Brickos

Kotlinë

OVL e UÇK-së, dega në Kaçanik dhe Komanda e Brigadës 162, “Agim Bajrami” i kundërpërgjigjet Nexhmedin Lokut

OVL UÇK- DEGA NË KAÇANIK DHE KOMANDA E BRIGADËS 162 “AGIM BAJRAMI” I KUNDËRPËRGJIGJEN SHKRIMIT TË NEXHMEDIN LOKUT, I CILI ËSHTË MANIPULUAR PËR ARSYE SE NË KOHËN E LUFTËS KA QENË VETËM 12 VJEÇAR DHE NUK KA MUNDËSI T’I DIJË NGJARJET E VITIT 1999

  • Përgjigje në fjalinë e parë: “kujtojmë ditën e tmerrshme të fshatit Kotlinë me gënjeshtra”, zotërisë në fjalë ia bëjmë më dije se, më 24 mars 1999 fshati Kotlinë është sulmuar nga forcat serbe dhe është bërë luftë e pabarabartë ndërmjet forcave të UÇK-së dhe njësive paramilitare e militare serbe.
  • Përgjigje në fjalinë e dytë : “I kanë ndarë të vrarët disa në fshat e disa te varrezat e dëshmorëve”, i kujtojmë zotërisë se, më 24 mars 1999 në Kotlinë është luftuar dhe se ai ka qenë i ri dhe nuk e kujton mirë ngjarjen, ndërsa “mësuesi” i tij i keq, që e ka mësuar ta bëjë shkrimin, nuk ia ka mësuar të vërtetën. Ne si OVLUÇK, pohojmë se atë ditë janë vrarë 14 civilë dhe 11 ushtarë të njësive të UCK-së. Ushtarët e rënë janë varrosur në Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa martirët janë varrosur në Kompleksin e fshatit afër shkollës në Kotlinë.
  • Përgjigje në fjalinë e tretë: zotëria si 12 vjeçar në atë kohë prapë është manipuluar keq nga “mësuesi” i tij, i cili thotë se ka qenë edhe një numër i ushtarëve të UCK-së që janë detyruar të tërhiqen. Ne i themi se, sot kemi shumë dëshmitarë të asaj dite të rëndë për qytetarët e Kotlinës që e dinë ngjarjen më mirë sesa “mësuesi” juaj manipulues.
  • Përgjigje në fjalinë e katërt: ku zotëria interesohet për “bashkëpunëtorët e UDB-së e posaçërisht të atyre nga fshati Kotlinë”, i sugjerojmë që për të gjitha pyetjet e parashtruara t’u drejtohet organeve të prokurorisë, gjyqësisë dhe drejtësisë në përgjithësi, që besoj do t’i merrni përgjigjet e nevojshme.
  • Aty ku zotëria thotë: “ në fshatin Kotlinë ishte një Batalion i UÇK-së me Komandant Selman Kuqin dhe zëvendëskomandant Adem Kuqin, ku konstaton se ky me vëllezër ka hapur puset ku janë masakruar njerëzit tanë”. Ia bëjmë me dije zotërisë që hapja e puseve është bërë para lufte dhe se nuk mendojmë që e kanë ditur dhe i kanë përgatitur për masakrën që do të ndodhë në kohën e luftës, por prapë po shihet se ishe i ri dhe “mësuesi” të ka manipuluar. Në pyetjen “kush i vendosi në krye të Batalionit këta njerëz?”Edhe pse nuk jemi të obliguar të japim përgjigje në këtë pyetje, por për hir të opinionit kaçanikas dhe më gjerë, ju njoftojmë se Selman Kuqin e ka emëruar Komandant të Batalionit të Tretë Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, në krye më Komandantin e Brigadës Qamil Ilazin, për çka ekziston edhe vendimi i emërimit të tij si dëshmi. Në pyetjen “pse pikërisht ata që hapën puset?” Prapë ua bëjmë me dije se ju keni qenë i ri dhe nuk i kuptoni këto punë, por opinionin kaçanikas dhe më gjerë e njoftojmë se Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” nuk ka mundur të dijë se kush ka hapur puse para luftës. Në pyetjen “kush mori vendim të shpërndahet batalioni (e që ndryshe quhet dezertim)”, e njoftojmë zotërinë dhe të gjithë opinionin kaçanikas se Batalioni i Tretë nuk është shpërndarë, por është bërë riorganizimi i njësive të UÇK-së dhe se në Luftën tonë Çlirimtare nuk ka pasur dezertim. Të gjithë ushtarët e Kotlinës që kanë shpëtuar nga masakra e 24 marsit 1999 janë tërhequr në vende të sigurta dhe pastaj janë kthyer prapë në njësitë e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
  • Përgjigje në fjalinë e dhjetë (10) : ku zotëria qan hallin pse “nuk i ka bërë 30 minuta rrugë për largim por i ka bërë 36 orë”. Ne përsëri ia kujtojmë se, meqenëse ka qenë i ri dhe nuk ka qenë në gjendje ta kuptoj situatën, “mësuesi” i tij e ka manipuluar, por ne ia bëjmë me dije këtij dhe opinionit të gjerë se UÇK-ja nuk i ka larguar banorët nga shtëpitë e tyre por këtë e kanë bërë forcat okupatore serbe. Është për keqardhje që zotëria nuk dëshiron ta kuptojë se i gjithë populli shqiptar ishte i pafajshëm, duke përfshirë këtu edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që luftonin për të mbrojtur vendin tonë.
  • Përgjigje në fjalinë e njëmbëdhjetë (11): aty ku thuhet se “si ka mundësi që masakrën e 24 marsit ta quani betejë”, e njoftojmë zotërinë se më 24 mars 1999 është zhvilluar një betejë e ashpër ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së në fshatrat Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe se gjatë këtyre luftimeve ka ndodh masakra e Kotlinës ku janë masakruar 14 civilë dhe 11 ushtarë të UCK-së. Dezertorë nuk ka pas nga ana e ushtarëve të UCK-së, por ka pas tërheqje nga ana e disa ushtarëve në pamundësi për t’i përballuar forcat e mëdha serbe. Ndërkaq sa i “përket bashkëpunëtorëve të UDB-së” prapë i kërkojmë zotërisë që t’u drejtohet organeve të drejtësisë. Luftimet në Kotlinë i ka udhëhequr Komandanti i Batalionit të Tretë. Në pyetjen “sa ushtarë kishte Batalioni i Tretë?” përgjigjen e keni në arkivat e UCK-së. Në pyetjen “sa serb i vratë gjatë luftimeve?” pyeteni Beogradin. Në pyetjen “si ndodhi që civilët të jenë bashkë me ushtarët?”Zotërisë ia bëjmë me dije se ata 11 qytetarë kanë qenë të vendosur të qëndrojnë krah përkrahë me ushtarët e UÇK-së dhe u munduan t’ju ndihmojnë deri në vetëflijim. Serbia nuk mund të shpëtojë nga masakrat e kryera në të gjithë Kosovën, por ajo duhet të paditet për ato masakra, kështu që edhe familjarët duhet të afrojnë paditë e tyre në organet e drejtësisë dhe duhet të jenë këmbëngulës në këtë drejtim.
  • Aty ku thoni “ në një medium të lodhur” ky zotëria nuk na habitë se ka qenë i ri dhe nuk e di kontributin dhe vlerën e këtij mediumi, por na habit “mësuesi” i tij, i cili flet me gojën e Beogradit. Zotërisë dhe opinionit ua bëjmë me dije se mediumi “TV Dielli” është vazhdimësi e radios “Kosova e Lirë”, e cila ishte Zëri I Lirisë në kohën e luftës. Këtë medium dëshirojnë ta njollosin vetëm Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj. Edhe njëherë ua bëjmë me dije të gjithëve se “TV Dielli” është medium i përkushtuar ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, heroizmit të dëshmorëve, qëndresës së luftëtarëve të lirisë dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri e pavarësi.
  • Aty ku i drejtohesh “komandantëve, komunës dhe organizatave të dala nga lufta, pse nuk i rregulloni një hyrje të veçantë varrezave të martirëve”, këtë pyetje ky djalosh i ri duhet t’ua drejtojë udhëheqësve së fshatit Kotlinë dhe udhëheqësve të shkollës në Kotlinë.
  • Aty ku i drejtoheni “komandantëve se kush i dërgoi në Hagë për të dëshmuar kundër Millosheviçt dy njerëz injorantë e të papërgatitur për ngjarjen e Kotlinës”, e dimë se ju keni qenë i ri dhe nuk i kuptoni këto procese por prapë “mësuesi “juaj ju ka manipuluar. Nëse nuk e dini, ju njoftojmë se ne nuk kemi pasur mundësi dhe as nuk kemi qenë autoriteti që kemi mundur t’ia caktojmë Gjykatës të Hagës dëshmitarët. Po na habit fakti se “mësuesi” juaj po ju manipulon për interesa personale. Personat që kanë dëshmuar në Hagë nuk janë injorantë e as të papërgatitur, njëri nga ta, para lufte dhe në kohën e luftës ka qenë drejtor i shkollës në Kotlinë, ndërsa tani është edhe profesor. Këta dy persona kanë qenë dëshmitarë të kohës dhe të njëjtën e kanë prezantuar para Gjykatës së Hagës. Faktet e masakrës (si drunjtë e përgjakur që u rrahën e u mbytën vëllezërit tanë, rroba të shqyera e të përgjakura, shenja të ndryshme a i ruani diku apo i zhdukët) , këtë pyetje bëja prindit tënd dhe gjithë atyre që kanë marrë pjesë gjatë gjithë procesit të zhvarrosjes së trupave të pajetë në masakrën e Kotlinës. Përgjegjësia për ruajtjen apo mosruajtjen bie mbi ju, këtë “mësuesi” juaj e di por prapë manipuloi me ju.
  • Aty ku thoni ”tendencë për të ndërruar identitet” , e njoftojmë këtë djaloshin e ri se ka ndodh një gabim teknik në vend të Ibush Loku shkruhet Ibish Loku, gjë që nuk quhet tendencë.
  • Aty ku thoni “njerëz më dëshmi të dobëta të luftës”, prapë ju njoftojmë se të gjithë ato nëna, gra, baballarë, vëllezër dhe ushtarë të UCK-së kanë folur më kompetencë se kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes. Për këtë keni qenë të ftuar ju dhe familja juaj por me siguri “mësuesi” juaj iu pengoi të merrni pjesë në këtë dokumentar.
  • Aty ku thoni ”se si ndihen familjarët e të rënëve në këtë masakër”, iu njoftojmë se të gjitha familjet e të rënëve në këtë masakër, martirë e dëshmorë, kanë qenë të kënaqur më këtë organizim përveç jush dhe “mësuesit” tuaj që ju manipuloi.
  • Pas konsultimeve me të gjitha familjet e dëshmorëve dhe të martirëve, të rënë më 24 mars 1999 në Kotlinë, përveç jush dhe “mësuesit” tuaj, për çdo vit do t’i kujtojmë me dhimbje dhe krenari.

OVLUÇK-dega në Kaçanik kërkon nga ju dhe “mësuesi” juaj që të mos e njollosni luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit për liri, në veçanti mos e keqpërdorni gjakun e të rënëve për liri dhe në veçanti gjakun e vëllezërve të tu.

Kërkojmë edhe njëherë, në emër të OVLUÇK-së në Kaçanik dhe në emër të gjithë luftëtarëve të lirisë, që të jeni të matur dhe mos kontribuoni në përçarjen e qytetarëve të Kotlinës, se qytetarët e Kotlinës gjithherë i kanë shërbyer kombit dhe atdheut, respekt dhe falënderim i veçantë nga Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe OVL UÇK, dega në Kaçanik për gjithë qytetarët e Kotlinës për kontributin e dhënë luftës çlirimtare të Kososvës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët në masakrën e Kotlinës dhe i të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Respekt familjeve të dëshmorëve dhe martirëve të Kotlinës dhe të gjithë Kosovës!

​Kryetari i OVLUÇK, dega në Kaçanik

Mr. Hajrush Kurtaj

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …