leoni

PËR NJË SHTET SOCIAL E DEMOKRATIK, shkruar nga Ismet Hajrullahu

 


Gjithë historia e shkuar e Kosovës deri më sot ka qenë histori e luftës për liri. Me dëbimin e forcave serbe , për Kosovën dhe qytetarët e saj ka filluar një epokë dhe një luftë e re, luftë për një shtet social dhe demokratik. Mjerisht ky proces historik edhe sot nuk po kuptohet nga pushtetarët e të tria pushteteve. Ata janë lidhur forte pas kolltuqeve të parlamentit , qeverisë, pushtetit lokal si dhe gjyqësisë dhe as që duan t’ia dinë për varfërinë që ka pllakosur disa shtresa të popullsisë. Ata nuk denjojnë të dinë për hallet e invalidëve të luftës, që hiç më pak ia falën kësaj kohe e këtij vendi gjymtyrët e tyre, familjeve të dëshmorëve, që shumë prej tyre kanë ngelur krejtësisht në mëshirën e fatit, pensionistëve, kontributet e të cilëve u grabitën nga pushtuesi, rinisë, qe sillet edhe sot rrugëve me shpresën e vetme se do të mundë te gjejnë një mundësi për t`u larguar nga vendi për një jetë më të mirë … ! Papunësia, varfëria dhe mjerimi kanë arritur skajshmërinë. Po të jetonte në këtë kohë Migjeni, me siguri se do t`i shkruante edhe një herë vargjet e poemës së tij të famshme “Kafshatë që s`kapërdihet or vëlla është mjerimi”.

Moskokëçarja për mjerimin, krimin dhe pasigurinë që ka pllakosur vendin, injorimi që i bëhet shtresave më emblematike të popullit, flet qartë se pushtetarëve nuk i ka mbetur asnjë ndjenjë humane, asnjë ndjejnë drejtësie, për të gjithë ata që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër përveç ndihmës së ashtuquajture sociale, e cila as për së afërmi nuk i plotësojnë nevojat më elementare të këtyre shtresave të popullit. Si pasojë e kësaj është krejtësisht e arsyeshme që qytetarët të zhgënjehen nga kjo qeverisje e keqe. Pushtetarët deri tani do të duhej të ndërgjegjësoheshin se ky zhgënjim sfidon shpresën e moçme të popullit se do te “bëhet mire!”. Ata duhet ta kuptojnë fare mire, se krahas emancipimit të tyre politik bëhet edhe emancipimi politik i qytetarit. Kjo nënkupton se qytetarët, që gjenden në pozicionin hamletjan, “të jesh apo të mos jesh”, pa fajin e tyre, e kuptojnë dhe e kanë krejtësisht të qartë se po jetojnë në epokën e globalizmit dhe jo në epokën kapitalizmit të egër manifaktural.
Para një situate të tillë kaotike, që është krijuar në vend, partitë politike të mirëfillta të opozitës, edhe pse janë të pa profilizuara dhe ndoshta pa përvojë do të duhej t`i merrnin në mbrojtje shtresat e varfra të popullsisë, që janë harruar krejtësisht nga institucionet legjislative dhe ekzekutive, në mos tjetër, të paktën për obligim human.

Një numër i konsiderueshëm parlamentarësh dhe pushtetarësh, në vazhdimësi, me demagogjinë e tyre, e kanë kërkuar dhe e kanë marrë votën edhe nga këto shtresa të popullit, për të zënë vend në ulëset e parlamentit dhe të qeverisë! Pushtetari i tipit të këtillë, sigurisht që ia do votën invalidit, familjarit të dëshmorit, pensionistit dhe të riut, po mirëqenie nuk u sjell, drejtësi nuk u jep! Nuk ua jep as atë që u takon për ta mbajtur, siç thotë populli, frymën gjallë. Prandaj është krejtësisht normale dhe njerëzore që një pjesë e pushtetarëve shihen sot nga shtresat e varfra si shpirttharë e matrapazë që luftojnë here pas here edhe përgjakshëm vetëm e vetëm për pak pushtet.

Populli, i cili nën okupimin serb ka përjetuar vuajtje me përmasa biblike, ka shpresuar dhe besuar se me dëbimin e pushtuesit, pushtetarët e rinj të dalë nga vota e popullit, nuk do t`i shëmbëllejnë nomenklaturës që i shërbeu me servilizëm e devotshmëri pushtetit të okupatorit. E si për ironi, tek qytetari i Kosovës është krijuar përshtypja se ardhja dhe misioni i këtyre pushtetarëve të sotshëm në këtë botë është vetëm fryrja e xhepave dhe bërja e pasurisë se tyre deri në pangopësi! Pushtetarët nuk do duhej të guxonin ta keqpërdorin durimin dhe shpresën e popullit për pavarësi deri në tepri në dëm të mirëqenies sociale, sepse qytetarët krahas ndjenjës së tyre të fortë e të pa kompromis për pavarësinë dhe sovranitetin vendit, kanë edhe ndjenjën, po aq të fortë, që është krejt njerëzore, për rritjen e nivelit të mirëqenies së jetesës së tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Frontit Europian, Bujar Osmani, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë, me epërsi të 40 mijë votave

Kandidati i Frontit Europian për kryetar të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shpallur fitoren …