Sot u nda nga jeta veterani i plagëve të luftës, Bekim Uksmajli, një ndër djemtë më të mirë të fshatit Jezerc komuna e Ferizajit, i cili, pa u menduar dy herë, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e bartur me krenari në ballë emblemën e artë të UÇK-së.
Ashtu si mijëra luftëtarë të tjerë të UÇK-së, Bekimi ishte gjithmonë aty ku e kërkonte detyra. Një nga misionet më të rrezikshme që kreu ishte përcjellja e krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke depërtuar nëpër rrugë të mbushura me rrezik dhe duke u përballur ballë për ballë me forcat serbe në afërsi të Ferizajt. Gjatë një përleshjeje të ashpër, ai mori në trup plumbat e lirisë, duke pësuar plagë të rënda. Falë forcës të tij, ndihmës së Zotit dhe përkujdesjes së mjekëve të UÇK-së, arriti të mbijetojë. Edhe pas shërimit, ai u rikthye në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vazhdoi luftën deri në çlirimin e vendit.
Pas luftës, Bekimi jetoi me dhimbjet e plagëve të lirisë. Megjithëse iu nënshtrua trajtimeve dhe ndërhyrjeve të shumta mjekësore, plagët dhe pasojat e plumbave e shoqëruan deri në frymën e fundit. Më 21 Korrik 2026, zemra e tij pushoi së rrahuri.
Bekim Uksmajli dhe bashkëluftëtarët e tij nuk kishin ngarkesa ideologjike apo interesa personale. Ata kishin vetëm një ideal: çlirimin e Kosovës. Fatkeqësisht, sot, një pjesë e pseudo-intelektualëve dhe madje edhe e opinionit publik përpiqen ta minimizojnë, e herë-herë edhe ta kontestojnë luftën çlirimtare, duke ua mohuar sakrificën atyre që e sollën lirinë dhe duke ua atribuar meritat atyre që nuk ju takojnë.
Nuk është e nevojshme të jesh i këtij apo atij krahu politik për ta thënë të vërtetën. Të thuash të vërtetën është obligim moral dhe guxim qytetar.
Me këta pak rreshta dua të dëshmoj se Bekim Uksmajli dhe bashkëluftëtarët e tij ishin ndër ata që na sollën lirinë. Ata janë vetë liria.
Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Bekim Uksmajlit!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
