Prof. dr. Sabit Syla: Qëndrimi i Shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë më 1981 I

Më 11 mars 1981 filluan demonstratat në Prishtinë, duke u masivizuar dhe zgjeruar në gjithë Kosovë, në javët vijuese. Shqipëria do i ndjekë me vëmendje dhe nga afër këto ngjarje të mëdha duke ushtruar rolin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar. Çështja e Kosovës u shtrua në organet udhëheqëse shtetërore dhe u morën një sërë masash për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve të zhvilluara. Vetëm një ditë pas Demonstratës së 11 marsit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Tirana i kërkoi Ambasadës se saj në Beograd që të informonte se çfarë kishte ndodhur në Prishtinë dhe për komentet që bëheshin rreth tyre. Më 16 mars, u njoftuan përfaqësitë diplomatike për demonstratën dhe u udhëzuan që të jenë të kujdesshëm të mos prononcohen dhe të mos merrnin në mbrojtje asnjë grup. Më 17 mars u diskutua çështja në Ministrinë e Jashtme, duke analizuar edhe mjaft dukuri të mëparshme, sidomos ato gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit (greva e 8 shkurtit e 40 punëtoreve në Obiliq, parullat “Rroftë PPSH”, të shkruara në korridoret e konvikteve të vajzave në Universitetin e Prishtinës), etj. Më 23 mars u udhëzua Ambasada në Beograd që të analizojë të gjitha të dhënat për ngjarjet e 11-12 marsit në Universitetin e Prishtinës dhe të dërgojë një material me mendimet e saj. Po më 23 mars gjithashtu u informuan të gjitha përfaqësitë për përmbajtjen e artikullit të gazetës “Bashkimi”: “Forca e patriotizmit shqiptar”, etj. Më 28 mars u informuan përfaqësitë diplomatike për demonstratat e 25 marsit, duke i porositur për kujdes, sipas udhëzimit të mëparshëm dhe duke kërkuar prej tyre që të informonin menjëherë dhe për çdo gjë që lidhej me ato ngjarje. Më 31 mars u bë përsëri një analizë tjetër bazuar në të dhënat që kishin deri atëherë edhe për demonstratat e 25 marsit në Prizren dhe 26 marsit në Prishtinë dhe në mjaft komuna të tjera, duke bërë edhe krahasimin me demonstratat e vitit 1968 dhe midis qëndrimeve jugosllave të asaj kohe me ato të 1981-shit. Më 4 prill u udhëzuan diplomatët shqiptarë që të mos mbyllnin gojën për Kosovën, por të flasin edhe ata për sa kanë mësuar nga shtypi, të theksojnë se Shqipëria nuk ka gisht në ngjarje dhe të përgënjeshtrojnë pohimet e njërit apo tjetrit për këtë, të vlerësojnë se ngjarjet në Kosove janë rezultat i gjendjes së keqe dhe i mohimit të drejtave që jep kushtetuta, duke kërkuar që ata t’i zgjidhin kërkesat e kosovarëve, sipas kushtetutës dhe të mos krijojnë vështirësi, etj1. Ndërkohë, në gazetën “Bashkimi”, Organ Qendror i Frontit Demokratike të Shqipërisë, më 21 dhe 23 mars u shkruan dy artikuj, si: “Luftë e armatosur heroike e ushtrisë së lidhjes shqiptare të Prizrenit”2, dhe “Forca e patriotizmit shqiptar”3.

Më 5 prill, u thirr mbledhja e Byrosë Politike u diskutua mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duheshin ndërmarrë. Në Byro për këtë çështje të gjithë qenë dakord për të shkruar një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, për të dënuar dhunën serbo-jugosllave ndaj studentëve dhe popullit të Kosovës4. Artikulli në fjalë u botua më 8 prill titulluar: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”5. Që më 7 prill (duke i paraprirë artikullit që do të botohej më 8 prill) e këtej në bazë të udhëzimeve që u dhanë, u bënë 36 telegrame qarkore për dëgjimin, incizimin, studimin, shpërndarjen, sigurimin e një jehone sa më të gjerë dhe vjeljen e artikujve të “Zërit te Popullit”. Po kështu, në këto radiograme dhe me shkresën qarkore “Udhëzime lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe detyrat e ambasadave”, të datës 14 prill 1981, u udhëzuan ambasadat për mënyrën se si duhet të punojnë për të qenë në gjendje të argumentojnë qëndrimet e Shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës për të siguruar të dhëna sa më të gjëra e të sakta për ngjarjet, për të organizuar më mirë punën me shqiptarët në vendet ku janë, për të njohur më në thellësi emigracionin shqiptar nga Kosova e viset tjera dhe për ta vënë punën e përfaqësive në këtë drejtim mbi baza më të organizuara, etj6. Më 23 prill u shkrua artikulli, “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë?”7. Ndërkohë, më 13 maj 1981, u mblodh prapë Byroja Politike në të cilën merrnin pjesë: Enver Hoxha, Adil Çarçani, Haki Toska, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Spiro Koleka, Pilo Peristeri, Qirjako Mihali dhe Simon Stefani. Munguan: Kadri Hazbiu, Pali Miska, Rita Marko, Llambi Cegprifti dhe Lenka Çuko. Në mbledhje u dakordua për një artikull të tretë në vijim të dy artikujve të mëparshëm botuar në “Zërin e Popullit”, më 8 dhe 23 prill8. Artikull i cili u botua më 17 maj, titulluar: “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”9.

Në gazetën “Zëri i Popullit”, Organ i Komitetit Qendror të PPSH-së, gjatë muajit maj dhe qershor vërshuan një sërë artikujsh tjerë kushtuar demonstratave dhe në përgjithësi çështjes së Kosovës si: “Zëri i shkencës dhe era e shovinizmit”10, “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”11, “Mite përballë realitetit”12, “Ngjarjet e Kosovës dhe bashkëpunimi i fshehtë sovjeto-serbomadh”13, “Një dëshmitar i paanshëm tregon për demonstratat në Prishtinë”14, “Demokraci nën mitraloza”15, “Kush është kundër bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”16, “Piemonti i mirëfilltë, “Piemonti” jugosllav dhe “Piemonti shqiptaromadh”17, “Jugosllavia titiste, e sëmura e Ballkanit, nxit armiqësinë shqiptaro-greke”18, “E vërteta mbi marrëdhëniet ekonomike-tregtare midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”19, “Demaskohen gënjeshtrat e fabrikuara në Beograd”20, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …