Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Ferizaj përmes një postimi në facebook njofton se këtë vit i bashkohet iniciativës “Ne nuk harrojmë“, andaj fton gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtij akti të përbashkët përkujtues për viktimat e gjenocidit serb në Kosovë.
Në kuadër të manifestimit kombëtar “Ne nuk harrojmë – Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, të mërkurën më 15 Janar 2025, para objektit të Komunës së Ferizajt, në ora 19:30, do të organizohet ndezja e qirinjve për të kujtuar me dinjitet dhe dhimbje të gjithë ata që humbën jetën nga një krim që mbetet plagë e hapur për popullin tonë.
Në këtë ditë, të gjithë ne që mbajmë në shpirt idealin e lirisë dhe kujtojmë sakrificën sublime të të rënëve, ftoheni të ndezim një qiri në shenjë nderimi e respekti.
Le ta bëjmë këtë akt të vogël, por me peshë të madhe emocionale e historike, për të treguar se populli ynë nuk harron asnjëherë dhimbjen e tij dhe se kujtesa jonë mbetet e përjetshme.
Veteranë të luftës së UÇK-së dhe ju bashkëqytetarë të Ferizajt, bashkohuni me ne!
Të mbledhur bashkë, le t’i tregojmë botës se populli shqiptar qëndron i bashkuar përballë plagëve të tij dhe se kujtimi për ata që ranë për liri nuk do të shuhet kurrë.