Ramush Haradinaj: Agim Ramadani dhe Kosharja ndryshuan historinë e luftës në Kosovë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lart figurën e heroit Agim Ramadani dhe rëndësinë historike të Beteja e Koshares, duke theksuar se kjo betejë ishte një pikë kthese në rrjedhën e luftës në Kosovë. Haradinaj u shpreh se kishte pasur rastin ta takonte vetëm një herë komandantin Ramadani, për të cilin foli me respekt të veçantë, duke e cilësuar si një figurë të kompletuar – luftëtar, intelektual, artist dhe njeri i dijes. Sipas tij, ky profil e bëri atë një figurë bashkuese për bashkëluftëtarët e kohës. Ai theksoi se Beteja e Koshares, ku kontribuan figura si Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, jo vetëm që i dha energji luftës në terren, por në një farë mënyre ndryshoi tërësisht rrjedhën e saj. “Janë 114 dëshmorë, çka tregon intensitetin dhe sakrificën e madhe të asaj beteje. Sot bashkohemi për t’i nderuar të gjithë ata që dhanë jetën për liri”, theksoi Haradinaj. Në të njëjtën kohë, ai shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel, duke e cilësuar si një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës. Haradinaj e renditi atë në mesin e një brezi të politikanëve amerikanë që i dolën në krah Kosovës në momentet më të vështira, përkrah emrave si Madeleine Albright, John McCain dhe Bob Dole. Ai përfundoi duke theksuar se kontributi i tyre do të mbetet i paharruar dhe se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen ndër vite.

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Sejdiu: Situata e krijuar pas reciprocitetit të targave, thjeshtë është zbatim i një marrëveshjeje

Dardan Sejdiu: SHBA po i dërgon Kosovës paralajmërimin e fundit për energjinë dhe investimet strategjike

Analisti politik Dardan Sejdiu ka deklaruar se letra e publikuar së fundmi nga diplomatja amerikane …