Prof. Dr. Muhamet Pirraku: Përcaktimi për çlirimin me çdo mjet

 


Fjala hyrëse në veprën: “Për kauzën shqiptare 1997-1999, të Prof. Dr. Muhamet Pirrakut, Prishtinë 2000, fq.9-30.
Kurrë dhe në asnjë moment nuk kam menduar se Çështja shqiptare, dhe Problemi i Kosovës brenda saj, mund të zgjidhen pa një luftë me përmasa gjithëkom¬bëtare. Këtë frymë e kam futur, në mënyrë guerile dhe të hapur, në shkrimet e mia publicistike e shkencore dhe këtë sfidë e theksoja në biseda e tribuna.
Opinionin politik se pa luftën me sakrifica të mëdha nuk mund të çlirohet Kosova, dhe as të zgjidhet Çështja shqiptare, e manifestova fuqimisht, verbalist dhe me shkrim, në Lëvizjen e Pajtimit Kombëtar, përmes faljes së hasmërive(2 shkurt 1990-17 maj 1992) dhe gjatë fushëveprimit politik në Lidhjen Demokratike të Koso¬vës(29 III-21 X 1991). Madje, Luftën për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e kombit shqiptar, me mbështe¬tje në Perëndim e në Lindje, e theksova si fat historik në Kuvendin I të LDK-së, më 5 maj 1991.
Radikalizmi im i hapur në favor të kërkesave për rezistencë shqiptare antijugosllave me të gjitha mjetet, sa vinte dhe frikësonte Kryesinë e LDK-së. Në korrik të vitit 1991, në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së me kryetarët e degëve u shtrua edhe çështja e ngritjes së Qeverisë së Kosovës. U ngrita fuqimisht kundër mbajtjes së qeverisë gjysmake në ekzil: “Qeveria e Republikës së Kosovës, të veprojë me seli në Prishtinë. Dhe, meqë në Sofrën e atdhedashurisë ka vend për të gjithë, në qeveri të angazhohen personalitete me përvojë politike, diploma¬tike e shtetëformuese dhe jo voluntarë, siç jemi shumica prej nesh.
Meqë okupatori do të reagojë tmerrësisht, në qeveri të futën ata që janë të gatshëm për sakrificë. Nuk i ftoj të tjerët, për të qëndruar vetë në të terur. Jam voluntar në politikë, i nevojshëm vetëm për periudhën deri në Liri, ndaj jam gati të pranojë detyrë me përgje¬gjësi, për sakrificë pa çmim. Mund të më besohet resori i mbrojtjes ose i policisë, jo për të krye punë profesionale, por për të problematizuar çështjen e lirisë me burgosjen ose vrasjen time…!”
Dhe, nuk është tepër të konstatohet se Dega II e LDK-së së Prishtinës, kryetar i së cilës isha, e barti barrën kryesore në përgatitjen dhe mirëvajtjen e Referendumit për Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, me të drejtë për pjesëmarrje konstituive në lidhjen e shteteve-republikave sovrane(në Jugoslla¬vi(26-30 shtator 1991).Takimin me ushtruesin e kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Mustafë Rusinocin, dhe koordinatorin e Kuvendit të Kosovës në ekzil, Jetu¬llah Sopianin, për hartimin dhe aprovimin e planit opera¬tiv e aranzhova dhe e mbajta, më 23 shtator 1991, në zyrë të shefit të Hekurishtave të vjetra(në oborrin e Xhamisë së Brincave) të z. Ejup Krasniqi, veprimtar i Lëvizjes së Pajtimit. Morën pjesë përfaqësuesit e Degëve të LDK-së së Prishtinës, pa pjesëmarrjen e asnjë anëtari të Kryesisë së LDK-së dhe me mbështetje, si mbi vetën, në z. Ali Latifi, sekretar i kryesisë së Degës së LDK-së të cilën e drejtoja.
Këso kohe përgatisja për botim veprën “Ripush¬timi jugosllav i Kosovës 1945” dhe në përfundim, më 3 tetor 1991, midis të tjerash, konstatova: “Tashti kur po përfundohet kjo vepër, fillimi i tetorit 1991, u shpallën të mbyllura të gjitha shkollat në gjuhën shqipe, nga filloret deri në universitet, por shkollat shqipe nuk punojnë as në viset e tjera jashtë Kosovës së martirizuar. Në këtë mënyrë, sot, rreth 3 500 000 shqiptarë që jetojnë nën okupimin serbosllav mund të trajtohen plotësisht si njerëz në karantinë, popull i burgosur, por që përpiqet, që lufton për pavarësi dhe Liri. Kjo u dëshmua edhe me rezultatet e Referendumit për pavarësinë dhe mëvetësinë e Republikës së Kosovës, të mbajtur më 26-30 shtator 1991.
Ardhmëria është e popullit që lufton për Liri dhe pavarësi!”
Kërkoja rezistencë individuale e kolektive për mos lëshimin e posteve drejtuese dhe të vendeve të punës, kërkoja nga Kryesia e LDK-së të kërkonte nga Parla¬men¬ti dhe Qeveria në ekzil nxjerrjen e aktit zyrtar se Repulika e Kosovës është vend i okupuar dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Dhe, kërkoja ngritjen e Komiteti të Shpëtimit Kombëtar, i cili do të mbarështonte përpjekjet për Çlirimin Kombëtar të Kosovës. Të gjitha këto do të bëhen shkak për të më detyruar në dorëheqje të parevokueshme. Për linçim politik kundër meje, si ish i burgosur politik i ndërgjegjes, kryetari i LDK-së, Rugova, më 21 tetor 1991, do të dërgojë, nënkryetarin Anton Kola dhe Fadil Hysen, anëtar i Kryesisë. Do të akuzohem për aktivitet politik drejt përpjekjeve “për bashkimin e katër degëve të LDK-së së Prishtinës kundër Kryesisë së LDK-së, për nënçmim të aftësive të anëta¬rëve të Kryesisë së LDK-së dhe për synimet për kthimin e Prishtinës në Leningrad…!?!” Kishte diçka në të gjitha këto. Realisht, Rugovës disa herë publikisht i kisha thënë të merrte vetëm prof. Fehmi Aganin dhe Kryesinë e Degës II të LDK-së ta ngriste në Kryesi të LDK-së. Këtu, nisi ngritja politike ledekeiste e Fatmir Sejdiut, anëtar i kooptuar dhe më i paautoritet në Kryesinë e Degës II të LDK-së së kohës sime.

Nuk e hodha anëtarësinë me qellim të veproja më shlirshëm, brenda LDK-së, për Lëvizjen çlirimtare të armatosur. Në dokumentin e dorëheqjes, më 27 X 1991, saktësova: “Duke qëndruar edhe më tutje fuqimisht në linjë të Lëvizjes sonë demokratike, anëtar i LDK dhe delegat në Kuvendin e Degës II të LDK të Prishtinës, do të ndihmojë përpjekjet tona të përbashkëta për realizimin e idealeve të larta për të cilat fuqimisht veproj me të tërë familjen”.
Këso kohe sintagma “linjë e Lëvizjes sonë demo¬kratike” për Kryesinë e LDK-së nënkuptonte shkeljen e programit dhe të statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkuptonte ekstremizmin, kurse për pushtu¬esin nënkuptonte separatizmin, terrorizmin. Së këndejmi, largimi nga LDK-ja do të thoshte ose vdekje politike shqiptare legale, ose rrugë për burgun serb.
Vendosa ta bëj punën time të studiuesit me përkushtim për Lirinë. Në fillim të parathënies së veprës “Ripushtimi…”, që po e përgatisja për botim në Tetovë, vura në spikamë, më 5 dhjetor 1991: “Me këtë vepër, të lindur në këto orë të pasigurisë ekzistenciale të kombit shqiptar, kam synuar të ndriçoj një moment historik tragjik për popullin shqiptar, të hedh dritë mbi një kasaphane komuniste e çetnike jugosllave dhe mbi padrejtësitë e Evropës ndaj shqiptarëve të martirizuar edhe më 1945(…).
Meqë përvoja historike duhet të shërbejë për mësim aktual dhe udhëzim për të ardhmen, në vepër janë sjellë dëshmi për ngjarjet, për personalitetet dhe për mjerimin e masave popullore, e të cilat duhet të kuptohen si qortim kolektiv publik i viktimave për gabimet e prijësve rrahagjoksë të popullit shqiptar në periudhën e një kthese ndërkombëtare e kombëtare të madhe. Kjo përvojë historike e hidhur duhet të shërbejë për mësim e vërejtje eventuale se ç’mund t’i presë posaçërisht personalitetet aktuale që kanë shpërthyer në ballë të popullit në këto çaste që kundërmojnë gjak.”. Dhe, moto të veprës, e cila do të sheh dritën në shkurt të vitit 1992, dy muaj pas ndeshjes së parë luftarake në Truallin e Shaban Jasharit në Prekaz(30 dhjetor 1991), si solidarizim kaçakçe me këtë ngjarje, solla konstatimin e Skënderbeut: “Të kërkosh në kohë të qetë stuhinë është çmenduri. Përkundrazi, t’i kundërshtosh asaj për çfarëdo arsye, kur të shtrëngon koha apo nevoja, është urti!”
Në asnjë situatë nuk dyshova se aksionet luftarake kundër “ruajtësve të rendit të pushtuesit” janë “skena të pushtuesit”, kurse për ekzistimin e Njësitit gueril të mirëfilltë, në Drenicë, dija nga fundi i vitit 1992. Veçanërisht, nga Ndeshja para Laurës në udhëkryqin Bushat – Drenas të Drenicës mbi ferovi, në prill 1993, me fjalë e me shkrim e afirmova këtë nismë, në të cilën shihja ardhmërinë e shqiptarësisë së Kosovës. Dhe, në përmbyllje të veprës “Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës. Tivari 1945”, në dhjetor 1993, saktësova: “Përpjekjet për plotësimin e kërkesave për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera nën okupimin e sllavëve nuk munguan gjatë tërë jetës së Jugosllavisë avnojiste, kurse tashti është program legal qeveritar i Serbisë, i Malit të Zi dhe i Maqedonisë. Për maltretimin, dhunën, vrasjen dhe plojën mbi individët, familjet dhe grupet e shqiptarëve, si në xhami, kisha e pazare, kurrë nuk dihet se dikur, ndonjë vrasës, të ishte marrë në përgjegjësi.
Përkundrazi, çdo dhunë, vrasje e plojë, sikur edhe me rastin e Plojës së Tivarit më 1 prill 1945, skenuesit dhe zbatuesit e vrasjeve dhe të plojave janë shpërblyer. Ky është morali politik e njerëzor historik i sllavit ortodoks kundër shqiptarit të të tri feve: Islame, Ortodokse e Katolike”.
Nga fundi i vitit 1994 dija saktësisht se guerilja shqiptare quhej Ushtri Çlirimtare e Kosovës – UÇK.. Por, këtu duhet të vihet në spikamë edhe fakti se, thellimi në vijimësi i hendekut deri në armiqësi të hapët, publike, midis Presidentit Rugova dhe Premierit Buko¬shi, ekzistimi i dy-tre ish të burgosurve politikë me autoritet në “Qeverinë e Bukoshit” në Perëndim dhe në “Përfaqësinë e Kosovës” në Tiranë, paraqitjet e kohëpas¬kohshme të “Premierit” në favor të luftës për mbrojtje e çlirim kombëtar dhe emetimi i një bashkëjetese nga UÇK-ja me “Qeverinë e Kosovës” në mitingje e protesta, për një kohë të gjatë më bashkuan me mendimin dominues të masave të shoqërisë shqiptare, se Kosova kishte hyrë në rrugën e përgatitjeve “institucionale” për një konfrontim luftarak çlirimtar gjithëpopullor kundër pushtuesit serb, pa Rugovën dhe personalitetet përreth tij në “Presidencën e Kosovës”.
Në funksion të Luftës për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike, e plotësova dhe e redaktova, në vitet 1993/95, dorëshkrimin e veprës: Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, e shkruajtur ilegalisht në vitet ‘70-80. Për moto të pjesës së parë,”Ngritja e një shëmbëlltyre”, solla konstatimin e Mulla Idris Gjilanit: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut!”
Dhe, në fund të kësaj vepre, e botuar në funksion të rezymesë anglisht, nxora konstatimin në funksion të Luftës çlirimtare që po përgatitej:
“Lufta e popullsisë shqiptare të kësaj treve nën udhëheqjen e Mulla Idrisit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, krijoi epopetë më të lavdishme të historisë kombëtare shqiptare, frymëzim për përpjekjet shqiptare aktuale për çlirimin nga pushtuesi sllavo-grek dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike.
Martiri i këtyre përpjekjeve, Metush Krasniqi – Dajkoci(1928-1986), duke i bërë një vlerësim historisë së Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Kosovës Lindore në vitet 1941-1951, ka konstatuar: Mulla Idrisi ka thënë: ‘Humbë vetëm ai popull që nuk lufton për Liri!’.
Flamurin që Hoxha e mori nga Rilindësit, e mbajtën lartë Ibrahim Lutfiu e Hasan Remniku, tmerr për armikun! Ne e morëm nga duart e tyre dhe e mbështollëm për trupi, e të papërdhosur ia dorëzuam gjeneratës së 68-tës, që ta mbajë lartë, të riqendisur me gjakun e martirëve të rinj të kombit: Amanet gjeneratave të reja – për kurorëzimin e idealeve të shenjta të Zogjve të Shqipes…!”
Çka duhej të konstatonte tjetër akëcili studiues? Si çdo vepër, edhe këtë ia dërgova dr. Ibrahim Rugovës, me përkushtim, më 3 prill 1995 dhe në Letrën “Extra privat”, i konstatova: “Meqë në të gjitha kohët midis kryetarit të shtetit dhe një veprimtari shkencor, pa karrierë politike, në terren, është një det i tërë, e shfrytëzoj rastin të Ju informojë, shkurtimisht, rreth botimit të veprës (…), të cilën po ua dhurojë me përkush¬tim nga dita e botimit(16 shkurt 1995)”.
Në vijim i vija në spikamë se, “Botuesin e zgjodha për jorgan, meqë, siç e dini, në Institutin Tim – TUAJ, nuk do të kishte kaluar!?” dhe e përfundova me konstatimin: “Ndjehem krenar, me shpresë se së paku diçka kam kontribuar, nëse vepra lexohet prej atyre që kanë guximin të marrin drejtimin e segmenteve nga Lëvizja jonë!”
Prapë, nuk ia zura ngoje emrin e partisë së tij. Mesazhi i Veprës, dhe i Letrës, ishte i qartë. Ai mi “mbyllte” të gjitha dyert për tek “Gandi i Kosovës”. Dhe, sa vinte e më thellësisht i njihja personat përreth këtij “Gandi” dhe shumicën absolute të kryetarëve dhe të anëtarëve të kryesive të degëve të LDK-së. Arrita në përfundim të qartë, se: edhe “Qeveria e Kosovës në ekzil”më nuk gjendet në valët me forcat luftarake e politike, të UÇK-së, siç mendonin masat nga të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, dhe se bashkimi “institucional” nën kryesinë e “Presidentit Rugova”, apo të “Premierit Bukoshi”, i të gjitha partive politike legale dhe i të gjitha organizatave politiko-ushtarake ilegale, është iluzion me pasoja të rrezikshme për ekzistencën fizike të shqiptarëve dhe të shqiptarësisë së Kosovës. Kështu, në përmbyllje të veprës “Albania e Konicës”, në maj të vitit 1995, konstatova: “Së këndejmi, botimi fototip i Albanisë për burim frymëzues, është kërkesë imediate për Lëvizjen e Çlirimit dhe të Bashkimit Kombëtar të Popullit Shqiptar. Amen!”
Realisht, nga fillimi i vitit 1996 dihej shumëçka për UÇK-në si organizatë ushtarake dhe për LKÇK-në, si fraksion ilegal politiko-ushtarak i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Komunikatat e “Shtabit Qendror” të UÇK-së, “Zëri i Kosovës” së LPK-së dhe veçanërisht organi “Çlirimi” i LKÇK-së, ofronin të dhëna të mjaftueshme për jokonspiracionin, për aspiratat rivale separatiste veçanërisht të tretës ndaj të dytës dhe të parës. Kjo më frikësonte, ndaj në përmbyllje të veprës “Lidhja Shqiptare ‘Besa – Besën’ në burimet serbe 1893-1902”, për përvojë historike të dobishme, saktësova: “Përgatitja e Kuvendit të Pejës me një konspiracion aq të thellë, formimi i Lidhjes Shqiptare ‘Besa – besën’ me një konspiracion aq të madh, marrja e vendimeve historike aq të rëndësishme, për Ardhmërinë e Shqipërisë mbi tërësinë e viseve etnike e historike shqiptare, kanë bërë që Kuvendi shqiptar i Pejës, Lidhja Shqiptare ‘Besa-besën’ dhe Haxhi Mulla Zeka të mbesin mësim dhe frymëzim për popullin shqiptar në Luftën e tyre të papërfunduar – për Shqipërinë Etnike, për të cilën u përpoq dhe u flijua Mulla Haxhi Zeka me bashkëmendimtarët, apostuj në Altarin e Lirisë së Shqipërisë që po lindet”.
Nga pjesa e dytë e vitit 1996 i hyra përgatitjes së kronikës për Lëvizjen Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve, të Plagëve dhe të Ngatërresave. Të gjitha përpjekjet i rendita në drejtim që të krijoja një si testa¬me¬nt të popullit, një platformë politike për domosdoshmë¬rinë e Luftës për Çlirimin Kombëtar Shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera nën administrimin shtetëror të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Greqisë. Mëtoja ndikimin në partitë politike legale dhe në organizatat politiko-ushtarake ilegale për shkrirjen e tyre në një front politiko-ushtarak të përbashkët në frymën që dominoi në Lëvizjen e pajtimit kombëtar përmes shuarjes së hasmërive.
Në këtë frymë i bëra një vështrim qortues edhe Organit të LKÇK-së “ÇLIRIMI-Numër i jashtëzakonshëm janar 1997”, i cili pasqyronte, pa dorëza, kaosin në organizimin politik e luftarak. Më frikësonte posaçërisht fraksionizmi, mosuniteti, në Lëvizjen çlirimtare ilegale të armatosur, ngurrimi për t’u bashkuar përreth UÇK-së me “Shtabin Qendror” në “Zonën operative nr.1” të Drenicës.
Meqë kisha informata se njësiti i UÇK-së në Drenicë po bënte ushtrime ushtarake për ditë me diell dhe se po përgatitej për luftë ballore ushtarake me njësitë policoro-ushtarake të pushtuesit, në tribunën me rastin e Shtatëvjetorit të Kushtetutës së Kosovës në Medresën “Alauddin”, të ftuar nga Partia Parlamentare e Kosovës, Rugovës dhe puthadorëve të tij, të cilët i konsideroja edhe katalizatorë të përçarjeve nga “kreu politik” deri në “elektorat”, dhe frenues të përpjekjeve për Çlirimin e Kosovës, u dërgova këtë mesazh:
“…Ndodhi Lëvizja popullore masive e viteve 88/89, që lëkundi dheun nën këmbët e okupatorit, por kreu pushtetar e politik i Kosovës nuk u kthjellë; Ndodhi Lëvizja për bashkimin kombëtar politik e luftarak e viteve 90/92, kurse krerët e partive politike alternative, me Rugovën strumbullar, as mund të ulën përreth një tavoline, për interesa të çlirimit kombëtar të Kosovës dhe të tokave shqiptare të tjera.
Ish-Kuvendi i rebeluar i Kosovës Socialiste me përkrahje të masave, nxori Kushtetutën e Republikës së Kosovës(2 korrik 1990), legjitimoi pluralizmin politik, legjitimoi Referendumin për statusin e Republikës së Kosovës(26-30 shtator 1991) dhe legjitimoi Zgjedhjet e lira parlamentare e presidenciale(20 maj 1992). Por, ndodhi ajo që mund të haset vetëm te popujt që nuk meritojnë lirinë. Ata që morën besimin, votën, kurrë nuk mbështeten në jetë Kushtetutën, shkelën mbi rezultatet e Referendumit, nuk formuan një trup politik drejtues të përbashkët për të gjitha viset shqiptare të aneksuara Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Ndodhi ajo që mund të ndeshët vetëm te ky popull i hutuar, i manipuluar: “Pushteti” i dalë nga vota “e lirë” e popullit, defaktorizoi ish-Parlamentin që legjitimuan pluralizmin politik, Kushtetutën, Referendumin, Zgjedhjet e lira – ish-kuvendarët i nxori në mërgim, në ekzil, dhe vetë kurrë të mos mblidhet, e kështu ta mbajë peng lirinë dhe ardhmërinë e Kosovës.
Ndodhi e po ndodh edhe ajo që nuk mund të haset në jetën e asnjë shteti në themelim: “Presidenca” dhe “Qeveria”, pjellë e të njëjtës votë të të njëjtit elektorat, të ndjekin rrugë drejt “lirisë” dhe “pavarësisë” diametra¬lisht të kundërta. “Presidenti” dhe “Premieri” në përpje¬k¬jet për “çlirim” dhe për “shtetin e Kosovës” të kthehen njëri kundër tjetrit, deri në armiqësi harbute. E, sot, skena jonë politike dhe shtetërore po i ngjason një shfaqjeje komedio-tragjedike, ku sufleri, pra këshilltari i “Presidentit”, të shfaqet në rolin e ministrit të arsimit, po ndodhë që “Presidenca”, kreu i LDK-së, të distancohet nga Universiteti, nga tempulli i ardhmërisë.
Dhe, çka s’po ndodhë, vetëm se asgjë për lirinë. Fajtor për të gjitha është “presidenti”, është Rugova, i fshikëzuar në Kullën e fildisht, pa komunikuar me elektoratin as me popullin.
I thash të gjitha këto, këtu, sepse nuk kam arritur t’ia them, para syve, ish kolegut tim, Rugovës, në ngritjen e të cilit dhashë kontribut. Kam shpresën se Ai ka këtu ndonjë të besueshëm dhe do t’ia përcjellë me besnikëri këto që i thash dhe konstatimin në vijim: Presidenti Rugova duhet ta dijë se popullit i është mbushur kupa. Fundi i këtij viti mund të shënojë shpërthimin e Rebelimit të popullit, me përmasa të përmbytjes. Dhe, Ai që do të gjendet në rolin e frenuesit, në rolin e penguesit, do ta pësojë, por edhe elektorati i tij do ta paguajë haraçin e votës së tij të “lirë” e “demok¬ratike”.
Zotërinj, Lufta për Lirinë është e paevitue¬shme…!”
Realisht, këso kohe po e përfundoja kronikën: Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992, e formuluar me një përkushtim që ajo të sheshonte platformën politike të Lëvizjes së armatosur për çlirimin kombëtar demokratik të Kosovës. Meqë shihja qartë se krerët e skenës politike pluraliste të Kosovës sa vinte dhe po largoheshin tmerrësisht nga fryma politike e Lëvizjes së pajtimit, për moto të veprës nxora amanetin e një falësi gjaku të babës: “…Prej sotit, për lirinë e Kosovës jam gati ta jap edhe shpirtin, edhe fëmijët, vetëm, Ju lutem, të mos na tradhtoni Ju, udhëheqësit…!”
Ishte kjo edhe kërkesë dhe lutje imja. Në përmbyllje të kronikës, më 12 korrik 1997, konstatova: “Me mbylljen e kësaj Lëvizje që zgjati mbi dy vjet, u kurorëzua me suksese historike një ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë së integrimit të kombit shqiptar.
Në këtë Lëvizje kombi shqiptar u përgatit për të hyrë në periudhën tjetër jetësore – për finalizimin e përpjekjeve shekullore për Lirinë e Kosovës dhe të tokave shqiptare të aneksuara vendeve fqinje; Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë, e për bashkimin e Shqipërisë Etnike dhe historike.
Për këtë kërkesë jetësore të kombit shqiptar, në odat e pajtimit dhe në Tubimet e pajtimit janë betuar, mbi flamurin kombëtar, mbi 1.715.380 veta; të rinj e të reja, nëna e baballarë, që do të thotë mbi 78% të banorëve të Kosovës, përkatësisht rreth 52% e shqiptarëve nën zgjedhën koloniale të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi.
Gjaku i derdhur për Liri dhe gjaku i falur për Liri – është pengu i Lirisë; Sanguis heroum semen libertatis!”- që kthyer shqip, thotë: “Gjaku është fara e Lirisë!”
Tashti numri i të rënëve për Liri nga radhët e UÇK-së sa vinte e shtohej. Në të Pamën madhështore për dëshmorin Adrian Krasniqi, i rënë në Kliçinë të Dukagjinit, më 16 tetor 1997, fati më nxori në krye të përfaqësuesve të Institutit Albanologjik për kryeshëndosh. Në pyetjen që mu drejtua nga kreu i odës: “A jemi afër Lirisë, o Profesor?”, iu përgjigja, pa ekuivokë: “Jemi në fillim, vetëm sa e kemi bërë niet për çlirim. Dhe, për derisa okupatori na vret dhe na lejon t’i varrosim Dëshmorët, e të bëjmë të Pame si kjo, liria është larg. Kosova do të çlirohet në ato momente kur okupatori të mos na lejojë varrimin e Dëshmorëve tanë të Lirisë. Ajo ditë nuk është larg…!”.
Dhe, më 26 nëntor 1997, ndodhi ndeshja e parë ballore ushtarake e Njësitit të UÇK-së së Drenicës me njësitë policoro-ushtarake të pushtuesit në afërsi të Kryqat e popit, në Llaushë. Atë ditë, duke komentuar atë ngjarje para shumë vetave nga xhemati i mësuesit Selim Spahiu, në Skenderaj, theksova: “Shpirti i Mësuesit tonë shkoi qetësisht në Qiell, i shoqëruar me krismat pakëthim të pushkëve të Lirisë, të cilat i priti tërë jetën…!”
Këtu nuk është tepër të konstatohet se edhe e tërë puna e “Sesionit Përkujtimor” të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Tiranë, kushtuar Mulla Idris Gjilanit, më 20 dhjetor 1997, u zhvillua në frymën e luftës gjithëkombëtare me të gjitha mjetet, për realizimin e aspiratave dhe të programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Kryengritjes së Madhe të Kosovës të vitit 1912, nën Hasan Prishtinën – për Autoniominë e Shqipërisë, dhe të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës të Iljaz Agushit, të Shaban Palluzhës, të Ymer Berishës dhe të Halim Oranës.
Në fjalën time, theksova qartë: “Kosova është në prag të shpërthimit të Luftës së përgjithshme për Çlirimin Kombëtar nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe se sintagma programore e LDK-së – ‘për zgjidhjen paqësore të Çështjes së Kosovës’, më nuk ka asnjë kuptim. Tashti, po troket ora e momentit historik të Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e Shqipë¬risë Etnike me të gjitha mjetet që disponon kombi shqiptar…!”
Meqë ky mesazh imi, për shkak të përçarjeve në skenën politike shqiptare, ishte zë në shkretinë, në Intervistën ekskluzive me rastin e Vitit të Ri 1997 për gazetën “Flaka”, shtrova kërkesën: “Dhe, për realizimin e aspiratave tona jetike duhet që edhe ne t’ua ngrisim laurën dobësive dhe lëshimeve që po e përcjellin jetën tonë politike në nivel të Kombit. Na duhet fronti demokratik dhe jo parti e tarafe, në esencë antikom¬bëtare”.
Më 20 janar 1998 njësitë speciale të Serbisë mësyn Prekazin e Ahmet Delisë të vitit 1912. Mediet vendore e botërore informuan gjerësisht se Shaban Jashari me djemtë, ia ktheu pushkën Serbisë dhe se më nuk njohin pushtetin e okupatorit serb. Dhe, Luftën më të madhe e zhvillova, me shumë kolegë, në Institutin Albanologjik, për t’ua kthjellur mendjen që të kuptonin se zëri i Shaban Jasharit ishte kushtrimi shqiptar, që vinte nga historia për çlirimin kombëtar të Kosovës dhe për bashkimin e Shqipërisë Etnike, se Lufta për Çlirimin e Kosovës nën Flamurin e UÇK-së është kërkesë kombëtare e pashkelshme dhe e pashtyeshme.

Në funksion të këtij amaneti që vinte nga historia, më 2-16 shkurt 1998, në “Bujku” e botova fejtonin me mbititull: “Tetëvjetori i Lëvizjes për pajtimin kombëtar”. Ky ishte teksti shqip i rezymesë anglisht i kronikës në dorëshkrim:“Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992” me një përfundim të ri, të shkruar më 4 shkurt 1998, në funksion të Kushtrimit të Shaban Jasharit:
“Kaluan tetë vjet nga fillimi i Lëvizjes dhe po kalojnë gjashtë vjet nga përmbyllja simbolike e saj me Kuvendin III, kur Lëvizja për faljen e gjaqeve dhe të hasmërive të tjera u vu në rrugë për t’u institut¬cionalizuar si instrument paqeruajtës dhe paqekrijues të pajtimit dhe të bashkimit politik demokratik kombëtar shqiptar të Republikës së Kosovës. Shkaqet që nxitën lindjen dhe zhvillimin e kësaj Lëvizje, qartë politike kombëtare shqiptare, sa erdhi dhe nuk pushuan së ekzistuari, por çdo ditë e më shumë u rritën, u komplikuan, e po ftojnë: Hej shqiptarë, sot dy sy janë pak për t’i parë të gjitha rreziqet që po të vërsulen. Bëhu me fytyrën e Junusit, në të katër anët sy gapërr, bashkohu pandashëm në ideale e në veprime, pa dallim gjinie, moshe, feje, krahine. Kufijtë shtetëror me të cilët të copëtoi Evropa, bëri hiçgjë me vullnet, me sakrificë pa çmim – për ardhmërinë shqiptare dinjitoze, zotërues në plëngun tënd etnik! Ky është urdhër nga betimi mbi Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut i mbi Një milion e shtatëqind mijë shqiptarëve në Kuvendet e pajtimit kombëtar të Motit të Madh 1990-1992.
Lëvizja për Faljen e Gjaqeve e të hasmërive midis individëve, familjeve e vëllazërive, e iniciuar nga pjesa më e ndërgjegjësuar kombëtare, studentët, dhe e drejtuar nga inteligjencia patriotike universitare pa ngjyrime politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ishte vetëm një distancim politik alternativ nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, e ngriti në Lëvizje Shqiptare Demokratike që siguroi 2 Korrikun 1990, 7 shtatorin 1990, 26-30 shtatorin 1991 dhe 24 majin 1992. Të gjitha këto patën ndikim madhështor në ndryshimet e sistemit politik, pa luftë e gjakderdhje, në pjesën e Shqipërisë londineze, krijesë evropiane antishqiptare.
Mirëpo, klasa politike në të dy pjesët e Shqipërisë Etnike, në atë londineze dhe në pjesën e aneksuar Jugosllavisë versajase-avnojiste, sikur u bë e shurdhër para këshillës nga urtia e popullit: “Ujët flenë, e armiku nuk flenë…!” Në Shqipërinë londineze, ku duhej të gjendej mbështetja për masën shqiptare liridashëse të pjesës nën okupimin jugosllav, kërkesa për ndryshimin e sistemit politik, e aprovuar burrërisht nga nomenklatura drejtuese e PPSH-së, u keqpërdor nga klasa demokratike mimikri komuniste. Ndryshimi u kuptua si rast për dënim barbar të së kaluarës, duke përfshirë edhe të ardhmen e pjesës shtetëformuese të Shqipërisë dhe kështu “demok¬ratët” vetë e përgatiten kthesën e përgjakshme të nomen¬k¬la¬turës sockomuniste me prirje politike kozmopolite, që ishte dhe është kujdestare e fqinjëve albanofobë të përkrahur nga Evropa, shtrigë e Gjergj Fishtës.
Fuqitë evropiane të vendosjes, e tashti edhe SHBA-të, sikur i janë besnikë udhëzimit të frëngut antishqiptar, Sharl Loazo, nga fillimi i shek. XX: ‘Çështja shqiptare e copëzuar në disa pjesë dhe e zvogëluar, do të pushonte të trondiste Evropën’!?!
Dhe, Evropa dhe SHBA-të, duke shkatërruar Jugosllavinë titiste, Çështjen shqiptare të ndarë në tri pjesë me Traktatin e Londrës, të Versajës, të Jaltës, me Londrën e re, me Versajën e re dhe me Dejtonin, e ndanë paturpësisht në gjashtë pjesë. Kështu, sot, populli shqiptar më homogjen se akëcili popull në trojet e veta etnike, u copëtua, u copëzua, u shkelë dhe u nëpërkëmbë barbarisht, vetëm e vetëm për t’i plotësuar apetitet e pangopshme të fqinjëve: grekë, bullgaro-maqedonë, serbë dhe malazias dhe e gjithë kjo në emër të demok¬racisë, të paqes?!!!
Lëvizja për Faljen e Gjaqeve dhe të hasmërive e viteve 1990-1992, e bashkoi popullin shqiptar nën robërinë sllave për t’i thënë Evropës dhe SHBA-ve një JO të madhe kundër copëtimit të Shqipërisë Etnike, një PO të madhe Luftës për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike. Mbi një milion e shtatëqind mijë shqiptarë të betuar në Kuvendet e pajtimit kombëtar, ishin e janë ushtarë të asaj force politike e luftarake që do ta mbante lartë Flamurin e çlirimit dhe të bashkimit të popullit shqiptar, të Shqipërisë Etnike, pa çmim.
Mirëpo, porosinë e këtij Betimi, siç e vërtetoi koha, e nëpërkëmbi klasa politike shqiptare dhe veçanërisht partia – shtet, në të dy pjesët e Shqipërisë. U tregua jopjekuri politike e drejtuesve të Lëvizjes së Motit të Madh që fitoret; homogjenizimin politik, bashkimin e masave, paqen gjithëshqiptare i la në duar të LDK-së dhe të presidentit të Republikës së Kosovës, të manipuluar në mënyrë të pabesueshme nga një klan, i cili ka qenë inekzistent për Lëvizjen shqiptare të Motit të Madh 1990-1992, e i cili, si i porositur, po rrëmihë në themele të jetës institucionale shtetërore të Republikës së Kosovës. Ky klan është fajtor për faktin se sot “Dhjetë shqiptarë kanë dymbëdhjetë mendime…!?” – siç vërejti një mik i popullit shqiptar.
Në fund, autori i këtij fejtoni, një veprimtar i Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, në emër të mbi Një milion e shtatëqind mijë shqiptarëve të betuar në Kuvendet e Pajtimit Kombëtar, më 1990-1992, Fuqive të vendosjes: SHBA-ve, Rusisë, Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe botës demokratike ua drejton vetëm një pyetje:
“A ka të drejtë në shtet kombi shqiptar, aq sa kanë fqinjët e tij?
Dhe, në fund, një sugjerim për klasën politike shqiptare dhe për Fuqitë e vendosjes: Ata që e ngritën popullin shqiptar në Lëvizje më 1990 – për të drejtën në vetëvendosje, ende janë në pritje të rezultateve të politikës paqësore të dr. Ibrahim Rugovës. Konstatimet që tashti vijnë si qortim se, sa vjen e “pozicionet e Ibrahim Rugovës dhe të LDK-së” po dobësohen, nuk janë as përkrahje, as preventivë. Vdekja kolektive është më pak e keqe se robëria e pafund!”
Dhe, më 28 shkurt 1998, ndodhi Tragjedia e Likashanit. Krismat Te Gjashtë Lisat shënuan kthesën vendimtare në opinionin kombëtar e ndërkombëtar për Çështjen Shqiptare të Kosovës. Nuk dëshiroja të fshihja rëndësinë historike të kësaj Tragjedie për ardhmërinë e UÇK-së, ndaj si anëtar i Grupit të intelektualëve të Drenicës, të pranuar në Zyrën Informative të SHBA-ve në Prishtinë, më 1 mars 1998, shefit të këtij misioni, Richa¬rd Haecheb, i konstatova:
“Zotërinjtë u folën për përmasat e mundshme të Tragjedisë që po zhvillohet sot në Drenicë, duke pasur parasysh urrejtjen shoviniste të serbëve për shfarosjen e shqiptarëve, veçanërisht të atyre të këtij Visi.
Ndërkaq, unë do t’u ofroj disa të dhëna për karakterin e ngjarjes dhe për vendin e ngjarjes. Duhet ta keni të qartë: Sot, me Gjakderdhjen e Likashanit, filloi kryengritja për çlirimin nga okupatori serb. Drenica është një rrafshnaltë me 105 fshatra, është djepi ku kanë filluar të gjitha ngjarjet me rëndësi kombëtare shqiptare. Në maje të maleve që e rrethojnë ka 22 topogërmadha të kalave të periudhës dardane, dëshmi se ajo ishte një si kështjellë ilire në mesin e Dardanisë antike e romako-bizantine.
Drenica i përballoi okupimit mesjetar serb, u ruajt pastër shqiptare etnike. Manastiri i Deviqit, mbi të cilin aktualisht ka vu dorë kisha serbe, është monument i kulturës shqiptare të periudhës paraislame. Popullsia edhe pas kalimit në Islam, e nderoi, e respektoi dhe e ruajti si një tempull të vetin.
Shqiptarët e Drenicës i dhanë grushtin e parë vasalitetit osman-turk. Vrasësi i Sulltan Muratit I, në ditën hipotetike të Luftës së Kosovës të vitit 1389, ishte krahinari shqiptar, Milosh Nikolla nga Kopiliqi i Drenicës.
Dhe, mbi 500 vjet të robërisë osmane, turqit kurrë nuk arritën të shtronin Drenicën. Asnjë turk nuk nguli në këtë vis dhe aty u përgatit Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare për Pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Ideatori e udhëheqësi i kësaj kryengritje, Hasan Prishtina, ishte me prejardhje nga Drenica dhe Ai, në Prekaz të Drenicës, shkrepi pushkën kushtrimore të Kryengritjes së përgjithshme shqiptare për pavarësinë e Shqipërisë, e cila, aso kohe, ende kishte një sipërfaqe prej 90.270km2.
Ju, Zotëri, i dini rezultatet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913. Evropa, për interesa të pansllavizmit rus, Shqipërisë i bëri copëtimin me pasoja të përjetshme për kombin shqiptar dhe për qetësinë e Ballkanit. Krijoi shtetin shqiptar në një vis anësor, me një sipërfaqe më pak se një e treta nga Shqipëria Etnike, duke lënë jashtë këtij shteti Piemontin e kombit shqiptar, Kosovën historike, e cila më 1878 kishte rreth 43.400 km2, kurse më 1912 pati 32.900 km2, me qendrën administrative, politike, ekonomike e kulturore në Shkup.
Pas Luftës së Parë botërore Drenica ishte qendra e Lëvizjes së armatosur shqiptare antijugosllave, e quajtur Lëvizje kaçake, në krye me komandantin legjendar Azem Bejtë Galicën, dhe Drenica me në krye Shaban Palluzhën i dha grushtin e parë pushtetit kominternist të Jugosllavisë së Titos, më 1945. Drenica ishte Zona e Parë e organizatës politiko-ushtarake Nacional-Demokratike Shqiptare të viteve 1945-1951. Dhe, të gjitha organizatat politike dhe ushtarake ilegale shqiptare antijugosllave të Kosovës, të viteve ‘60-90-ta, në Drenicë kanë pasur veprimtarë të shquar.
Pushtuesin serbo-sllav asnjë vis shqiptar nuk e frikëson dhe nuk e iriton sa Drenica, ndaj e ka lënë si visin më të pazhvilluar, dhe e ka mbajtur nën presion e shtypje nacionale, sociale e politike serbe të përhershme. Sot, jeta e çdo shqiptari të Drenicës nuk vlen më shumë se vlera e një plumbi. Çdo serb mund të vrasë cilindo drenicas, e të mos merret në përgjegjësi, përkundrazi të shpërblehet.
Kështu, në pozitën që është sot popullsia e këtij visi, ajo me Luftën nuk ka se çka të humbë, përpos prangave të robërisë më barbare, ndaj ndonëse duarthatë, mund t’i bashkohet akëcilit grup militaristë që premton lirinë.
Dhe, në fund, të rikonstatojë faktin historik se, çdo herë kur është ngritur Drenica, është tundur Kosova dhe janë lëkundur të gjitha viset shqiptare në Ballkan dhe në mërgatë. Ajo tashti është në ngritje dhe lufta gjithëshqiptare për lirinë dhe bashkimin e tokave shqiptare do të jetë e pashmangshme…!”
Me 5-6 mars 1998 u ngrit Epopeja e flijimit të Jasharajve të Prekazit – për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e kombit shqiptar. Këso kohe sapo i kisha siguruar mjetet për botimin e kronikës së Lëvizjes së pajtimit. Nga frika se kryengritja do të lokalizohet vetëm në Drenicë dhe se do të shuhet me strategjinë serbe të tokës shqiptare të djegur të viteve 1877/78, me një bekim të kreut politik të LDK-së dhe të grupimeve politike satelite të saj të shfaqur botërisht, në faqen gjashtë, të bardhë të veprës, pas përkushtimit, solla foton me legjendë: “Gjashtë Lisat e Likashanit, 28 shkurt 1998”, me konstatimin poetiko-artistik, amanet për brezat:

“Sapo e përmbylla këtë kronikë
të pajtimit e të betimit,
u nis Dasma e madhe në Drenicë…
Përtej Gjashtë Lisave t’ Likashanit
u mbëltuan fidanët e rinj.
– Juve, o dëshmorë t’shkurt – marsit
të lirisë dhe të pavarësisë,
këtë përmendore të përjetësisë…!”

Tragjedia e Likashanit dhe Epopeja e Flijimit të Jasharajve do të relativizohen, çuditërisht, nga kreu i LDK-së dhe më 22 mars 1998, “presidenti” Rugova luajti tragji-komedinë më absurde që njohu historia e lindjes së shteteve të lira. Mbajti Zgjedhjet “parlament¬tare” dhe “presidenciale”, edhe për kundër faktit se territori i disa komunave të pjesës qendrore të Kosovës: të Skenderajt, të Gllogocit, të Klinës, të Malishevës etj. mbaheshin në shtetrrethimin më të përgjakshëm, dhe UÇK-ja, në këto vise, bënte luftë ballore me forcat e pushtuesit serb. Dhe, familja ime ishte e vetmja, në Lagjen e Normales, e cila nuk doli në “Zgjedhje”, dhe isha njëri ndër tre a katër punëtorët e Institutit Albanologjik, të cilët, duke u distancuar nga rugovizmi ledekeist, u identifikuan haptazi me uçekeizmin, me Luftën çlirimtare.
Pas daljes nga shtypi të kronikës së Lëvizjes së Pajtimit, në “Derë të Presidencës”, si zakonisht, më 25 maj 1998, i dërgova dy ekzemplarë. Në përkushtim i konstatova: “Ish-kolegut shumë të respektuar, presidentit aktual të Kosovës, z. Ibrahim Rugova, me respekt dhe me shpresë se, me këtë amanet, mund t’i ndihmoj së paku diçka nga ajo që mund t’i ndihmohet. Suksese në përpjekjet për Liri!”
Realisht, sa vinte dhe ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi të paparashikueshme në favor të masivizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkësia Ndërkombë¬tare, me SHBA-të gjenerator, u vu në lëvizje për ta njohur problemin nga baza, dhe Çështjes së Kosovës, që rrëshqiste drejt Krizës botërore, për t’i dhënë zgjidhjen e mundshme më të lehtë. Me dëshirë t’i vija njohuritë e mia historiografike dhe politike në shërbim të përpjek¬jeve politike e luftarake të UÇK-së, kërkova pranim në Zyrën Informative të SHBA-ve në Prishtinë. Kjo do të realizohet më 27 maj 1998, një ditë pasi “presidenti Rugova” arriti për rekuizitë në Nju Jork.
Akordimi nga Misioni i SHBA-ve i ditës së pranimit tim me kohën e qëndrimit të z. Rugova në SHBA, nuk e konsideroja rastësi. Shoqërues, e njëherit përkthyes, kisha ndërmjetësuesin për pranim, z. Avni Spahiun, kryeredaktor i gazetës Rilindja, kurse interesimin për këtë pranim të zyrtarëve të SHBA-ve të angazhuar në Krizën e Kosovës e tregoi prania jo e rastësishme e Sekretarit të Dytë të Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, z. Nicholas Hill.
Kishim me vete një pako me vepra dhe studime shkencore, të mia, me rezyme në gjuhë të huaja, dhuratë për fondin e Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Ato i kisha radhitur në shtrirje kronologjike të ngjarjeve sipas problemit që trajtonin, si një dosje komplete e dëshmisë, se Kosova është pjesë e Shqipërisë Etnike dhe djep i integrimit të popullit, të gjuhës, të kombit dhe të shtetit nacional shqiptar, i cili me dhunë ndërkombëtare ushta¬rake e politike, më 1913, u spostua dhe u përkufizua në periferi të Piemontit të truallit etnik.
Konstatimet në gjatësinë e një periudhe për problemin që ishte trajtuar në ato studime e vepra, ishin konceptuar si një diktim pesëmbëdhjetëminutësh për gjenezën e Krizës së Kosovës, si pjesë e pandashme e Çështjes shqiptare të pazgjidhur. Kjo zgjoi interesim të vërejtur të z. N. Hill: “Kam kënaqësi të veçantë që rastisi të takohem, për të parën herë, me një historian shqiptar. Ndaj nëse mund të ndani pak kohë të çmueshme, të na informoni më gjerësisht për problemet me ndikim në përqasjet për zgjidhjen e Krizës së Kosovës…!”
U gjenda në pozitën e dëshiruar. Në një ambient plotësisht miqësor, pasuen pyetjet në shtrirjen krono¬lo¬gjike të problemit të konceptuar në paraqitjen time dhe përgjigjet sipas metodës së diktimit. Pyetjet kryesisht vinin nga N. Hill, por shënime të plota mbante edhe z. Haecheb. Dhe, bashkëbisedimi edhe për rreth 35 minuta doli si një mësim historiografik për demistifikimin e Mitit serb të Kosovës.
Për këtu mjaftohemi me konstatimin: Pjesa e kësaj vepre “Çështja e Kosovës është problem i krijuar ndërkombëtarisht dhe duhet të zgjidhet ndërkombë¬ta¬risht!”, paraqet kornizat e argumentuara të përmbajtjes së përgjigjeve, përveç të pesë pyetjeve në atë “bashkë¬bisedim”. Ndaj, këtu do të ndalem vetëm në pyetjet- përgjigjet që nuk kisha arsye politike t’i bëja publike aso kohe, e të cilat sikur janë ruajtur për këtë vend:
Në pyetjen: “ A kishin çfarë lidhjesh midis tyre Millosh Kopiliqi dhe i ati i Skënderbeut?”, fola shkurt: “Ishin vëllezër të gjakut e të gjuhës. Miloshi dhe Ivani ishin të një riti ortodoks, dhe kishin të njëjtat ideale, të çlirimit të Shqipërisë të posa dalë nga robëria mesjetare nemanide serbe…”
Nuk ma punoi goja të thoja të vërtetën se, i dyti ishte në taborin e Muratit, e pikërisht vasali i njohur në burimet osmane – “srf Hamza”.
Pyetjet e tjera, të fundit të z. Hill, më dhanë rast të marrë, të thuash hapur, anën e luftës së UÇK-së, si kërkesë jetësore, ekzistenciale të shqiptarëve në Kosovë dhe të ardhmërisë së kombit shqiptar në përgjithësi.
Pyetjes: “Cila është zgjidhja e Krizës së Kosovës sipas Jush?”, iu përgjigja: “Zgjidhje e vetme fatlume, edhe për qetësinë afatgjate të Ballkanit dhe të Evropës, është përkufizimi i shteteve ballkanike në territorin etnik të kombeve. Meqë imperializmi evropian, gjatë shekullit XIX dhe pjesës së partë të shekullit XX, ka krijuar korniza territoriale shtetërore për interesa gjeostrategjike të pansllavizmit rus, në dëm të Shqipërisë Etnike dhe të kombit shqiptar, korrigjimi i kësaj dhune ndërkombëtare aktualisht është i parealizueshëm. Ndaj, preferoj një zgjidhje kalimtare me zgjidhjen e Krizës së Kosovës në dobi të zgjidhjes së Çështjes shqiptare në të ardhmen”.
Në pyetjen: “Cila është ajo zgjidhje kalimtare dhe kush mund të firmosë aktualisht për atë zgjidhje nga ana shqiptare e Kosovës?”- u përgjigja: “Nuk e konsideroj vetën kompetent të shfaqi mendimin për pjesën e parë të pyetjes, kurse për pjesën e dytë kam mendim të mbështetur në analizat e mia të gjendjes politike e luftarake aktuale në Kosovë.
Qartë, deri me Tragjedinë e Likashanit dhe me Epopenë e Prekazit për Statusin e Kosovës ka pasur mandat dhe ka mundur të flasë presidenti i zgjedhjeve legjitime të Kosovës të vitit 1992. Tashti kur doli UÇK-ja si një forcë luftarake me të cilën po identifikohen masat më vitale të popullit – “Të gjithë jemi UÇK!”, tashti kur së paku një e treta e Kosovës ka përjetuar Strategjinë serbe të tokës shqiptare të djegur, sintagma “Zgjidhje paqësore e Çështjes së Kosovës”, për të cilën është angazhuar z. Rugova, nuk ka asnjë kuptim. Për Çështjen e Kosovës dhe statusin shtetëror kalimtar të saj tashti duhet e mund të vendos njënia UÇK – Rugova”.
Dhe, pasoi pyetja: “Sipas Jush, Çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa ndërhyrje Ndërkombëtare. Çka kërkoni nga Perëndimi?”
Theksova: “Më parë thash se Çështja e Kosovës është problem i krijuar ndërkombëtarisht, ndaj duhet të zgjidhet ndërkombëtarisht! Aktualisht Kosova është në luftë me Serbo-Jugosllavinë, dhe kombi shqiptar është përballë kombit serb e më gjerë, sllavo-ortodoksë.
Ndaj, nga Perëndimi dhe bota demokratike liridashëse kërkojmë përkrahje morale, mbështetje politiko-diplomatike dhe ndihmë materiale. Kjo e fundit nënkupton armatosjen e popullit shqiptar me armët e duhura për mbrojtjen e ekzistencës fizike dhe për çlirimin nga pushteti kolonial i Serbisë nën plafin “Jugosllavi”.
Dhe, ajo që është më i kursyeshëm për Perëndimin është gjaku, kurse Kosova ka gjak të mjaftueshëm për Liri. Ky do të ishte çmimi më i lirë i sakrificës së Perëndimit për paqen në Ballkan dhe në Evropë, njëherit edhe çlirim dinjitoz i Kosovës nga barbaria serbe kanibaliste…”
Në pyetjen e fundit: “Çka pritni nga vizita e z. Rugovës në Amerikë?” – U përgjigja me emocione që më shpin, pa dashur, në ngufatje: “Kësaj radhe presim që Presidenti i Kosovës të na kthehet me një vendim të qartë të SHBA-ve për zgjidhjen pa zhagmitje të Çështjes së Kosovës, me ndërhyrje ndërkombëtare përkrah forcave të UÇK-së.
E, nëse z. Rugova do të kthehet, prapë, me premtime duarthatë sikur edhe gjatë herëve të tjera, mua nuk më mbetet tjetër, pos t’i hodhi në llugë këta dy lapsa, të cilët: njëri ma simbolizon Amerikën e tjetri Rugovën, dhe t’i qepem malit, në radhët e UÇK-së.
Kështu do të veprojë edhe zotëri Spahiu, të gjithë intelektualët paevitueshëm, i gjithë Universiteti dhe tani ka për të qenë vonë çfarëdo përkrahje a ndihmë qoftë. Them qartë: E dimë se Kosova do të lahet në gjak, e se do të shkretohet, por tashti nuk ka rrugë tjetër. Fitorja, ndonëse Fitore e Pirros, do të jetë në anën tonë, sepse kemi arsye të marshojmë edhe drejt vetëvar¬tirizimit për ekzistencë fizike e ardhmëri kombëtare të atyre që do të shpëtojnë…”
Këtu më shkeli zëri. Pranë kisha edhe dy pako me libra “Lëvizja Gjithëpopullore…”, dhuratë me përkush¬tim diplomatëve amerikanë e evropianë të angazhuar në Krizën e Kosovës. Në ekzemplarin për Holbrukun, kons¬ta¬tova: “Diplomatit të shquar, z. Richard Holbrooke, me respekt të thellë, e me dëshirë, të mësojë se aspiratat greko-sllave për ekspansion nuk janë të barabarta me aspiratat shqiptare për liri, bashkim kombëtar dhe pavarësi!”
Posa z. Avni Spahiu mbaroi përkthimin anglisht të përkushtimit, theksova: “Kjo është përgjigjja ime në deklaratën e djeshme të z. Holbruk, se “Nuk mund të pranohet pavarësia e Kosovës as bashkimi me Shqipë¬rinë, sepse kjo do të nxiste kërkesa të më vonshme edhe për viset shqiptare në Greqi, në Maqedoni, dhe në Mal të Zi…”
Ju lutëm, t’ia përcillni z. Holbruk këtë sugjerim: ‘Meqë keni vendosur të merreni me Krizën e Kosovës, me Çështjen shqiptare dhe me Çështje të Ballkanit, jam gati t’u shërbejë me informacione historiografike. Paraprakisht i garantoj, Zotërisë së Tij, se atë që do t’ia servoj, nuk ka për të pasur studiues sllavë që ka për ta hedhur me forcë të dokumenteve!’ Ky zotim imi vlen edhe për Juve, Zotërinj…!”
Më 6 qershor 1998 Partia Parlamentare e Kosovës, Lidhja Shqiptare Demokratike, Unikombi, etj. mbajtën konsultën lidhur me nevojën e bashkimit të partive shqiptare të Kosovës në një front politik unik, në përkrahje UÇK-së për çlirimin e Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme. Në diskutim shtrova këto kërkesa:
“Të bëhet bashkimi, shkrirja e vërtetë, e jo vetëm formale, i të gjitha partive politike legale dhe i organizatave politike ilegale në një Lëvizje politike demokratike, krah politik legjitim i UÇK-së;
Po kështu edhe presidenti dr. Ibrahim Rugova të sqarohet publikisht: A e njeh UÇK-në për ushtri institucionale të Republikës së Kosovës. Nëse po, të zgjedhë vendin ku të shkojë: në Likoc, a gjetkë, në Shtabin e UÇK-së, dhe të vihet në detyrën që ia përcakton Kushtetuta e Kaçanikut. Nëse nuk ka kurajë të bëjë këtë, të deklarojë demisionin!;
Dhe, edhe Qeveria “Bukoshi” në ekzil duhet të dalë me prononcim të qartë para popullit dhe para opinionit botëror: A e ka me të vërtetë Ministrinë e Mbrojtjes, për të drejtuar Luftën çlirimtare dhe se a i ka me të vërtetë 200 000 apo 300 000 ushtarë, duhet ta dëshmojë së paku duke i dërguar 2 000 në vijën e frontit të Luftës Çlirimtare;
UÇK-ja arriti shtrirje e rezultate të konside¬rue¬shme dhe tashti ka ardhur koha të dalë me emrat dhe biografitë e kuadrit politik e komandues në Shtabin e Përgjithshëm dhe në shtabet rajonale. Është e domosdo¬shme të veprohet kështu, në të mirë të luftës kundër insinuatave në dëm të UÇK-së dhe në të mirë të ngjeshjes së radhëve të Luftës për Çlirimin Kombëtar të Kosovës, e më gjerë…!” Përmbajtja e këtij diskutimi u ngrit mbi bazë të konceptit me shkrim. Gjatë fjalës ndoshta ka pësuar nuanca të ndjeshme të përmbajtjes, që shihet nga citatet fragmentare nga incizimet tonike të gazetave në vijim, nëse ato janë transkribim i saktë!?!: Gazeta “Koha Ditore” e 7 qershorit 1999, duke raportuar nga “Tryeza e subjektit politik shqiptar” të 6 qershorit, shkroi se Muhamet Pirraku “kërkoi që ‘UÇK-ja të dalë hapur dhe të na thotë qartë se kush është udhëheqëse e saj’. Një gjë të këtillë ai e kërkoi edhe nga kryetari Rugova, i cili sipas tij ‘duhet të japë shpjegime nëse ka lidhje me UÇK-në apo jo. Le të prononcohet Qeveria se a e ka me të vërtetë Ministrinë e Mbrojtjes a jo, a i ka ata 3000 mijë luftëtarë a jo?” Ndërkaq, “Bujku”, më 8 qershor, shkroi: “prof. dr. Muhamet Pirraku tha se koha është të njohim vetveten. Është koha të hiqet dorë nga përkatësitë partiake, të cilën përkatësi gjithmonë e kemi pasur si farsë. Tash jemi në tehun e shpatës e nën reflektorët ndërkombëtarë. Populli është i bashkuar, sepse ai mendon se edhe ne jemi të bashkuar”.)
Pas disa ditësh u pa se këto kërkesa i kisha shtruar edhe para disa anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm. Dhe, më 11 qershor 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së doli me Drejtorinë Politike në krye me prof. Jakup Krasniqin. Ishte kjo një befasi, e cila sa gëzoi aq edhe frikësoi, sepse përkrahësit e 0pcionit të Luftës çlirimtare, të UÇK-së shpresonin se në krye të saj janë personalitete politike e ushtarake profesionale me emër dhe nga radhët “institucionale”!
Më 12 qershor, në zyrën e Kryeredaktorit të gazetës “Rilindja”, shumë gazetarë, redaktorë gazetash dhe mysafirë, bëjnë komentime. Hetohej frika, mosbesimi. Parapëlqenin, në vend të Krasniqit, akëcilin personalitet me “autoritet, kompetent e të dëshmuar” në fushë të dijes, të ushtrisë a të politikës. Dhe, dr. Flamur Doli, më drejtohet: “Meqë Jakupi është historian dhe i Drenicës, a e njeh, kush është Ai…?!”
I përgjigjem shkurt: “Është njëri ndër të burgosurit politik të Tetëdhjetëenjëshës, i cili para Gjyqit, theksoi: ‘Nuk e pranoj këtë gjyq të pushtuesit dhe mund t’i përgjigjem vetëm gjyqit të popullit tim…!’
E njoh për shumë të vendosur, është sakrifikues dhe, besoj, e dinë se çka bënë. Dalja e tij në skenën politike të UÇK-së vërtetoi qartë faktin e hidhur, që më frikëson edhe mua, se Kosova nuk paskësh intelektual patriot më të mirë. Na u përsëritë Hasan Prishtina i vitit 1912. Edhe në kohën e Prishtinës kishte dijetarë, politikanë e pashallarë shqiptarë me autoritet, por Prishtina e mori Flamurin e Kryengritjes Gjithëshqi¬p¬tare për Autonominë e Shqipërisë, si hap drejt Pavarë¬sisë.
Burra, ku t’i gjejë UÇK-ja ato personalitete, me “autoritet” e “kompetent”, pasi politikanët, ushtarakët dhe i tërë Universiteti, nuk ndihen për të gjallë!?! Pse nuk jemi Ne, pse nuk je Ti, Unë, atje, midis UÇK-së, e ndoshta një tjetër person, vërtetë edhe me më autoritet ndërkombëtar edhe më kompetent për Luftë, do të ishte, sot, në vendin e Jakupit…?!”
Flamuri nuk do të përmbahet. Më ndërhyri, rëndë: “Tamam puna edhe Ti të ishte atje, e të të na akuzojë Perëndimi si fundamentalistë islamë, edhe kështu të apostrofuar…!?”
Dialogu nuk përfundoi me kaq. Shumica absolute e të pranishmëve, megjithatë, u pajtuan me opinionin tim politik. “Më të mirët janë ata që kanë marrë pushkën për Liri o vdekje, dhe atyre duhet t’u bashkohemi me penë, me para e me gjak…!”
Më 11 korrik 1998 gazeta “Bota e re”, e afërt me UÇK-në, me ofrohet për një intervistë, të cilën do ta botojë edhe “Zëri i Kosovës”. Kërkesë kjo, si ta kisha porositur. Ndikova në pyetjet, në mënyrë që të përfitoja adut për të dalur plotësisht hapur përballë “institucionalistëve” rugovisto-bukoshistë, në krahun e UÇK-së – si alternativë të vetme për sigurimin e pavarësisë së Kosovës, si zgjidhje kalimtare drejt zgjidhjes së Çështjes shqiptare.
Dhe, nuk është tepër të rikonstatoj se UÇK-në e afirmoja fuqimisht si përpjekje gjithëshqiptare nga Skënderbeu te Adem Jashari. Këtë e theksova qartë edhe në tekstin e mesazhit për 28 Nëntorit 1912, për dëgjuesit e “Radio Duesche Wele”, të hartuar më 27 nëntor 1998, sipas kërkesës së kryeredaktorës Adelajde Falketing¬mann. Në këtë dokument për pengesa në Rrugën e UÇK-së për realizimin e aspiratës legjitime historike të kombit shqiptar, apostrofova mosunitetin politiko-diplomatik të Faktorit Ndërkombëtar të Vendosjes dhe paaftësinë shte¬të¬for¬muese të klasës politike shqiptare të përçarë:
“Sot, në këtë Nëntor historik, kombi shqiptar përkujton Nëntorin e Skënderbeut, Nëntorin e Ismail Qemalit dhe përgatitet për Festën e Nëntorit të Ardh¬shëm, rrugën dhe çmimin e të cilit e ka shënuar UÇK-ja si sot një vit më parë, në Drenicë.
Fjalët e Gjergj Kastriotit para krutanëve, më 28 nëntor 1443 – “Lirinë nuk ua solla unë, po e gjeta këtu në mesin tuaj(…), armët nuk ua ngjesha unë po u gjeta të armatosur!” – erdhën amanet për shqiptarët nëpër luftërat për çlirimin kombëtar deri në Nëntorin e Dytë 1912.
Të 55 delegatët e Kuvendit Gjithëkombëtar të Vlorës votuan NJËZËRI vendimin: “Shqipëria me sot të bëhet me vehte, e lirë e e mosvarme!”
Këto fjalë ishin të shkruara me gjakun e fatosave të Kryengritjes së Kosovës nën Hasan Prishtinën. Komiteti SHPËTIMI nën drejtimin e Nexhib Dragës, qysh më 16 tetor 1912, i kishte informuar Fuqitë e Mëdha evropiane: “Populli i Shqipërisë po i kap armët jo për ta mbrojtur ekzistencën e Turqisë në Ballkan, por për t’u dalë zot tokave të veta(…), për një Shqipëri të lirë e me një formë qeverisjeje të vetme!”
Kjo Shqipëri, për të cilën populli shqiptar luftoi shekuj me radhë kundër pushtuesit osman, nga 28 Nën¬to¬ri i Skënderbeut deri në 28 Nëntorin e Ismail Qemalit arriti me 90.270 km2. Evropa Plakë e copëtoi këtë Shqipëri më 1913, më 1918 dhe më 1945. Kështu, kombin shqiptar e dërrmoi. Mbi dy të tretat të Shqipërisë Etnike ua ndau sllavëve e grekëve.
E dimë. Historia nuk mund të abortohet, ama ka mundësi të riparohet. Evropa e Re këtë ia ka borxh kombit shqiptar. Ndaj, shqiptarët presin zgjidhje fatlume për Kosovën aktualisht dhe për kombin shqiptar në Rendin e Ri Perëndimor!
Nëntori i Skënderbeut, Nëntori i Ismail Qemalit dhe Nëntori i Adem Jasharit janë amanet që nuk mund të shkelet as nga klasa politike shqiptare, mjerisht e pa kokë, dhe as nga Faktori Ndërkombëtar i Vendosjes, tmerrësisht i përçarë. Kjo sëmundje evropiane po e përçan edhe faktorin shqiptar.
Mesazhi që na vije nga historia e Nëntorëve Shqiptarë, është: Nëntori i TRETË, i Adem Jasharit, duhet të kurorëzohet me çdo çmim për kombin shqiptar – me fitoren që i ka hije një kombi evropian, komb vëlla midis kombeve vëllezër të Evropës. A M E N!” Nga fundi u bë një shkëputje telefonike, kurse Kryeredaktorja e DW-së , si duket, më nuk arriti të vihet në lidhjen telefonike. Teksti botohet këtu për të parën herë.
Opsionin se pa Luftë gjithëkosovare dhe gjithë¬kom¬bëtare shqiptare nuk mund të pritet liria dhe bashkimi i tokave shqiptare, do ta theksojë posaçërisht në tribunën “Liria si domosdoshmëri”, të manifestimeve kulturore – “Flaka e Janarit” në Gjilan, më 22 janar 1999, e cila u kushtohej martirëve të kombit: Mulla Idris Gjilanit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ndaj në faqen e dytë të programit ishte botuar një fragment nga vepra “Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951”, kurse në faqen e tretë një skicë poetike e Ahmet Jusufit për rënien heroike të Malës e Berishës.
Këtu, ndonëse referuesit nga radhët e ledekeistëve institucionalistë përmenden edhe martirë të tjerë të kësaj lagjeje, në UÇK-në nuk denjuan të shihnin vazhdimin e përpjekjeve dhe të luftës të atyre që u kushtohej tribuna, por UÇK-ja do të nxihet ngoje si një rebelim i grupeve thënë qartë, të pa kokë dhe të pa kohë – me pasoja për qenien fizike të popullsisë të viseve ku UÇK kishte marrë shtrirje. Mesazhi i këtyre referateve ishte se: Çështja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës është e duhet të jetë në duart e “Institucioneve legjitime” të Kosovës, të Presidentit Rugova, për zgjidhjen paqësore të Problemit të Kosovës…!
Dhe, meqë porosia e këtyre referateve shkonte krejt në anashkalim me porosinë që vinte nga akti i martirizimit të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, të nxjerrë në faqen tre të programit të Manifestimit: “Natë, 11 janar 1984. Acar i madh. Globi po tkurret. Diçka lëviz(…).Këngë e krisma, tërë natën – Bashkohuni shokë me ne, në çetë…tak, tak!(…).Historia po hapte një fletë të re me një letërnoftim të vetëm: QËNDRESË” – reagova pa hezitim.
Meqë, vazhdim i pakontestueshëm i këtij heroizmi ishte Lufta heroike e UÇK-së, e cila tashti po ngriste epopetë më të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, fjalën përshëndetëse e përfundova duke rilexuar, në program të manifestimit, përgjigjën e Mulla Idris Gjilanit në pyetjen e një luftëtari:“Kush jemi në rrugë të drejtë: Ne, Mbrojtja Kombëtare e Kufirit, apo vëllezërit tanë partizanë-komunistë, të cilët e morën Shqipërinë dhe hynë në Kosovë, me luftë të përbashkët me shkijet…?!”
– “Pasha këtë Kur’an të Allahut, Dheu i kësaj Shqipërie të mos më lashtë brenda, na jemi në luftë të drejtë: para Zotit, para popullit, para historisë dhe para Vatanit…!”
Vazhdova: “Po të ishte sot Mulla Idrisi, dhe t’i bëhej një pyetje si kjo: “Kush jemi në rrugë të drejtë: Ne të Anamoravës, ku po mbretëron siguria dhe jeta e qetë, siç u tha këtu, apo Drenica, Dukagjini etj., ku po mbretëron tmerri i Luftës…?” – do të përgjigjej: “Pasha këtë Kur’an të Allahut, Dheu i kësaj Shqipërie të mos më lashtë brenda, Drenica, Dukagjini, Sharri janë në luftë të drejtë, para Zotit, para popullit, para historisë dhe para Vatanit, kurse Anamorava, dhe pikërisht instituci¬o¬nalistët e sajë, jenë në shërbim të okupa¬to¬rit…!”
Fjala ime e zbuloi një realitet të hidhur. Salla kishte qenë e ndarë në LDK-istë institucionalistë e në LBD-istë uçekeistë. Atmosfera që u kijua në sallë, midis dy krahëve, pas fjalës sime, më nxiti detyrimisht të shkruaj, të nesërmen, artikullin: “Stop dy rrugëve të përpjekjeve shqiptare për çlirimin e Kosovës”. Dhe, këtu e tutje, të gjitha shkrimet do t’ia drejtojë, me këmbën¬gulje, kërkesës për unitetin politik e diplomatik gjithësh¬qiptar përballë faktorit politik e diplomatik ndërkom¬bëtar, pa pardon në përkrahje të UÇK-së, si kusht i vetëm për mbijetesën e shqiptarisë dhe të shqiptarësisë së Kosovës.
P r i s h t i n ë, 28 tetor 1999

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …