valamobile
Airport Adem Jashari
MIT
mbpzhr grante
kek
Fillimi / Dëshmorët / Nuredin Mehmet Gërvalla (13.7.1977 – 24.5.1999)
Nuredin Mehmet Gërvalla (13.7.1977 - 24.5.1999)

Nuredin Mehmet Gërvalla (13.7.1977 – 24.5.1999)

Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nderoi edhe pushka e lirisë e dëshmorit Nuredin Gërvalla. Biri i shtrenjtë i prindërve Mehmet dhe Hatmane Gërvalla, Nuredini u lind në fshatin Kryshec të Lugut të Baranit të komunës së Pejës, më 13.7.1977. Ai ishte i katërti ndër pesë djemtë e Mehmet Gervallës: Islamit, Agronit, Bujarit dhe Haradinit.
Në këngë e në kujtesën historike e popullore, sot e kësaj dite flitet se si në hyrje të Pejës, gjyshi i Nuredinit, Demush Gërvalla, e pat copëtuar flamurin sllav më 1937, pastaj se si në votimet në Lug të Baranit, ishin asgjësuar votat e vëna në dobi të kandidatit serb, ku me rastin e këtij akti, plagoset Isuf dhe Hasan Gërvalla, prej nga, që nga ajo kohë, familja Gërvalla, qoftë e Dubovikut, qoftë e Kryshecit, maltretohen e përsekutohen nga pushtuesi serb. Shkollën fillore Nuredini e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Deçan.
Kontaktet e para me lëvizjen kombëtare i vendosi përmes të vëllait, Agronit, i punësuar në Zvicër, i cili ishte anëtar i LPRK-së. Një kohë, në Perëndim qëndroi edhe Nuredini, ku bashkë me Agronin merr pjesë në shumë protesta e demonstrate të zhvilluara në Zvicër. Atje pati rast të njihej edhe me shumë veprimtarë, si: Jashar Salihun, Ali Ahmetin, Xhavit Hoxhën, Xhavit Halitin, Fazli Veliun etj.
Me fillimin e luftës çlirimtare në Drenicë e Gllogjan, pikërisht më 7 prill 1998, Nuredini me të vëllain, Agronin, kthehet në atdhe për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë. Vesh uniformën ushtarake, jep betimin dhe me urdhër të eprorëve të Shtabit të Përgjithshëm, përmes Shqipërisë kalon në Zonën Operative të Drenicës. Atje merr pjesë në betejën e Llapushnikut, përkrah Fehmi Lladrofcit, Abedin Rexhës etj., pastaj në betejën e Likocit, Zatriqit, dhe prej andej arrin në Gllogjan në njësitin “Shqiponjat e zeza” nën komandën e “Togerit”. Më vonë hyn në Batalionin Gardist “Beretat e gjelbra” nën komandën e Shkëlzen Haradinajt. Nuredini ishte pjesëmarrës i shumë betejave, që nga Likoci e Rahoveci, në Gllogjan, Ratishë e Jabllanicë.
Në shtator të vitit 1998, Nuredini, bashkë me të vëllain, Agronin dhe me shokët Sami Krasniqi nga Dujaka dhe Shaban, Bekim e Bardhec Lajçi dhe Isuf Bardhi, dërgohet nga komanda në Rugovë, me qëllim të përforcimit të radhëve atje dhe të përcjelljes së të plagosurve në betejë, për në Shqipëri. Atje, fillimisht vendoset në Bardhaj, në shtëpinë e Shaban Lajçit, bashkë me të plagosurit.
Në shkurt të vitit 1999, Nuredini kthehet në Ratishë. Më 21 maj 1999, Batalioni Gardist i ZOD-it, merr urdhër për bartjen e të plagosurve në fushëbetejë për në Shqipëri nëpër bjeshkët e Strellcit. Ndërkohë, ai bie në pritë në Bogiqe, në trekufirin Shqipëri-Mali i Zi-Kosovë. Në këtë pritë bien dëshmorë 16 luftëtarë: Nuredin Gërvalla, Arton Mehmetaj, Përparim Ferizi, Sali e Valiant Ferizi, Përparim Shala, Nimon Musaj, Naim Berisha, Islam e Metë Krasniqi, Fehmi Demiqi, Hajrush Demaj, Nazmi Gradina, Liman Morina, Hysen Mehmeti dhe Xhavit Islami. Ndërsa plagosen: Abdyl Mushkolaj, Shkumbin Demaliaj, Hamit Cacaj, Ramadan Lekaj, Diamant Hasani etj.
Pas luftës, eshtrat e trupit të Nuredinit dhe të rënëve të tjerë janë gjetur në Batajnicë të Serbisë dhe pas tërheqjes nga atje janë varrosur në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.
Në vendin e rënies, në Bogiqe, për dëshmorët është vënë pllaka e përbashkët përkujtimore. Ndërsa në Gllogjan është lartësuar lapidari I lavdisë. Familja e dëshmorit Nuredin Gërvalla ka marrë mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme dhe Ministria e saj e Mbrojtjes, nga njësia speciale e ZOD-it dhe nga Shoqatat e dala nga lufta. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 - 16.6.1998)

Mentor Xhemë Gashi (1.5.1978 – 16.6.1998)

Dëshmori, Mentor Gashi, u lind më 1 maj të vitit 1978, në Plloçicë, komuna e ...