PDK-ja me të vjetrën

Kuvendi i tretë Zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës sikur rikonfirmoi konformizmin, autarkinë, absolutizmin, liderizmin dhe prirjen për të mbajtur të ngrira dhe të pacenuara raportet e udhëheqësve me bazën partiake.
Asgjë nuk ndodhi në drejtim të freskimit me kuadro, në drejtim të krijimit të një klime më të favorshme të demokratizimit të marrëdhënieve përbrenda partisë, edhe pse drejtuesit e kësaj partie, ashtu sikur edhe të partive të tjera në Kosovë, fjalën demokraci, e mbajnë në maje të gjuhës, por kur jepet rasti për ta treguar atë me vepër konkrete, atëherë veprohet në radhë të parë sipas interesave grupore, duke ruajtur dhe duke restauruar status-quonë, sikur ndodhi edhe me Kuvendin e Tretë të partisë më të madhe opozitare në vend.
PDK-ja është parti qytetare, e cila ka shtrirje të madhe në rajonin e Drenicës dhe përgjithësisht në zonat e varfra fshatare malore të Kosovës. Është parti e hapur për të gjithë, ashtu sikurse të gjitha partitë e tjera të Kosovës, me të vetmin dallim se në kreun e kësaj partie, duket sikur kanë zënë vend të përjetshëm disa ish-kuadro politikë të Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe disa nga komandantët e kësaj lufte. Krahas tyre, në organet drejtuese të kësaj partie ka edhe kuadro të përfolur, me të kaluar jo edhe aq të lavdishme, por të preferuar për shkaqe me të cilat edhe merret, përfiton dhe bëhet politika.
Votat për Hashim Thaçin, janë vota për ta ruajtur status-quonë në parti, për ta restauruar linjën aktuale, pa kurrfarë ndryshimi, pa ndonjë perspektivë realiste për të përfituar elektoratin në të ardhmen, mbase edhe me rreziqe të shprehura, për të humbur një pjesë të madhe të elektoratit. Kjo ndodh me faktin se disa veprime të liderit të PDK-së kanë qenë veprime të ngutshme dhe të pamotivuara. Thaçi ishte ndër të parët, i cili pati kërkuar moratorium, nga i cili i pari edhe hoqi dorë. Kërkoi që në Kosovë të montohet modeli i Marrëveshjes së Ohrit, që ishte po ashtu një gaf i madh politik, kur dihet mirëfilli se fati i Kosovës nuk mund të arrihet me marrëveshje të tilla, të destinuara paraprakisht me dështim. Thaçi dhe partia e tij bëri koalicion, të ashtuquajtur gjithëpërfshirës me LDK-së dhe AAK-në, për ta kritikuar pastaj koalicionin tjetër LDK-AAK. Lideri i PDK-së, ka pranuar, që ai dhe partia e tij të marrin pjesë në të gjitha zgjedhjet e deritanishme vendore dhe parlamentare, për t’u bërë pjesë e proceseve politike, që çojnë drejt realizimit të rezolutës 1244. PDK-ja me Hashim Thaçin në krye, ka humbur në katër radhët e zgjedhjeve paraprake të organizuara dhe të mbajtura deri tani në Kosovë. PDK-ja, të paktën tash për tash, ka dështuar në nismën për të denoncuar të ashtuquajturin “Sigurim të Atdheut” dhe korrupsionin në radhët e Qeverisë aktuale, meqë nuk ka arritur të faktojë, ta dëshmojë dhe ta argumentojë realisht korrupsionin, edhe pse dihet mirëfilli se korrupsion kishte edhe në ish kabinetin e Bajram Rexhepit dhe ka aktualisht në kabinetin e Bajram Kosumit.
PDK-ja e pakënaqur me humbjet në zgjedhjet e fundit parlamentare ka krijuar qeverinë në hije, apo të ashtuquajturin “Kabinet të Qeverisjes së Mirë”, që nuk është asgjë tjetër veçse një krijesë improvizuese, krijesë, e cila as e ka vendin as kohën të ekzistojë në Kosovën e mbarsur me qindra probleme kapitale, të pazgjidhura.
Këto fakte do të duhej të ishin të mjaftueshme për delegatët e PDK-së që të kërkonin rrugë të tjera, mbase edhe liderë të tjerë, të cilët do të arrinin më shumë sesa ka arritur kjo parti për gjashtë vjet të ekzistencës. Të paktën kjo duhej të ndodhte, për të ndodhur diçka ndryshe dhe për ta thyer formën arkaike qeverisëse të bajraktarizmit feudal, absolutist, shqiptar.
Partia Demokratike e Kosovës nuk mund të rritet as të forcohet me këto struktura drejtuese, me faktin se si parti e dalë nga lufta, ajo nuk i është përmbajtur konceptit, dhe për interesa e përfitim të elektoratit, ua ka hapur dyert të gjithëve, madje edhe kundërshtarëve të luftës dhe një segmenti heterogjen të anëtarësisë në pikëpamje politike e kombëtare. Pikërisht për këtë, PDK-ja ka stagnuar dhe nuk ka gjasa të fitojë më shumë, por ka gjasa reale të stërkeqet në mungesë vizioni, në mungesë të kreativitetit dhe në mungesë të bërjes tjetër fare të politikës, dhe jo duke kopjuar format amorfe dhe duke vajtur pas politikës, si Muça pas dainjve.
PDK-në, tani e presin sfida shumë të rënda, sidomos me faktin se lideri i saj Hashim Thaçi, pranoi të bëhet pjesë e ekipit negociator, i cili do të negociojë me Beogradin, lidhur me përkufizimin e statusit të Kosovës, dhe duke qenë në këtë ekip, edhe Thaçi ashtu si anëtarët e tjerë, do të ngelë në verigat e rrezikshme të politikës ndërkombëtare, në veriga nga të cilat nuk mund të lirohet askush.
Do të dëshironim që PDK-ja, pikërisht në kohën e fillimit të procesit delikat të përkufizimit të statusit të Kosovës, të ishte “rezervë e artë”, në rast se proceset degradojnë në drejtim të padëshirueshëm, ashtu sikurse edhe pritet të degradojnë, nëse e marrim seriozisht përmbajtjen aspak të volitshme të rezolutës së Senatit Amerikan për Kosovën, të miratuar ditë më parë në Senat. Mjerisht kjo nuk ndodhi. PDK-ja nuk arriti të bëjë kthesë radikale, nuk arriti të lirohet nga liderizmi autarkik, as nga bajraktarizmi dhe absolutizmi i rrezikshëm. Mbetet të shpresojmë se Thaçi dikur “Gjarpri” i rrezikshëm i UÇK-së, gjithnjë i vonuar, por i paparashikueshëm, të bëjë ndonjë katapultim të papritur në ndonjë moment delikat. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmitari amerikan, Shon Bërns, shpjegon para trupit gjykues përmbajtjen e Komunikatës numër 63 të SH të UÇK-së

Në një dëshmi përpara trupit gjykues në Hagë, dëshmitari dhe ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka …