Deputeti i PDK, Përparim Gruda, ka deklaruar se subjekti i tij kërkon të drejtën për të propozuar dy kandidatë për president të vendit, duke e arsyetuar këtë kërkesë me mungesën e besimit ndaj kryeministrit Albin Kurti. Gruda theksoi se në një proces me votim të fshehtë ekziston rreziku që deputetët e Lëvizja Vetëvendosje të udhëzohen të votojnë vetëm kandidatin e tyre, duke e bërë të pakuptimtë çdo marrëveshje paraprake. “Pse i duam dy emra? Sepse nuk i besojmë Albin Kurtit. Nëse ne propozojmë një dhe Vetëvendosje një tjetër, ai mund t’u thotë deputetëve të vet të votojnë kandidatin e tyre në votim të fshehtë”, deklaroi Gruda. Ai shtoi se procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të jetë më transparent dhe serioz, duke kërkuar që takimet dhe dakordimet për emrin e kandidatit të përfundojnë para seancës dhe të bëhen publike. Sipas tij, ndonëse ka pasur tentativa për takime nga ana e Vetëvendosjes, mungesa e një ftese zyrtare tregon mungesë serioziteti në proces. “Ka pasur tendenca për takim, por pa letër apo ftesë zyrtare. Fakti që i shmanget një komunikimi formal, tregon se nuk dëshiron një proces serioz siç e kërkojmë ne”, u shpreh Gruda.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
