Përparim Ismet Ferizaj (22.8.1979 – 24.5.1999)

Përparim Ismet Ferizaj (22.8.1979 – 24.5.1999)

Përparim Ferizaj u lind më 22 gusht të vitit 1979, në fshatin Kodrali të Deçanit, në një familje me tradita atdhetare. Ishte fëmija i parë i prindërve Ismet e Raze Ferizaj, të cilët lindën e rritën gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza) dhe i edukuan në frymën e shëndoshë kombëtare.
Shkollën fillore e kreu në rrezar (ish-Irzniq), ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” të Deçanit. Mori pjesë në protesta e demonstrata të organizuara në Deçan e më gjerë, kundër okupatorit serb, në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Studimet nuk mundi t’i vazhdojë sepse iu bashkua radhëve të UÇK-së.
Përparimi, si 18-vjeçar, sikurse shumë shokë të gjeneratës së tij, iu përgjigj kushtrimit të luftës për liri, menjëherë pas betejës frontale më 24 mars 1998 në Gllogjan.
Pasi kreu stërvitjet ushtarake, të organizuara nga eprorë të Shtabit të UÇK-së në Gllogjan, më 20 prill 1998 angazhoi aktivitetin ushtarak në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në kuadër të Njësitit të fshatit Kodrali, e më pas në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla” e në Batalionin e Tretë Gardist “Shkëlzen Haradinaj” të ZOD-it.
Përparimi ishte i bindur në drejtësinë e luftës dhe në fitoren e lirisë së pamohueshme të popullit dhe të vendit të vet. Ishte i përgatitur fizikisht e moralisht dhe pa hezitim mori pjesë dhe u dallua në një varg betejash të shënuara anekënd Dukagjinit, si në Gerdaja të Carrabregut, në Baballoç e Prejlep, Llukë të Poshtme e Lumbardh, Gërgoc, Kralan e Buçan, Ratishë e Dashinoc, në Kodrali e Pozhar etj.
Përparim Ferizaj me bashkëluftëtarët e tij, deri më 11 maj 1999, veproi në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, kur transferohet në Batalionin Gardist të Zonës Operative të Dukagjinit. Më 11 maj 1999, sipas urdhressës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, formon Batalionin e Tretë Gardist, i cili merr emrin e luftëtarit, organizatorit e komandantit të shquar, Shkëlzen Haradinaj, i rënë më 16 prill të atij viti. Komandant i Batalionit u emërua Abdyl Mushkolaj.
Në këtë periudhë gjithë Zona Operative e Dukagjinit ishte e përfshirë në luftime të pandërprera kundër forcave ushtarako-policore serbe. Në maj të vitit 1999, me qëllim të bartjes së të plagosurve në frontet e luftës, në kohën që luftimet në Zonën Operative të Dukagjinit po vazhdonin pandërprerë ditë e natë, duke patur edhe mbështetjen ajrore të aleatëve të NATO-s, Batalioni i Tretë Gardist mori përsipër përcjelljen e të plagosurve për në Shqipëri. Bashkë me këta luftëtarë ishte edhe një grup i luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut, që shkonin në Shqipëri për të sjellë armatim, si dhe një pjesë e popullatës civile.
Edhe pse I vetëdijshëm për rrezikun e madh, njësiti i UÇK-së, i prirë nga luftëtarët e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”, nën drejtimin e Abdyl Mushkolajt dhe njësitit vëzhgues të Shkumbin Demalijajt, morën detyrën për të transferuar grupin e luftëtarëve të plagosur rëndë në drejtim të Shqipërisë. Detyrimisht duhej të kalonin nëpër zonat e kontrolluara nga armiku. Nga Mazniku kaluan në Broliq, e pastaj në Strellc, për të kaluar nëpërmjet Bjeshkëve të Strellcit.
Më 24 maj 1999, pas rrugëtimit të vështirë dyditor, nëpër terren të vështirë, e maja me dëborë, ata kishin arritur të kalojnë Bjeshkën e Strellcit. Kolona me të plagosurit e shtrirë në lese, la pas edhe stanet e Bjeshkës së Belegut. Mjegull e dendur. Të lodhur, të rraskapitur, luftëtarët marshonin përpara me Përparimin në ballë të kolonës. Ata arrijnë në trekëndëshin kufitar të trojeve shqiptare, mbi stanet e Bjeshkës së Belegut, në Qafë të Bogiqes. Në një moment të largimit të mjegulles, kolona ndodhet para zjarrit të gërshetuar të mitralozëve të rëndë të njësiteve elite të ushtrisë serbo-jugosllave që kishin zënë pritat. Edhe pse të gjetur në një pozicion të vështirë lufte, pa municion të mjaftueshëm, me shumë të plagosur, të lodhur nga rrugëtimi i gjatë, Përparim Ferizaj me bashkëluftëtarët bëri një qëndresë mbinjerëzore, e dëshmuar me rënien e pesëmbëdhjetë luftëtarëve të lirisë, madje edhe të njësitit pararojë të Batalionit Gardist të përbërë nga Përparim Ferizaj, nga Kodralia e Deçanit, Nuredin Gërvalla, nga Krysheci i Pejës, Përparim Shala, nga Prapaqani i Deçanit e Valiant Ferizaj nga Kodralia. Aty ranë dëshmorë edhe: Fehmi Demiqi, Naim Berisha, Xhavit Islami, Nazmi Gradina, Islam Krasniqi e Limon Morina. Ranë dëshmorë edhe luftëtarët e plagosur në fronte të ndryshme të luftës: Hajrush Demaj, Metë Krasniqi, Hysen Mehmeti dhe Nimon Musaj.
Njëherësh aty u plagosën rëndë e lehtë edhe njëmbëdhjetë luftëtarë të lirisë, ndër të cilët Sali Ferizaj, Abdyl Mushkolaj, Shkumbin Demaliaj, Diamant Hasani, Hamid Cacaj, etj.
Përparimi së bashku me sivëllezërit e tij, Sali e Valiant Ferizaj, të tre luftëtarë të Gardës, ishin të pandarë në jetë e në luftë. Të pandarë hynë edhe në pavdekësi.
Eshtrat e katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në Qafë të Bogiqes, pas disa vitesh u gjetën në varrezën masive në afërsi të Beogradit, në Petrovo Sello, një poligoni i qendrës stërvitore të Njësive Speciale të Ushtrisë Jugosllave.
Eshtrat e dëshmorit Përparim Ferizaj, u varrosën më 25 qershor 2003, në vendlindjen e tij, në fshatin Kodrali.
Familja e gjerë Ferizaj nga Kodralia, çlirimin e Kosovës e pagoi, përveç me gjakun e Përparimit edhe me jetën e nëntë pjesëtarë të saj: Ismet Ferizaj – babai i Përparimit, Sali Ferizaj, Bylbyl Ferizaj, Valiant Ferizaj, Nijazi Ferizaj, Shaqë Avdia (Ferizaj) – rapsod i njohur, Bashkim Ferizaj dhe Skënder Ferizaj.
Përparimi ka lënë nënën, Razën, vëllanë Shpëtimin dhe katër motrat: Hajrinë, Arbnoren, Selvinë dhe Albianën.
Familja Ferizaj është nderuar me mirënjohje të shumta për familjarët dëshmorë, Përparimin e Ismetin. Në shenjë kujtimi për rënien e lavdishme, në vendrënien e dëshmorëve në Bjeshkë të Belegut është ngritur përmendorja e përbashkët për Përparim Ferizajn dhe 14 dëshmorët e tjerë të lirisë. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …