përgjithësi.

Me Ladën jam takuar më së shpeshti pas luftës përmes takimeve që kishim me Bacën Adem Demaçi, Shqiptar Demaçin, Rrustem Mustafën-Remin, Selatin Novosellën, Shemsi Sylën, Fatmir Sopin, Xhelal Pakashticën dhe veprimtarë të tjerë.

Mbaj mend kur në dyqanin e tij Foto Canon prapa Teatrit Kombëtar  në Prishtinë të gjithë familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës, ish-të burgosurve dhe njerëzve të sakrificës ua bënte dhe përgatiste fotografitë pa asnjë kompensim.

Me Ladën kam bashkëpunuar ngushtë pas luftës edhe unë si gazetar dhe autor i dokumentarëve për dëshmorët e lirisë, me ç’rast më ka ndihmuar shumë për dizajnimin e fotografive të dëshmorëve dhe figurave të tjera kombëtare. Punën që e bënte ai dhe fëmijët e tij, vajza Ajla dhe djemtë Endriti e Petriti  ishte me përkushtim të veçantë dhe profesionalizëm. Edhe me këtë rast, asnjëherë nuk pranonte që të kompensoheshin për punën e bërë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin më të lartë për ata që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e Kosovës.

Lada ishte mysafir special edhe me rastin e promovimit të librit tim monografik “LIBRI I LUFTËS” më 4 mars 2019, ku nuk e la pa i bërë edhe disa fotografi të rralla me kolegët, shokët dhe familjarët e mi të pranishëm në këtë ngjarje.                                                                                    Mirëpo, nuk do ta harroj kurrë 17 gushtin e vitit 2020, ditën kur ditën e fundit të punës shkova në Radiotelevizionin e Kosovës për tu përshëndetur me kolegët e mi. Te porta e RTK-së takoj Ladën me fotoaparat në dorë. Atë e kishte ftuar djali im – Arianiti  dhe nuk më kishte informuar fare se menaxhmenti i RTK-së bashkë me koleget dhe kolegët e mi kishte organizuar përcjellje të befasishme, të veçantë me rastin e pensionimit tim. Lada nuk dëshironte ta zbulonte “sekretin” dhe nuk më tregoi fare për skenarin e përgatitur enkas për mua. Dita e fundit e punës sime si gazetar dhe redaktor në RTK ishte dhe mbetet ditë vërtetë e paharrueshme për mua. Këtë Lada e dëshmoi me fotografitë e tij profesionale që mi bëri me rastin e organizimit të ceremonisë së pensionimit tim në studion e RTK-së, ku nga udhëheqja dhe kolegët e RTK-së mora edhe Mirënjohje të posaçme për punën time gati 50 vjeçare si gazetar.

Takoheshim shpesh me Ladën në dyqanin e tij dhe këmbenim mendime për projektet e reja dokumentare. Në dyqanin e tij kishte një arkiv të jashtëzakonshëm të fotografive dhe xhirimeve që kanë të bëjnë me shumë ngjarje me rëndësi të posaçme për sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës gjatë rrugëtimit të tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe të ndërtimit të shtetit të ri demokratik të Kosovës. Kur më tregonte për pjesëmarrjen në shumë tubime të pajtimeve  të gjaqeve në Drenicë, Llap e rajone tjera të Kosovës, për bashkëpunimin me Prof. Anton Çettën, Zekeria Canën, për demonstratat e shumta kundër Serbisë, për vizitat dhe aktivitetet e ndryshme të simbolit të rezistencës sonë kombëtare Bacës Adem Demaçi, për fotografitë e luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për përcjelljen si dëshmitar dhe dokumentues faktik përmes objektivit të aparatit të tij, i pata propozuar që ti seleksionoj fotot në të rëndësishme para, gjatë dhe pas luftës dhe ta realizojmë një film dokumentar për punën dhe kontributin e tij, Lada me modestinë e tij të tepruar më thoshte: “Jo, ska nevojë, sepse kjo i bjen me e reklamu veten. Më vjen keq, por për tjerët mundem me fole, por për veti jo!”. I tillë ishte Lada. I sinqert, korrekt, i afërt, bashkëpunues dhe shok i vërtetë.

Mbaj mend edhe një takim para disa muajve, saktësisht më 8 maj të këtij viti, kur disa prej shokëve dhe miqve na ftoi në një darkë në dyqanin e tij. Ishim bashkë me djalin e Bacës Adem – Dr. Shqiptar Demaçin, me vozitësin e  Bacës Adem – Xhelal Pakashticën, Ibrahim Arsllanin, Agim Krasniqin, Enver Pakashticën, Bahri Rexhën dhe Sallah Fetën, na tha: “Kisha dëshirë që tju takoj bashkë dhe vetëm për qef!” Si zakonisht edhe kësaj radhe ishte i hareshëm,  i këndshëm dhe shumë i afërt, bashkë me fëmijët e tij të edukuar na pritën dhe shërbyen sikur priten dhe respektohen miqtë e kohëve të vështira. Na i bëri edhe disa fotografi, të cilat i ruaj me kujdes të posaçëm.

Ai merrte pjesë në të gjitha promovimet e veprave të Adem Demaçit. Herën e fundit, më 26 korrik 2021 ishim bashkë edhe me rastin e promovimit të  librit të Demaçit  “BURGJET E MIA  –  FATI IM I MADH”, në organizim të Selatin Novosellës nga Shoqata e ish-të burgosurve politikë të Kosovës. Aty bëmë bashkë edhe një fotografi me Ladën, Shqiptar Adem Demaçin dhe Xhelal Pakashticën. Unë insistova që Lada të fotografohet me ne, sepse ai ishte mësuar që të fotografonte të tjerët, kurse veten jo. Edhe këtë foto do ta ruaj si ndër kujtimet më të mira të jetës sime.

Gjatë muajve në vijim takoheshim herë pas here në dyqanin e tij dhe pinim ndonjë kafe në qendër të Prishtinës. Përherë na ofronte ushqime dhe pije bio dhe kishte energji pozitive, gjithmonë optimist për jetën. Mirëpo, sëmundja e rëndë që e kishte prekur në moshë ende të re, na e shkëputi nga jeta dhe na la pa kolegun, shokun, mikun e njeriun e madh prej humanisti e atdhetari për të kontribuar ende për interesa të përgjithshme.

Ne kolegët, shokët e miqtë do ta kujtojmë përherë me mburrje, si njeriun tonë të respektuar. Familja dhe farefisi i tij duhet të jenë krenare që e kishte një prind, bashkëshort, vëlla dhe familjar të tillë, të dashur dhe të çmuar nga të gjithë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …