leoni

Jakup Krasniqi: Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë

Pjesë nga fjala e Jakup Krasniqit, e paraqitur para trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën Speciale ka folur, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai në ditën e tretë të gjykimit, para trupit gjykues në Hagë, ka mohuar të gjitha akuzat e Prokurorisë, ndërsa ka nënvizuar  se nuk e kupton logjikën e aktakuzës. Në fjalën e tij, Krasniqi ka deklaruar se asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në asnjë vrasje, në asnjë burgosje apo në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë. Çdo njeri që flet të vërtetën le të thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në asnjë vepër të tillë. E kam pasur të qartë se cilat mjete duhet të përdoren për të realizuar çlirimin kombëtar në luftën kundër atyre që ushtruan gjenocid ndaj nesh. Nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme kundër meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje, burgosje, tortura, dëbime. Unë e urrej dhunën, vrasjet, torturat, dënimet jo veç pse janë ushtruar ndaj popullit tonë dhe ndaj meje personalisht, por sepse i konsideroj si tepër të ulëta dhe çnjerëzore, ka saktësuar Jakup Krasniqi, para trupit gjykues, në Hagë.

Jakup Krasniqi para trupit gjykues foli edhe për dënimet dhe torturat që kishte përjetuar nga regjimi serb gjatë demonstratave të vitit 1981. U ushtrua dhunë e tmerrshme edhe ndaj meje. Gjatë dy proceseve hetuese që janë ushtruar   ndaj meje në vitet 1981-1982   kam përjetuar tmerre që s’përshkruhen me fjalë. Duart dhe këmbët i kisha gjithmonë të ënjtura nga rrahjet. Pas dy proceseve të hetuesisë më dënuan dy herë.  Në vitin 1981 me dënuan me 14 vjet burg, ndërsa në vitin 1982,  15 vjet burg. I përmenda torturat që u ushtruan ndaj meje për të nënvizuar një fakt të pakontestueshëm. Asnjë hetues, asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar të Jugosllavisë që ishin përgjegjës për tortura psikike dhe fizike, që përjetova gjatë asaj kohe nuk ka qenë as objekt kritike në shkrimet e mia, i kam lënë të qetë që t’i brejë ndërgjegjja për veprimet e tyre kriminale.

Që në fëmijërinë time të hershme kam qenë i rrethuar me njerëz që ia kanë mbijetuar politikës së gjenocidit serb. Nga historitë e tmerrshme që u rrëfenin më kanë bërë që të kuptoj se prapa propagandës së parajsës jugosllave për barazinë e kombeve qëndronte ferri ndaj shqiptarëve”.

Krasniqi tregoi edhe për torturat ndaj anëtarëve të familjes së tij nga forcat serbe.

“I rrahur për vdekje dhe në një qoshe nëna ime u mundonte t’ia shëronte plagët babait. Përpëlitjet e tmerrshme të babait tim ende i kam përballë. Përveç torturave në fjalë, burgosja ime ishte shumë e vështirë për të. Na duhej arsimi që të largojmë diskriminim që po përballeshim si shqiptarë në secilin segment të jetës. Por, të gjitha dijet e botës nuk do të ishin të mjaftueshme për të ndryshuar gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, pa një organizim të duhur edhe të gjeneratës sime.

Kërkesa e parë e Jakup Krasniqit ishte që “të mos keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës”. E dyta ishte për copëzat e shkrimeve të tij, që u publikuan ditën e parë të gjykimit. Krasniqi kërkoi të mos i keqpërdoren ato. Përmes atyre deklaratave dhe shkrimeve dhe komunikatave, Prokuroria po tentonte të dëshmonte se UÇK-ja ka qenë e mirëorganizuar, se Shtabi i Përgjithshëm ka pasur kompetenca ekzekutive, ndikim dhe kontroll në struktura. Jakup Krasniqi kërkoi nga trupi gjykues të mos merren parasysh ato, duke thënë se komunikatat e UÇK-së në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, në rastin e Fatmir Limajt dhe të Ramush Haradinajt janë konsideruar se material propagandues për ta paraqitur UÇK-në sa më serioze.

“E treta për komunikatat. Unë po lexoj atë që është thënë në vendimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës: ‘Komununikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe autoritetit të saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj”, deklaroi Krasniqi.

Prokuroria Speciale i ka akuzuar krerët e UÇK-së për ndalimin, keqtrajtimin dhe kërcënimin e aktivistëve të LDK-së gjatë viteve të luftës. Krasniqi është ndalur edhe në këtë pikë.

Ai ka thënë se vetë ishte anëtar i LDK-së dhe ka thënë se pas luftës  disa  familjarë të tij ishin pjesë e partisë së Ibrahim Rugovës.

Një pjesë e madhe e fjalës së tij është përqendruar në krimet e llojllojshme që Serbia i ka bërë ndaj tij dhe shqiptarëve të Kosovës. Duke e bërë përgjegjëse Serbinë për krimet ndaj secilës etni të kryera në Kosovë, Krasniqi përmendi vrasjet e të rinjve serbë në një kafene në Pejë, për të cilat ishin akuzuar se i kanë kryer shqiptarët dhe UÇK-ja. Shumë vjet më vonë, zyrtarë serbë kanë thënë se krimi ishte kryer nga Serbia.

“Më 14 dhjetor të vitit 1998, 42 ushtarë të UÇK-së u vranë afër kufirit me Shqipërinë, e në atë mbrëmje në kafenenë ‘Panda’ në Pejë u vranë 6 të rinj serbë e malazias, e vrasjet e tyre u interpretuan si akt hakmarrje nga UÇK-ja. Gjatë përpjekjeve për të gjetur fajtorë, qindra shqiptarë të pafajshëm u torturuan derisa u detyruan 6 të rinj ta pranonin se e kanë kryer krimin. E vërteta doli në shesh pas 15 vjetëve, kur Vuk Drashkoviq, që gjatë luftës ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, për gazetën serbe ‘Kurir’ më 18 janar të vitit 2014, tha se vendimi për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve që e mbështesnin Serbinë dhe fajësonin UÇK-në, ishte sjellë nga Millosheviqi e shtabi i tij strategjik. Ishte vendosur që shërbimi i sigurimit shtetëror do të kryente disa sulme terroriste për të cilat UÇK-ja do të fajësohej. Radeten dhe Legijan i autorizuan për të vrarë fëmijë, serbë, jo vetëm serbë por edhe shqiptarë”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Jakup Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …