Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që do të mbahet nesër në Prishtinë. Nënkryetari i OVLUÇK-së, Gazmend Syla, tha se janë siguruar të gjitha lejet nga Komuna dhe Policia, si dhe është e pranishme një ambulancë për nevoja emergjente. Në mesin e folësve do të jenë Hysni Gucati, Ali Ahmeti, Neveka Tromp dhe një përfaqësues i familjes së një dëshmori. Syla theksoi se protesta ka për qëllim mbështetjen për bashkëluftëtarët që po gjykohen në Hagë dhe paralajmëroi se ky mund të jetë vetëm fillimi i një serie protestash të ardhshme.
