leoni

Partitë politike në Kosovë

“Prurjet e reja” dhe partitë e vogla sollën rezultat katastrofik për dy koalicionet e mëdha PDK-AAK-NISMA dhe LDK-AKR AL…

Burokratizimi brenda partive të mëdha, parazitizmi, humbja e kontaktit me zgjedhësit, përveç gjatë fushatave zgjedhore, mbështetje në emra të vetëquajtur analistësh, prodhim i medieve klienteliste, pranimi në koalicione i partive të vogla pa elektorat, ka bërë që dy koalicionet e mëdha  të pësojnë shumë keq në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017.   

Të etur për pushtet, të gjendur përballë sfidave të mëdha si krijimi i ASK-së, definimi i demarkacionit  me Malin e Zi, përballja me gjykatën speciale, raciste e fashiste, kundër UÇK-së, bëri që “krahu i luftës”  t’i tejkalojë inatet, mëritë, urrejtjet përbrenda dhe të bëhet bashkë me qëllim për të mbijetuar politikisht, në koalicionin: PDK-AAK-NISMA. Koalicionin tjetër: LDK-AKR-AL… u bashkua me qëllim për të korrë fitore duke bërë gabimet e njëjta, duke eleminuar nga lista për deputetë shumë nga meritorët dhe  duke u mbështetur në “prurje të reja” të cilët pajën e jashtme të krekosur e të kallaisur nuk e mbuluan dot me vota, sepse elektorati mat me kutin e vet dhe jo me atë kut që ata e masin veten.

Duke u bazuar në një listë që ka siguruar “Botapress”, bëhet e ditur se nga Dega e IV e LDK-së del se kandidati më i votuar është Avdullah Hoti me  4534 vota, Vjosa Osmani me 3050 vota, Lumir Abdixhiku, si “prurje për vota” doli vetëm  me 2437 vota, ndërsa analisti  Driton Selmanaj 1403, Behxhet Pacolli 1940, Mimoza Kusari Lila, 1388, Ilir Deda, 1396, Anton Quni 946, Kujtim Shala 744 dhe Ismet Beqiri me 685 vota. Kjo tendencë e votimit të kandidatëve që konsiderohen si “prurje të reja” në LDK duket se është një mesazh i mire për Lidhjen Demokratike të Kosovës që të mendojë për avansimin e “frymës së re” edhe brenda strukturave të LDK-së.

 E njëjtë dhe më e keqe është gjendja edhe brenda koalicionit PDK-AAK-NISMA. Pranimi në radhët e këtij koalicioni të disa gazetarëve të njohur për gjuhë të vrazhdë, për sharje e sjellje arrogante fyerje, madje edhe për pretendime për ta paraqitur Kosovën si tokë pjellore të ISIS-it, largimi nga lista i disa ish deputetëve nga radhët e të burgosurve politikë që dikur kësaj partie e sillnin nga  10 mijë e më shumë vota, pranimi në koalicion i emrave  krejt të panjohur të disa partive të vogla, po thuajse fare pa elektorat, bëri që këto parti të ndëshkohen nga vetë elektorati i tyre.

“Prurjet e preja” në koalicionin PDK-AAK-NISMA, treguan më së miri se kryetarët e këtyre tri partive i bënë gabimisht llogaritë, andaj edhe korrën rezultatin, për të mos thënë fatal, sepse anashkalimi dhe eleminimi nga lista i më meritorëve të para, gjatë dhe pas luftës, doemos se do të ndëshkohej dhe do të ndëshkohet kurdoherë  nga shqiptarët liridashës.

Si mund të marrë vota shumicë në PDK-apo AAK, një gazetar që deri dje nuk ka lënë të ligë pa folur e pa shkruar kundër luftës së UÇK-së kundër  “krahut të luftës” dhe ish të burgosurit  politikë?

Prurjet e reja, po del se kanë qenë “prurje të zeza” për disa parti,  të cilat mendojnë të fitojnë elektorat, duke lakuar  emra të analistëve të vetëquajtur dhe duke përdorur telefonin për të fituar vota, pa u djersitur, apo duke kontaktuar elektoratin një herë në katër vjet, sikur kanë bërë dhjetëra deputetë të komunave, madje shumica syresh nuk janë as edhe banorë të atyre komunave meqë jetojnë në kryeqytet. Këto prurje i kishin kushtuar PDK-së edhe në kaluarën por kreu aktual i saj  nuk nxori asnjë mësim, përkundrazi sharroi edhe më keq. Kreu aktual i kësaj partie duhet të reflektojë para elektoratit  për humbjen e gati 30 për qind të votuesve. Dhe si të mos humb, kur një kandidate për deputete, kryetare e një partie gati pa fare elektorat, një parti në letër që nuk ka mbajtur kurrë kuvend, bën koalicion me PDK-në dhe vihet në radhën e parë të listës, për të marrë votat e partisë së madhe.

Ky është vetëm grushti i parë i ndëshkimit për tre të parët e koalicionit PDK-AAK-NISMA.  Pasojat e mos punës, burokratizimit të partisë, të çelepirllëkut, parazitizmit, keqpërdorimeve, abuzimeve tashmë po shihen. Po të kishte vepruar ngjashëm Vetëvendosja, nuk do ta kishte dyfishuar elektoratin. Dihet se nëpër çfarë kalvarësh kanë kaluar aktivistët e Vetëvendosjes për të arritur deri te kjo fitore, e cila është meritore në radhë të parë për punën, angazhimin, syçeltësinë dhe përkushtimin idealist. Edhe këta nuk ishin imunë ndaj prirjeve të reja, por këtë e mbuluan me punë, përkushtim dhe angazhim.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …