Prof. dr. Sabit Syla: Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë më 1981 II

Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosove pritej më shumë interes nga i gjithë populli shqiptar nën Jugosllavi. Qysh në njoftimin e parë që dha ATSH-ja, filloi publiciteti i qëndrimit të Shqipërisë dhe mori proporcione gjithnjë e më të gjëra mbas botimit të artikujve të “Zërit të Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit 1981. Në artikujt e lartpërmendur theksohej se, Qeveria e Shqipërisë në mënyrë miqësore dhe në kuadrin e politikës së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ka kërkuar nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë që të ndalohen terrori, vrasjet, masakrat, torturat dhe burgimet në masë të kosovarëve nga ana e policisë serbe. Po ashtu i bëhej thirrje jugosllavëve që të ulnin gjakrat, të ruanin gjakftohtësinë e të mos armiqësoheshin me shqiptarë. Në artikullin e datës 17 maj, u kritikua ashpër politika e brendshme dhe jashtme e Jugosllavisë Federative e cila ishte e mbarsur me rreziqe për të dhe kjo nuk mund të konsiderohej sikur Shqipëria kërkon ta minojë atë. Përkundrazi, e bën se kërkon të mbrojë Federatën, përderisa me këtë politikë Shqipëria mbron popullin shqiptar, popujt e Jugosllavisë, vendet e Ballkanit dhe Evropën. Në këta tre artikujt bazë të “Zërit te Popullit”, ashtu edhe në artikujt e tjerë, Tirana zyrtare i dha një përkrahje të fuqishme luftës se popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij. E vetmja rrugëzgjidhje e drejtë për problemin e Kosovës konsiderohej ajo që thuhej në artikujt e “Zërit te Popullit”: T’i jepet fund dhunës e shtypjes policore serbe; të hiqet shtetrrethimi e të tërhiqen nga Kosova forcat policore e ushtarake; t’u kthehen të vrarët familjeve të tyre dhe të lirohen të burgosurit; të shqyrtohen me gjakftohtësi kërkesat e popullit të Kosovës e të zgjidhen drejtë ato; t’i njihet Kosovës statusi i republikës me të gjitha atributet që njeh kushtetuta jugosllave edhe për republikat e tjera. Edhe Enver Hoxha në Ditarin e tij më 9 maj 1981 shkruante: “Krahina Autonome e Kosovës duhej të bëhej republikë, ajo duhej të shkëputej nga tutela e Republikës Socialiste të Serbisë”. 21.

Pa realizuar këto çështje, thuhej në një dokument të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë të datës 25 qershor 1981, gjendja në Kosovë nuk mund të stabilizohej, lufta do vazhdojë e Shqipëria do i përkrahte pa ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Partia e Punës së Shqipërisë, thuhej më tej aty, nuk ka shtruar asnjëherë dhe nuk shtron çështjen e rivendikimeve territoriale e kjo do kuptuar qartë sepse:  a) Ne, si marksistë-leninistë, jemi për vetëvendosjen e popujve. Pra, edhe çështjen e popullit të Kosovës e shikojmë si çështje të vet popullit të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Ky ka qenë dhe mbetet qëndrim konsekuent i Partisë sonë. b) Ne i shohim realisht situatat, natyrën e regjimit që sundon në Jugosllavi dhe jemi të ndërgjegjshëm se kush qëndron pas tyre, se kush e kërkon prishjen e Federatës jugosllave dhe nxitjen e konflikteve territoriale. c) Luftën kundër revizionizmit jugosllave si ideologji antimarksiste e kundërrevolucionare Partia e jonë e ka zhvilluar kurdoherë nga pozita parimore dhe asnjëherë nuk e ka lidhur atë me pretendime territoriale. ç) Në kushtet aktuale PPSH është për atë që popullit të Kosovës t’i jepet statusi i republikës brenda Federatës jugosllave22. Deklarimi i mëhershëm i udhëheqjes shqiptare se në rast agresioni ndaj Jugosllavisë, Shqipëria do luftojë përkrahe popujve të saj qëndronte në fuqi e arsyetohej i drejtë sepse: Në një rast të tillë popujt e Jugosllavisë do të ishin viktima të një agresioni dhe lufta e tyre do të ishte e drejtë; se viktima të agresionit do të ishin edhe vëllezërit shqiptarë nga Kosova e vise tjera të cilët nuk do të qëndronin duarkryq dhe se do të rritej dhe afrohej rreziku edhe ndaj Shqipërisë. 23.

Udhëheqja e Tiranës i vlerësonte demonstratat e zhvilluara në Kosovë së pari si dështim të politikës jugosllave në Kosovë si rrjedhojë e politikës së ndjekur ndaj territoreve shqiptare nën Jugosllavi, duke i trajtuar ato si ngastra të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit Zi. Këto ngjarje, sipas udhëheqjes shqiptare përgënjeshtruan edhe një herë me forcë shumë të madhe “suksesin” e politikes titiste për “zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare” në Jugosllavi e cila ishte bërë sipas modelit të “këshilluar” nga Çubrilloviçi, përmes demagogjisë dhe synimit për ta mbajtur nën kontroll emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Kjo taktikë “e hollë” e projektuar prej tij, si treguan ngjarjet dështoi. Në zbatim të saj u përdor pa sukses një arsenal i tërë mjetesh jo humane dhe shoviniste nga shteti jugosllav dhe në veçanti nga ai serb kundër të gjitha vlerave kombëtare shqiptare për t’i shpallur ato si armiqësore dhe kundërrevolucionare. Së dyti, udhëheqja shqiptare vlerësonte traditën dhe vendosmërinë që ishte krijuar tek shqiptarët nën Jugosllavi, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit e cila vinte duke u konsoliduar, duke qenë zot i fateve të veta. Ajo ishte e aftë të përdorte të gjitha mjetet e luftës politike dhe shoqërore, si për të sfiduar politiken dhe demagogjinë e Jugosllavisë për realizimin e aspiratave të veta shekullore. Ajo shihej si një lëvizje që do të vazhdonte edhe në të ardhmen e cila do ishte e aftë që t’i imponohej Jugosllavisë dhe do të arrinte së paku që ta detyronte atë të ndiqte një politikë më të drejtë ndaj çështjes shqiptare. Së treti, vlerësohej pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstrata e cila arrinte në 100 mijë veta, të cilët u përkisnin të gjitha shtresave të popullsisë duke vënë në pah sidomos moshat e reja dhe sidomos rininë shkollore e studentore. Në demonstrata ishte përfshirë demonstrues nga 13 komunat e Kosovës, por në mënyrë të veçantë vihej theksi tek demonstruesit e 9 komunave të saj, të cilët kishin dalë në tubime në më shumë se një herë. Së katërti, vlerësohej shumë vendosmëria e demonstruesve, të cilët ishin të ndërgjegjshëm për pasojat dhe dënimin që mund të merrnin prej autoriteteve shtetërore serbe e jugosllave. Në kohën e zhvillimit të demonstratave nuk mund të përcaktoheshin të vrarët, të plagosurit dhe të arrestuarit, por besohej ata ishin me mijëra. Së pesti, vetëdija kombëtare dukej se kishte arritur një shkallë të lartë. Shqiptarët nuk besonin më në demagogjinë titiste dhe predikimet e saj për zgjidhjen e  çështjes kombëtare e shoqërore në Kosovë. Parullat e shkruara nëpër rrugë, mure e drunj, ato të shkruara e përhapura me trakte dhe ato të thirrura gjatë demonstratave tregojnë se masat e rinisë dhe të mbarë popullit shqiptar në Kosovë e përbuzin dhe e urrejnë regjimin jugosllavë në të njëjtën shkallë si për padrejtësinë nacionale ashtu edhe për shtypjen e shfrytëzimin shoqëror, treguan se masat shqiptare në Jugosllavi nuk i honepsin as demagogjinë e “vetadministrimit” e të “bashkim-vëllazërimit” as mekanizmin organizativ titist që përpiqet t’i bëjë ato të pranueshme e të detyrueshme. 24.

Udhëheqja komuniste e Shqipërisë analizonte edhe  shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave. Ajo e vinte theksin te: a) Prapambetja e madhe ekonomike e Kosovës dhe shfrytëzimi i saj nga republikat e zhvilluara, sidomos nga Serbia… b) të keqësimi i vazhdueshëm i jetesës së masave të gjera, sidomos në vitet e fundit, të ngritja e shfrenuar e çmimeve dhe inflacioni gjithnjë e në rritje, etj. Në këtë kuadër, vihej në dukje edhe pozita materiale mjaft e vështirë e studentëve të Universitetit të Prishtinës në krahasim me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë. c) Shtypja nacionale e popullsisë shqiptare në Jugosllavi si pasojë e politikes shoviniste serbomadhe, mungesa e lirisë demokratike dhe e të drejtave politike të kombësisë shqiptare në krahasim me kombet e kombësitë e tjera. ç) Aspiratat dhe kërkesat e popullsisë shqiptare në Jugosllavi për çlirim kombëtar e shoqëror të cilat kanë qenë gjithnjë e në ngritje si rezultat i rritjes së vetëdijes kombëtare-shoqërore. Popullsia shqiptare nuk është pajtuar asnjëherë me ato pak të “drejta” që ju ka dhënë kushtetuta jugosllave. 25.

Sipas të dhënave të burimeve diplomatike shqiptare demonstruesit kishin hedhur parulla të karakterit politik si: “Kosova Republikë”, “Bashkim me Shqipërinë”, “Bashkim i trojeve shqiptare në Jugosllavi”, “Nuk jemi serbë apo jugosllavë, por shqiptarë”, “Rroftë-Marksizëm-Leninizmi”, “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”, “Poshtë serbët”, “Poshtë borgjezia dhe burracaket”, “T’iu jepen të drejtat vëllezërve në Maqedoni”, etj. Krahas parullave politike  ishin artikuluar edhe kërkesa ekonomike si: “t’i jepet fund shfrytëzimit ekonomik të Kosovës nga të tjerët”, “trajtim të barabartë me studentët e republikave të tjera”, “kushte, ushqim, strehim, shtim të bursës si për të tjerët në Jugosllavi”, etj.

Nga relacionet e ardhura vlerësohej edhe dinamika e demonstratave të zhvilluara, të cilat nisën në Universitetin e Prishtinës më 11 mars 1981. Fillimisht u paraqitën kërkesa ekonomike të cilat u ndoqën më pas edhe nga kërkesat politike. Pjesëmarrja vlerësohej në rreth 4000 vetë. Duke filluar nga  26 marsi lëvizja demonstruese u shtri edhe në qytete të tjera të Kosovës. Në demonstratat e datës 26 mars studentëve dhe nxënësve iu  bashkuan dhe punonjës të arsimit, kulturës e të artit, punëtorë dhe nëpunës shqiptarë. Në demonstratën e prillit me studentët dhe nxënësit u bashkuan edhe një pjesë e mirë e punëtorëve të ndërmarrjeve të mëdha si të “Trepçës”, të “Ramiz Sadikut”, të fabrikës së akumulatorëve të Obiliqit etj. Në demonstrata morën pjesë masivisht edhe fshatarë të gjitha komunave ku u zhvilluan demonstrata. Në demonstrata morën pjesë gra dhe të reja shqiptare nga Kosova. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i referohej një shifre mbi 100 mijë vetëve si pjesëmarrës në demonstrata, por sidoqoftë kjo shifër nuk ishte e verifikuar. 26.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …