Presidenti Thaçi vizitoi Ferizajn, inkurajon bujqit në fushatën e korrje-shirjeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar fermerët e vyeshëm në fshatin Prelez i Jerlive të Komunës së Ferizajt të cilët po përfundonin procesin e korrje-shirjeve në arat e tyre. Ai bashkë me Kryetarin e Komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe drejtorin e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami, kanë inkurajuar fermerët e këtushëm për një angazhim sa më të madh në fushën e bujqësisë si një degë dobiprurëse për ekonominë. “Muaji korrik është muaji i korrje-shirjeve, kam besim të plotë se do të jetë një sezon e mbarë pavarësisht edhe pse ka pasur të reshura të shumta, përsëri shihet një angazhim i shtuar i gjithë fermerëve të Kosovës, bujqve të Kosovës, që rendimentet e grurit t’i korrin dhe t’i futin në hambarin e tyre, prandaj si institucione të vendit, si president i vendit e kam pa të udhës që të jem gjithmonë pranë tyre, në mbështetje të tyre, për t’i plotësuar nevojat dhe kërkesat e të gjithë fermerëve të Kosovës. Është shumë me rëndësi se sivjet rendimentet e grurit janë të mira dhe standarde si gjatë viteve të kaluara pavarësisht reshjeve, por edhe ata që kanë pësuar nga reshjet, ne do të punojmë që si institucione të vendit t’i kompensojmë ato dëme”, ka thënë Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi. Përkrahje për fermerët ferizajas ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu. Ai më këtë rast ka falënderuar edhe presidentin e vendit Hashim Thaçi për këtë vizitë që i bëri fermerëve ferizajas. “Sigurisht që këta fermerë përmes kësaj vizite të presidentit, por edhe të vizitave të tjera dhe konsistencës të mbështetjes së qeverisë lokale, tregon më së miri se ne jemi të përkushtuar që të mbështesim fermerët dhe bujqësinë, pavarësisht faktit se ndonjëherë gjenden vështirësi edhe të pa parashikueshme, siç ka ndodhur zakonshëm nga kushtet klimatike e që Ferizaj, fatkeqësisht në krahasim me Komunat tjera të Republikës së Kosovës, është goditur më së shumti, edhe për faktin se me të gjitha statistikat e instituteve, ka të reshura më së shumti në shkallë vendi, por po ashtu është përcjellë edhe me stuhi, erëra dhe breshër, por me këtë rast unë përgëzoj të gjithë fermerët që pandalshëm po e zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe sot së bashku edhe me presidentin Thaçi jemi këtu për të dëshmuar dhe zotuar se do të jemi gjithmonë afër më mbështetje direkte, qoftë përmes subvencioneve në nivel të Republikës, qoftë në nivel të komunës që praktikisht të avancojmë edhe më shumë sektorin e bujqësisë”, ka thënë i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Mirënjohës për vizitën e organeve më të larta qeveritare të vendit shprehu edhe fermeri Xhevat Uka i cili tha se pret përkrahje nga institucionet rreth dëmeve që i janë shkaktuar nga reshjet në arat e tij. Ndërkaq, zëvendës ministri në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi ka thënë se fushata e korrje-shirjeve po vazhdon me një intensitet të shtuar në gjithë vendin , ndërsa dha lajmin e mirë se për të gjithë fermerët kosovar nga nesër do të jepen pagesat direkt si subvencione për punimin e tokës. “Sivjet në Republikën e Kosovës janë të mbjella drithëra diku 83 mijë hektarë, ndërkaq vetëm grurë janë të mbjella 73 mijë hektarë. Gjithashtu Ministria e Bujqësisë ka subvencionuar drithërat me afër 10 mijë euro, ndërkaq që nga nesër do të filloj lista e pagesave direkte dhe vetëm në muajin korrik do të përfitojnë nga 150 euro për hektarë, 20 mijë fermerët e parë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …