Veton Surroi

Ylli Mece: NJË IDE TEJET E RREZIKSHME E VETON SURROIT

Një nga paradokset më befasuese është se çdo shqiptar i ndershëm, po ta lexonte apo dëgjonte Vetonin në një emision televiziv, do të vërente se e gjithë ligjërata e tij përshkohet nga një ndjenjë dhe interpretim jo vetëm i gabuar, por tërësisht antishqiptar, pavarësisht se ai flet në gjuhën tonë shqipe.

Për t’u treguar “disi i veçantë”, Vetoni fillon të bëjë pirueta rrotulluese përqark vetes, aq sa duket sikur po i merren mendtë, duke analizuar një nga epope-të më të lavdishme të popullit tonë në krahinën e Dardanisë – atë të luftës çlirimtare kundër sundimit të shovinizmit serb.

Duke mos iu referuar tërësisë së ligjëratës së tij, thelbi që përshkon intervistën qëndron në idenë se: “Lufta e popullit dhe e djemve tanë në Kosovë nuk ishte çlirimtare, se ne nuk kishim ushtri dhe se ajo luftë nuk ishte e Kosovës”.

I kujtoj Vetonit se lufta e një populli të pushtuar nuk shpërthen papritur. Ajo është rezultat i një grumbullimi urrejtjeje në një hark të gjatë kohor, e cila rritet vazhdimisht.

Duke u ndalur në terrenin tonë, theksoj se fillesat e kësaj lufte datojnë që nga vitet 1945–46, për të ardhur më vonë te “Pranvera e rinisë kosovare” e viteve ’80–’82, e karakterizuar nga një valë e fuqishme protestash me karakter atdhetar nga rinia shkollore, studentore dhe punëtore. Kjo pranverë kërkonte që Kosova të mos diskriminohej, por të kishte të drejta të barabarta me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë së Titos (më pas të Milosheviçit).

Këto protesta u shtypën me dhunë nga tanket, të cilat e gjakosën rëndë rininë kosovare. Por ndodhi ajo që dihet: shpirtin luftarak të shqiptarit nuk mundën ta shtypnin dhe as ta përkulnin. Kjo çoi më pas në vitet e fundit të shekullit, kur jo vetëm shekulli po mbyllej, por edhe vetë Jugosllavia po shpërbëhej.

Pra, në këtë rast, pohimi i Vetonit nuk është vetëm kundër luftës së UÇK-së, por indirekt ai i kundërvihet edhe vetë popullit të tij. Sepse UÇK-ja ishte produkt i një urrejtjeje të akumuluar historikisht nga një popull i tërë.

Pyes Vetonin: këta djem e vajza të reja, familja “Jashari” që i dha tokës dardane mbi 50 dëshmorë, si dhe qindra familje të tjera të masakruara – a ishin shqiptarë apo jo?

Formacionet e para embrionale, a ishin shqiptare, apo na erdhën nga Somalia apo Anadolli, si dikur jeniçerët e Perandorisë Osmane? A mund të ketë formacione luftarake të importuara, apo një luftë që ta bëjnë të tjerët për ne, duke na dhuruar lirinë?

Po, në Spanjë në vitin 1936 pati brigada ndërkombëtare, por lufta ishte e popullit spanjoll. A e di z. Surroi se brenda dy vjetësh Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti në 30–35 mijë luftëtarë dhe se nga Shqipëria dhe diaspora erdhën dhjetëra e qindra luftëtarë, ndërsa kjo ushtri rritej çdo ditë?

Nëse UÇK-ja nuk ishte ushtri, atëherë çfarë ishte? Një përzierje kaçakësh apo mercenarësh? Apo një ushtri me rregull, disiplinë, flamur dhe betim ushtarak?

Po jua citoj betimin:
“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara…”.

Vetëm në një pikë mund të kemi mospajtim: pse pas çlirimit UÇK-ja nuk e shpalli menjëherë bashkimin me Shqipërinë, por priti vendimet e ndërkombëtarëve.

Nga pikëpamja organizative, a e dini se këto formacione ishin të ndara në kompani, batalione, brigada dhe divizione, me komandë dhe shtab të organizuar?

Për aq sa shkruani, duket se nuk keni qenë pjesë e tyre. Madje, mund të ketë edhe një pakënaqësi personale për mosvlerësim pas luftës. Por ideja juaj se UÇK-ja nuk ishte ushtri dhe nuk ishte çlirimtare, bie vetvetiu.

Nëse ndërhyrjen e NATO-s e konsideroni faktor vendimtar, gaboni. Faktori ndërkombëtar është ndihmues, por vendimtar janë bijtë e atij vendi.

Edhe sikur NATO të mos kishte ndërhyrë, lufta do të fitohej, ndoshta më vonë, por do të fitohej.

Ideja se NATO-ja i dha fitoren Kosovës është e gabuar dhe e rrezikshme, sepse nënvlerëson aftësinë e shqiptarëve për t’u çliruar vetë.

A e keni harruar kaq shpejt Gjergj Kastriotin, i cili përballoi një perandori të tërë? Ata ishin shqiptarë – paraardhësit tanë.

Prandaj, herën tjetër bëni kujdes. Mund të kritikoni individë apo institucione, por jo të godisni shpirtin e një populli për liri dhe pavarësi.

Fjala juaj ofendon një popull të tërë, nënvlerëson sakrificën dhe mbivlerëson rolin e të huajve, duke krijuar një narrativë të rrezikshme.

Nga ana tjetër, kjo i jep argument armikut për të pretenduar se shqiptarët nuk janë të aftë të luftojnë për lirinë e tyre.

Shpirtin tuaj, o Veton Surroi, jepjani atdheut, por kurrë mos ia shisni – me apo pa dashje – armiqve tanë shekullorë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj

Ramiz Tafilaj: AAK-ja përballë sfidave të reja

Në politikën kosovare ka pak parti që kanë kaluar nëpër aq shumë sfida, transformime dhe …