QHDP: E drejta në reparacione në Kosovë

QHDP: E drejta në reparacione në Kosovë

Qendra për Hulumtim Dokumentim dhe Publikim (QHDP) publikoi raportin ‘’E drejta në reparacione në Kosovë’’, ku prezantimin e bëri Nora Ahmetaj (autore e raportit), dhe bashkëpunëtoret Z. Adil Fetahu, Avokat si dhe Z. Riza Shala, kryetar i Sindikatës së pavarur të pensionistëve dhe invalidëve të Kosovës. Gjatë publikimit të raportit u prezantuan të gjeturat kryesore në lidhje me pensionet e papaguara të shumicës së shqiptarëve dhe jo-serbëve të Kosovës, implikimet ligjore dhe politike për reparacionet në Kosovë, si dhe u dhanë rekomandime për të kërkuar kompensim material dhe kërkim falje nga Serbia. Të dhënat nga ky raport tregojnë se shqiptarët e Kosovës dhe punonjësit e tjerë jo-serbë u diskriminuan në bazë të statutit të tyre etnik minoritar, dhe si të tillë, kompensimi i tyre duhet bërë në përputhje me rrethanat, dhe të përfshijë jo vetëm shumën e saktë të pensionit të papaguar, por edhe dëmin moral për shkak të diskriminimit të pësuar dhe normat e interesit. Sipas raportit, Serbia është e obliguar ligjërisht, politikisht dhe financiarisht për të kompensuar borxhin e pensioneve të papaguara.

Ky raport gjithashtu rekomandon që Qeveria e Kosovës t’ i marrë parasysh ndryshimet në kornizën ligjore ekzistuese dhe të fillojë një reformë të skemave pensionale dhe përfitimeve të tjera që paguhen nga buxheti i shtetit, edhe po ashtu, të hartojë një ligj të vetëm për sistemin bazë të pensioneve – që do të rregullojë të gjitha skemat e pensioneve dhe të paaftësisë, kontribuuese dhe jo kontribuuese. Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, është vlerësuar se rreth 100.000 pensionistë kosovarë kanë kontribuar në fondin pensional të Serbisë, përderisa Beogradi i ka përvetësuar kontributet e tyre. Rreth 11,463 kërkesa i janë drejtuar Serbisë për pagesat e pensioneve të pensionistëve të Kosovës nga ana e shqiptarëve, përderisa autoritetet serbe aludojnë se, “gjithsej 8518 aplikues nuk plotësojnë dokumentacionin, ndërkohë që kërkesat e 1,442 janë në rregull dhe vetëm pritet të merret vendimi për to”. Në fund, raporti thërret në bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-në në veçanti që të bëje trysni dhe të insistojë që Serbia të ballafaqohet me problemin e borxheve të papaguara ndaj pensionistëve të Kosovës, dhe jo ta kategorizojë këtë çështje si më pak të rëndësishme. Ndërkohë që Qeveria e Kosovës të përgatitet mirë përpara se të hyjë në dialogun teknik për çështjen e borxheve të Serbisë për pensionet e papaguara.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …